Botë

Irani zotohet për kundërpërgjigje në rast të rivendosjes së sanksioneve nga OKB-ja

Khamenei

Foto: Associated Press

Irani do të reagojë ashpër ndaj çdo rivendosjeje të sanksioneve nga Kombet e Bashkuara (KB) mbi programin e tij bërthamor, ka njoftuar të hënën një përfaqësues i Ministrisë së Jashtme të vendit, pa dhënë detaje shtesë mbi veprimet që mund t’i ndërmarrë Teherani zyrtar.

Një burim diplomatik francez i ka thënë agjencisë së lajmeve Reuters javën e kaluar se fuqitë evropiane do të duhet të rivendosin sanksionet e KB-së ndaj Iranit në kuadër të mekanizmit të quajtur “snapback”, nëse nuk arrihet një marrëveshje bërthamore që garanton interesat evropiane.

Mekanizmi i “snapback” është proces nëpërmjet të cilit rivendosen sanksionet e Kombeve të Bashkuara ndaj Teheranit në kuadër të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, e cila e hoqi këtë masë në këmbim të kufizimeve mbi programin bërthamor të Republikës Islamike.

“Kërcënimi për të përdorur mekanizmin në fjalë nuk ka bazë ligjore e politike, dhe se do të përballet me një përgjigje të përshtatshme dhe proporcionale nga ana e Republikës Islamike të Iranit”, ka thënë përfaqësuesi i Ministrisë së Jashtme, Esmaeil Baghaei.

Marrëveshja e vitit 2015 me Britaninë, Gjermaninë, Francën, SHBA-në, Rusinë dhe Kinën – e njohur si Plani i Përbashkët i Veprimit Bërthamor (JCPOA) – nënvizon se, nëse palët nuk mund të zgjidhin akuzat për “mungesë të zbatimit” nga Irani, procesi i “mekanizmit ‘snapback’” mund të aktivizohet nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara me 15 anëtarë.

Përfaqësuesi iranian, Baghaei, ka thënë se “përveç kësaj, palët evropiane, të cilat po mundohen vazhdimisht ta shfrytëzojnë këtë instrument, kanë shkelur rëndë dhe në mënyrë themelore obligimet e tyre në kuadër të JCPOA-s”.

“Ata nuk e kanë përmbushur detyrën që kishin marrë përsipër në kuadër të JCPOA-s, prandaj nuk kanë as bazë ligjore e as morale për të përdorur këtë mekanizëm”, ka shtuar ai.

Vendet perëndimore e kanë akuzuar në vazhdimësi Iranin se po planifikon të ndërtojë armë bërthamore, akuzë që Teherani e mohon.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin tërhequr në mënyrë të njëanshme nga marrëveshja në vitin 2018 gjatë administratës së parë të presidentit, Donald Trump, i cili e pati kualifikuar marrëveshjen si “të dobët”.

Trumpi, i cili e ka filluar presidencën e tij të dytë në janar, i ka bërë thirrje Teheranit të kthehet në tryezën e bisedimeve për të arritur marrëveshje të re, pas armëpushimit që u dakordua muajin e kaluar, i cili i dha fund luftës 12-ditore midis Iranit dhe Izraelit.