Kulturë

“Lokaliteti transcendent” si shembull i arkitekturës për realitet të ri

Se ka detaje të pazbërthyera, shembull është vepra me të cilën Kosova sivjet është prezantuar në edicionin e 18-të të Bienales Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecie. “RKS2 Transcedent Locality”, ani pse në fund të nëntorit e ka mbyllur një kapitull në ngjarjen e madhe, diskutimi i së martës për të ka hapur një tjetër në lidhje për fuqinë e arkitekturës në ndryshim realitetesh urbane e kulturore

Migrimi si dukuri ka qenë gjithnjë pjesë integrale e procesit të zhvillimit social në Kosovës. E si i tillë ka qenë inspirim edhe për veprën përfaqësuese të Kosovës në edicionin e sivjetmë të Bienales Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecia, “RKS2 Transcedent Locality” (RKS2 Lokaliteti Transcendent). Instalacioni me kuratorë arkitektët Poliksen Qorri-Dragaj dhe Hamdi Qorri – në ngjarjen madhore e cila ka përmbyllur edicionin e 18-të në fundnëntor – ka qenë një synim për ilustrimin e përjetimeve të subjekteve në procesin e migrimit, një aspekt rëndom i trajtuar më pak në vepra arti. Përmes këtij instalacioni si strukturë alumini me drita neoni, që përfytyron një shtëpi të kthyer përmbys, përqendrohet në format e reja të migrimit si trans-lokalitet i një modeli të përhapur në shoqëri, në përmjet në vende të ndryshme në të njëjtën kohë.

Historia prapa veprës dhe për peshën e Bienales është rikthyer në diskutimin e së martës në Kolegjin UBT, si një kurs inspirimi dhe informativ në kuadër të lëndëve “Projekt individual” dhe “Instalacion dhe skulpturë” me ligjëruesin Burim Berisha.

Paneli i përbërë nga figura kryesore të projektit si arkitektja Poliksen Qorri-Dragaj, Dafina Morina, komisionere e projektit, dhe Engjëll Berisha, producent i ekspozitës, është konceptuar si një bisedë e koncentruar kryesisht në detajet e pathëna mbi këtë ekspozitë, ku krahas suksesit, pa dyshim që dhe sfidat nuk kishin se si të mungonin.

Diskutimi nisi me ndarjen e pikëpamjeve mbi interpretimin e “Lokalitetit transcendent” ku vetë autorja u shpreh se instalacioni si i tillë i ofron një liri te vizitoi për ta perceptuar atë në bazë të këndvështrimit unik.

“Vepra është e përbërë nga disa korniza që veç multiplikohen në gjerësi dhe në thellësi. Simbolizojnë gjendjen mes dy botëve, derisa korniza e brendshme kap krejt idenë transcendente, që nëse flasim në këtë aspekt, është terminologji që përdoret në filozofi dhe përshkruan tejkalimin shpirtëror prej një realiteti fizik në realitet shpirtëror”, ka thënë Poliksen Qorri-Dragaj, duke theksuar se është munduar që pjesa hulumtuese e projektit të jetë sa më gjithëpërfshirëse duke marrë parasysh dhe elemente që shpeshherë nuk bëjnë pjesë në planifikime urbane, si për shembull emigrimi.

Gjatë diskutimit, studentët patën mundësinë të shtrojnë pyetje dhe të ndajnë pikëpamjet e tyre mbi interpretimin e tyre për instilacionin. Diskutimi është fokusuar në ndikimin e kësaj pjese të arkitekturës në diskursin e identitetit kosovar dhe më gjerë, duke krijuar hapësirë për reflektim mbi rolin që arkitektura luan në ndërtimin e një realiteti të ri urban dhe kulturor.

Engjëll Berisha si producent i cili ka pasur rol në realizimin e projektit, ka folur për sfidat dhe sukseset gjatë procesit krijues. Ka theksuar rëndësinë e një ekipi të përkushtuar dhe bashkëpunimit të ngushtë mes arkitektëve, artistëve dhe faktorëve të tjerë për të sjellë në jetë projekte të tilla ambicioze.

“Procesi ka qenë i ndërlikuar dhe shumë serioz, duke u nisur nga sigurimi i materialit. Zgjedhja e tij është bërë në bazë të analizave që ka kërkuar vetë Bienalja. Pastaj ka qenë sfiduese transporti, sepse në Venedik varkat transportuese kanë pasur kosto të lartë, dhe për shkak të burokracisë, kërkesat për fonde shtesë në Ministri të Kulturës zgjasin shumë, andaj kam qenë vigjilent për disa detaje të vogla të cilat me raste na kanë mundësuar që të jemi më kreativë dhe inovativë. Në momentet e fundit para hapjes së ekspozitës Bienalja na kërkoi që instalacioni të ketë një prag rrethues për ta mbrojtur veprën, andaj ne kemi improvizuar me pjesë nga paketimi i vetë veprës, i kemi ngjyrosur ato pjesë dhe kështu u arrit zgjidhja”, ka thënë Berisha.

Ani pse anë teknike, kjo pjesë ka qenë si këshillë për studentët të jenë të përgatitur në shumë fusha.

Poliksen Qorri-Dragaj ka vënë në dukje dhe një natyrë tjetër të sfidave dhe mundësitë që paraqet trajtimi i instalacionit “Lokaliteti transcendent” në kontekstin e arkitekturës bashkëkohore. Ka shpalosur ide rreth bashkëveprimit midis arkitekturës tradicionale dhe asaj moderne, si dhe ndikimit të artit dhe teknologjisë në krijimin e një vizioni të përbashkët për të ardhmen përmes rëndësisë që kanë planifikimet urbane dhe lidhjes së njerëzve me këto hapësira.

Gjatë diskutimit, panelistët ndanë me studentët tërë procesin e krijimit të instalacionit duke përfshirë detaje nga fazat e para të dizajnit e deri te aplikimi për pjesëmarrje në Bienalen e Venecias.

Komisionerja Dafina Morina ka folur rreth procesit të votimit të jurisë mbi përzgjedhjen e veprës përfaqësuese, buxhetin dhe aspektet e tjera të cilat shënuan realizimin, teksa ka njoftuar se po planifikohet që të sillet instalcioni në një ekspozitë dhe në Kosovë.

“Kemi menduar që në vitin e ardhshëm në kuadër të programit të Galerisë Kombëtare të hapim një ekspozitë me instalacionin dhe me vazhdu një traditë të shfaqjes së veprave pjesëmarrëse në Bienale edhe në Kosovë”, ka thënë ajo.

Në pjesën e fundit të diskutimit u ndanë detaje edhe për librin kuratorial të ekspozitës, printimi i të cilit është kryer nga shtëpia botuese ndërkombëtare “Mousse Publishing”

Ky libër përveç fotografive të instalacionit përmban edhe konceptin kuratorial, të dhëna nga metodologjia dhe puna hulumtuese e këtij projekti. Përmes këtij libri ekipi synon që të paraqesë ekuacionin artistik nëpërmjet faktorëve që i japin formë veprës.