Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Kryeministri Kurti në Pavijonin e Kosovës në Bienalen e Arkitekturës në Venecie

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të enjten ka vizituar Pavijonin e Kosovës në Bienales Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecie. Në kuadër të qëndrimit të tij në qytetin italian shkaku i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit, kryeministri Kurti është ndalur edhe te Pavijoni i Kosovës që sivjet mban titullin “RKS² “lokalitet transcendent”.

Gjatë kësaj vizite ai është shoqëruar nga ambasadorja e Kosovës në Itali, Lendita Haxhitasim, dhe këshilltarja politike në MKRS, Rozafa Imami.

“Së bashku diskutuan mbi konceptin e translokalitetit, një model jete i njerëzve që jetojnë në shumë vende në të njëjtën kohë, duke ruajtur lidhjet midis vendlindjes dhe vendit emigrues përmes komunikimit, transferimit të njohurive, informacionit, të mirave materiale dhe jomateriale. Brenda hapësirës ekspozuese ndaluan edhe pranë pavijoneve të Shqipërisë, Emirateve Arabe, Latvisë dhe Kroacisë”, shkruhet në njoftimin e Ministrisë së Kulturës.

I hapur në maj, Pavijoni i Kosovës fokusin e ka te ndikimi i emigrantëve në arkitekturë e planifikim urban. Instalacioni i dyshes Poliksen Qorri-Dragaj e Hamdi Qorri fut vizitorët brenda botës së emigrantëve.

“RKS2 Transcedent Locality” (RKS2 Lokaliteti Transcendent) gjendet në hapësirën ekspozuese “Arsenale”. Është vepër minimale në raport me hapësirën ku gjendet, por brenda thjeshtësisë që e posedon fsheh simbolika të shumta. Duke marrë për bazë transcendencën si terminologji filozofike, paraqet gjendjen e njeriut brenda dy botëve: vendlindjes dhe hapësirës me të cilën përballet në emigrim. Në shtjellim e sipër, kthen vëmendjen te ndikimi që ka emigranti edhe në planifikimin urban të vendlindjes. I përgjigjet fort temës së përgjithshme të Bienales për sivjet, “Laboratori i së ardhmes”, caktuar nga kuratorja Leslo Lokko, e cila ka prejardhje prej Ganës dhe jeton në Britani të Madhe. Dyshen e kuratorëve nga Kosova, Poliksen Qorri-Dragaj dhe Hamdi Qorri, pos profesionit dhe të qenit babë e bijë, i bashkon edhe eksperienca e emigrimit. Si arkitektë e kuratorë të Pavijonit të Kosovës, në ditën e hapjes ata kishin sqaruar se Pavijoni mbi të gjitha bën thirrje për debat. Qorri-Dragaj kishte thënë se koncepti i ekspozitës është quajtur “Lokaliteti transcendent” duke e përdorur terminologjinë e transcendencës dhe përshkruan kalimin e një kufiri. Kishte bërë të ditur se këtë terminologji e kanë marrë si koncept e metaforë për ta përshkruar tematikën e migrimit e cila ka lënë gjurmë të thella në Kosovën e viteve ’90.

“Atë moment e marrim për ta shpjeguar fazën e parë se çka do të thotë migrimi nëse nuk është i vetëvendosur, por i forcuar asokohe nga çështjet politike dhe çka do të thotë migrimi për individin nëse gjendet në një hapësirë dhe rrethanë krejt të re, i shkëputur nga konteksti i mëhershëm dhe çfarë ndodh me atë person”, kishte sqaruar ajo.

Edhe Kosova përmbys shtëpinë në Venecia me shenjat e migrimit Kulturë Kosova përmbys shtëpinë në Venecia me shenjat e migrimit

Sipas Qorri-Dragajt, një aspekt tjetër është prezenca emocionale ose shpirtërore që vazhdimisht lidhet me vendin e braktisur. Kishte thënë se individi që ka migruar është në gjendje shumë të ndjeshme.

“Parashtrojmë pyetjen se çfarë ndodh me idenë e jetesës e të vendit të banimit. Pastaj si ndikon hapësira e re në pikëpamjen tënde sa i përket shtëpisë”, kishte sqaruar arkitektja që jeton dhe punon në Gjermani.