Në diskutimin që ka bashkuar perspektiva nga kinemaja, muzeu, teatri dhe institucionet publike, panelistët kanë folur për përgjegjësinë e ruajtjes së dëshmisë dhe për mënyrën se si përvojat personale shndërrohen në filma, ekspozita, shfaqje apo narrativa publike. Në qendër të bisedës në “DokuTalks” ka qenë dilema se si trajtohet një e kaluar që ende nuk është bërë histori dhe çfarë ndodh kur kujtesa mbetet e kontestuar
E kaluara që mbetet në fotografi, objekte, mure, arkiva, filma, rrëfime dhe në mënyrën se si institucionet zgjedhin ta tregojnë atë, ka qenë pyetja rreth së cilës është zhvilluar të enjten pasdite në shkollën e muzikës “Lorenc Antoni” në Prizren, paneli i radhës i “DokuTalks” të “DokuFestit”, me temën “Çfarë mbetet? Filmi, kujtesa dhe drejtësia e papërfunduar”.
Në diskutimin që ka bashkuar perspektiva nga kinemaja, muzeu, teatri dhe institucionet publike, panelistët kanë folur për përgjegjësinë e ruajtjes së dëshmisë dhe për mënyrën se si përvojat personale shndërrohen në filma, ekspozita, shfaqje apo narrativa publike. Në qendër të bisedës ka qenë dilema se si trajtohet një e kaluar që ende nuk është bërë histori dhe çfarë ndodh kur kujtesa mbetet e kontestuar.
Paneli është moderuar nga publicisti, shkrimtari dhe aktivisti, Veton Surroi, ndërsa pjesë e tij kanë qenë historiania dhe drejtoresha e Muzeut Historik të Bosnjë-Hercegovinës, Elma Hashimbegoviq, regjisorja Norika Sefa, arkitektja dhe dizajnerja e ekspozitave, Elisabetta Terragni, regjisorja e teatrit dhe profesoresha në Fakultetin e Arteve Dramatike në Beograd, Tara Maniq, si dhe ministrja në detyrë e Kulturës dhe Turizmit e Kosovës, Saranda Bogujevci.
Dy ide për të menduarit për kujtesën
Duke e hapur diskutimin, Veton Surroi ka thënë se dy ide e kanë udhëhequr mënyrën e tij të të menduarit për kujtesën: ajo e shkrimtarit William Faulkner se e kaluara nuk vdes kurrë dhe koncepti i kujtesës kulturore i zhvilluar ndër të tjerë nga egjiptologu Jan Assmann.
Edhe
Kosova me “Dhëmbë të fortë” mposht frikën në Bienalen e trazuar të Venecias
“Është e qartë se kohët kanë ndryshuar në mënyrë dramatike, kur një burrë i një moshe të caktuar moderon një panel me katër, së shpejti pesë gra, është një përkufizim i ri i patriarkatit. Erroli më ftoi të mendoja për këtë, për atë që mbetet, kujtesën e mbushur dhe drejtësinë e papërfunduar, dhe duke menduar për temat dhe njerëzit që janë ftuar, më erdhën në mendje dy autorë, ose dy grupe autorësh. Njëri është William Faulkner, i cili në mënyrë të famshme thotë se e kaluara nuk është kurrë e vdekur. Në fakt, ajo as nuk është e kaluar”, ka thënë Surroi.
Sipas tij, mjetet përmes të cilave ruhet kujtesa – nga muzeu te filmi dhe arkivi – nuk i shërbejnë vetëm të kaluarës.
“Bosnja, Kroacia, Kosova, Serbia, janë shembuj se si e kaluara nuk vdes kurrë. Grupi i dytë i autorëve janë njerëzit që kanë shkruar për kujtesën kulturore në Gjermani. Jan Assmann, Jan Nereida – Jan Assmann është egjiptolog dhe ai e nisi këtë ide. Të gjitha këto na shërbejnë për të kujtuar. Unë do të përpiqem ta nis këtë bisedë duke pasur si kornizë si Faulknerin dhe faktin se e kaluara nuk është kurrë e vdekur, ashtu edhe Assmannin në identifikimin e mjeteve të kujtesës dhe arsyen pse ato mjete shërbejnë, që është se të gjitha mjetet e kujtesës në fakt i shërbejnë së tashmes. Ne e shkruajmë historinë për të tashmen dhe për të ardhmen, jo për të kaluarën”, ka thënë Veton Surroi.
Historia që s’është ende histori
Për Elma Hashimbegoviqin, sfida e muzeut është veçanërisht e ndërlikuar kur merret me ngjarje që kanë ndodhur së fundmi dhe që vazhdojnë të shkaktojnë ndarje në shoqëri. Ajo ka treguar se në vitin 2001, vetëm disa vjet pas përfundimit të luftës dhe rrethimit të Sarajevës, kishte nisur të punonte në përgatitjen e një ekspozite për rrethimin.
“Ne po përdorim më mirë shprehjen histori, e cila ende nuk është histori. Kemi të bëjmë me të kaluarën, e cila ende nuk është bërë histori. Kur erdha në muze në vitin 2001, kishin kaluar vetëm disa vjet nga përfundimi i luftës dhe rrethimit të Sarajevës, por, si kuratore e re, mora përsipër të filloja përgatitjen e një ekspozite për rrethimin, i cili pothuajse sapo kishte përfunduar. Pra, si të merresh me këto kujtime që janë ende të freskëta, me plagët që janë ende të freskëta, si ta bësh këtë në një shoqëri shumë të veçantë dhe të ndjeshme siç është Bosnja-Hercegovina?”, ka thënë ajo.
Ka thënë se janë te narrativa kryesore të historisë së viteve ’90 dhe se Muzeu i Bosnjës është i braktisur nga shteti.
“Sapo thatë se kemi tri narrativa kryesore të historisë dhe të së kaluarës së viteve ’90, dhe se vështirë se do të arrijmë ndonjë kompromis në trajtimin e tyre. Kjo është një nga sfidat që çdo historian ka përpara, përveç nëse dëshiron të ecë me rrjedhën dhe të ndjekë narrativat kryesore. Arsyeja pse muzeu nuk i ndjek narrativat kryesore dhe pse nuk është në pozitën e Ministrive — nuk do të doja të isha në pozitën e një ministri — është se ky muze është veçanërisht i braktisur nga shteti”, ka thënë ajo.
Hashimbegoviq ka rrëfyer se muzeu në të cilin ajo kishte ardhur të punonte për rreth pesë dekada ishte marrë me Luftën e Dytë Botërore dhe kishte përfaqësuar një narrativë të ndërtuar nga ajo që ishte Federata e Jugosllavisë. Shpërbërja e Jugosllavisë dhe lufta në Bosnjë-Hercegovinë, veçanërisht rrethimi i Sarajevës, e kishin përmbysur atë kornizë.
“Papritur, ne ndaluam së trajtuari atë të kaluar të Luftës së Dytë Botërore. Prandaj, e di se çfarë do të thotë të punosh në një muze që për kaq gjatë është marrë me një kujtesë dhe një histori të caktuar, e cila papritur bëhet e padëshiruar”, ka treguar ajo.
Sipas saj, puna e muzeut pas vitit 2001 ka qenë e lidhur me mbledhjen e objekteve, rrëfimeve, artefakteve dhe arkivave që do të mund të shërbenin si material për të ardhmen. Ajo ka thënë se një nga sfidat kryesore ka qenë ekzistenca e narrativave të ndryshme për luftën e viteve ’90.
Megjithatë, ajo ka theksuar se muzeu ka synuar të mos ndërtojë një histori nga lart-poshtë. Në rastin e Sarajevës, ka treguar ajo, vëmendja është përqendruar edhe te njerëzit e zakonshëm, jeta e përditshme, arti, kultura, qëndresa qytetare dhe rezistenca gjatë luftës.
“Shtëpia e gjetheve” si shembull
Për arkitekten dhe dizajneren e ekspozitave, Elisabetta Terragni, ruajtja e gjurmëve fizike ka qenë një nga sfidat themelore të punës muzeografike. Duke folur për përvojën e saj, përfshirë punën në “House of Leaves” (Shtëpia e gjetheve) në Tiranë, ajo ka thënë se ndërtesa dhe gjurmët që ajo bart janë vetë pjesë e narrativës.
“Për mua, sfida më e madhe ishte të shmangia fshirjen e gjurmëve të së kaluarës. Për mua, muzeu ishte tashmë aty. Hapësirat, informacionet dhe gjurmët në muret e dëmtuara përbënin një narrativë të historisë”, ka thënë Terragni.
Por për Terragnin, një muze nuk përfundon në momentin kur ekspozita hapet. Vizitori është pjesë e procesit dhe, sipas saj, pikërisht reagimi i njerëzve mund ta bëjë një hapësirë të tillë muze.
Ajo ka përmendur një protestë në Tiranë, pamjet e së cilës ia kishte dërguar një mik, duke treguar se të rinjtë ishin mbledhur natën dhe kishin shprehur zemërimin e tyre.
“Roli i vizitorëve dhe i njerëzve është për mua pika kyçe e muzeut, deri në atë pikë sa kohët e fundit më pyetën: kur mendon se muzeu u bë muze? Para disa ditësh, një shoqe më dërgoi një video të protestës në Tiranë dhe, në fakt, unë i kam njerëzit e mi në Tiranë dhe djemtë e rinj ishin vërtet të zemëruar, plotësisht me arsye. Ata po marshonin natën, duke thirrur këtë parullë për të shprehur zemërimin e tyre, dhe mendova: po, ky është momenti”, ka thënë ajo.
Filmi në botën e kujtesës
Regjisorja Norika Sefa e ka zhvendosur diskutimin drejt mënyrës se si filmi ndërton dhe çmonton narrativat. Ajo ka thënë se nuk ka një përgjigje të thjeshtë se çfarë e bën një film interesant apo të dobishëm kur ai merret me të kaluarën.
Edhe
Arti përtej historisë ruan të vërtetën që s’mund të zëvendësohet
Duke folur për filmin e saj “E verdhë si e sëmurë”, Sefa ka shpjeguar se montazhi i ka mundësuar të sfidojë mënyrën se si ajo vetë i kishte perceptuar njerëzit që mendonte se i njihte mirë.
“Montazhi tregon se sa e rreme është, ose çfarë normalizojmë te këta njerëz që mendoja se i njihja shumë mirë, për të arritur pastaj në një vendim të tillë, bazuar në pamjet që po shihja. Dhe kështu, në thelb, u përpoqa të shmangja rrëfimin e tyre në mënyrën që i njihja, dhe në vend të kësaj u përpoqa të shihja se çfarë mund të kapte kamera në ato momente që zakonisht nuk i shohim. Sepse mendoj se kujtesa nuk duhet të jetë diçka që shërben për të dëshmuar, për të justifikuar. Kujtesa ekziston dhe ajo ekziston zakonisht në vende ku nuk është e dukshme, si në heshtje, ose në veprat ku unë nuk jam. Pra, mendoj se kjo është e rëndësishme”, ka thënë ajo.
Sefa ka treguar se është përpjekur të shmangë një rrëfim të gatshëm dhe, në vend të tij, të kërkojë atë që kamera mund të kapë në momentet që zakonisht nuk shihen.
Sipas saj, kujtesa shpesh gjendet në heshtje dhe në ato veprime apo hapësira ku mungon vetë rrëfyesi. Pikërisht aty, ka sugjeruar ajo, filmi mund të kërkojë një mënyrë tjetër për ta parë të kaluarën.
Aktivizmi me protesta
Regjisorja e teatrit dhe profesoresha, Tara Maniq, nga Serbia ka folur për përvojën e saj me protestat e studentëve dhe stafit të Fakultetit të Arteve Dramatike në Beograd.
“Ishim një grup prej, mendoj, rreth 70 vetash, profesorë dhe studentë. U mblodhëm në heshtje në orën 11:00 të paradites, në të njëjtën kohë kur u shemb çatia, dhe studentët tanë dhe miqtë që punonin me ta filluan protestën, e cila zgjati pothuajse një vit dhe gjatë së cilës Fakulteti ynë ishte tërësisht i mbyllur. Askush prej nesh nuk punonte, nuk zhvillonim leksione dhe kështu me radhë. Për herë të parë, gjatë atyre muajve, mendoj se pata ndjesinë e vërtetë se po merrja pjesë në një proces që në një moment u bë më i madh se të gjithë ne”, ka thënë ajo.
Ajo ka treguar se pjesë e kësaj përvoje kanë qenë edhe kërcënimet dhe akuzat në internet, duke thënë se situata nuk është ndier e sigurt.
“Për herë të parë ndoshta në jetën time, nuk ndihem e sigurt gjatë gjithë kohës. Të shkoj në fakultet, të kthehem në shtëpi në Beograd dhe kështu me radhë – është një ndjenjë vërtet shkatërruese. Por, duke iu kthyer pyetjes suaj, mendoj se kur bëhet fjalë për arsimin, ai është gjithmonë politik”, ka thënë ajo.
Për Maniqin, arsimi nuk mund të ndahet nga politika. Ajo ka folur për një “politikë intime”, përmes së cilës përpiqet të trajtojë mënyrën se si një e kaluar bëhet histori dhe se si historia përplaset me të tashmen.
Ajo ka thënë se Fakulteti i Arteve Dramatike është shndërruar në një “fushëbetejë” të ideve të ndryshme për mënyrën se si duhet të dilet nga kriza dhe ka krahasuar këtë përvojë me historinë e viteve ’90 në rajon.
“Gjithmonë bëhet fjalë për t’i parë ngjarjet në sy, për të qenë të sinqertë dhe për ta emërtuar atë që ka ndodhur”, ka thënë Maniq, duke shtuar se është thellësisht e pakënaqur me mënyrën se si autoritetet serbe po i emërtojnë ngjarjet që nga nëntori i vitit 2024.
Tregimi i së kaluarës personale me art
Një perspektivë tjetër mbi kujtesën e ka sjellë ministrja në detyrë e Kulturës, Saranda Bogujevci, e cila e ka trajtuar atë edhe nga përvoja personale e të mbijetuarës së masakrës në familjen e saj dhe më pas nga pozita institucionale.
“Është interesante të jesh në një pozitë ku ke qenë e mbijetuar, viktimë, dhe më pas je e varur nga institucionet për sa i përket mënyrës se si kujdesen për ty. Dhe pastaj, kur bëhesh pjesë e tyre, si orientohesh përmes kësaj, qoftë kur bëhet fjalë për dokumentimin, qoftë për mënyrën se si krijojmë narrativa, apo për atë që më pas u ofron të tjerëve me përvoja të ngjashme. Dhe, nëse është në rregull, do të doja të filloja ndoshta me disa përvoja që kam pasur. Sigurisht, pas luftës u evakuova për arsye mjekësore në Mbretërinë e Bashkuar, kështu që të gjithë periudhën e rikuperimit e kalova në shkollë, universitet e kështu me radhë, përsëri në Mbretërinë e Bashkuar”, ka thënë Bogujevci.
Studimet në artet interaktive i kishin dhënë asaj edhe një mënyrë për ta trajtuar përvojën personale përmes artit.
Bogujevci ka rrëfyer se për herë të parë kishte folur publikisht për përvojën e saj kur ishte në përfundim të shkollës së mesme në Manchester. Bashkë me mësuesen e artit kishte krijuar një skulpturë që do të tregonte historinë e saj.
Për të, rrëfimi artistik nuk ka qenë vetëm një kthim te e kaluara. Që atëherë, ajo ka thënë se ka qenë e rëndësishme të flitet edhe për të ardhmen dhe për mësimet që mund të nxirren nga ajo që ka ndodhur.
“Për mua ishte shumë e rëndësishme të flisja jo vetëm për të kaluarën dhe të tashmen, por edhe për atë se çfarë mund të jetë e ardhmja dhe çfarë mësojmë prej asaj që ka ndodhur”, ka thënë Bogujevci.
Edhe
Shtëpia e Kulturës në Runik me 800 mijë euro pret kompani restauruese
Paneli “Çfarë mbetet? Filmi, kujtesa dhe drejtësia e papërfunduar” është pjesë e projektit “Beyond Silence – Empowering Voices for Justice and Memory”, të zbatuar nga “DokuFest” në partneritet me “Humanitarian Law Center Kosovo”.
Në fund, pyetja që e ka mbajtur të bashkuar diskutimin ka mbetur po ajo që i ka dhënë edhe titullin panelit: Çfarë mbetet? Nga përgjigjet e panelistëve ka dalë se mbeten gjurmët, dëshmitë, kujtimet dhe rrëfimet – por edhe përgjegjësia për mënyrën se si ato do të ruhen, interpretohen dhe, mbi të gjitha, do t’u përcillen atyre që vijnë pas.