Përtej shenjave të migrimit të këtij fenomeni në arkitekturë e në planifikim urban, Pavijoni i Kosovës prek edhe ndjesinë e emigrantëve. “RKS2 Transcedent Locality” (RKS2 Lokaliteti Transcendent), siç titullohet instalacioni i pavijonit me kurator arkitektët Poliksen Qorri-Dragaj dhe Hamdi Qorri, do t’i fusë vizitorët në një hapësirë ku shpërfaqen dy botë paralele. Tashmë është gati dhe pret hapjen solemne në edicionin e 18-të të Bienales Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecie
Migrimi si histori e vjetër sa vetë njerëzimi sivjet do të zbërthehet nga kënde të ndryshme duke nxjerrë në pah pikëpamjet e arkitektëve për këtë fenomen. Tema bosht e këtij edicioni të Bienales Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecia, “Laboratori i së ardhmes”, shoshit, midis të tjerash, edhe ndikimin e migrimit në arkitekturë.
Përtej shenjave të këtij fenomeni në arkitekturë e në planifikim urban, Pavijoni i Kosovës prek edhe ndjesinë e emigrantëve. “RKS2 Transcedent Locality” (RKS2 Lokaliteti Transcendent), siç titullohet instalacioni i pavijonit me kurator arkitektët Poliksen Qorri-Dragaj dhe Hamdi Qorri, do të fusë vizitorët në një hapësirë ku shpërfaqen dy botë paralele.
Hapësira e shtetit më të ri në Evropë gjendet si gjithnjë në “Arsenale” dhe do të hapet për vizitorë sot (e premte) në orën 15:00. Dyshja e kuratorëve që i bashkon profesioni e po ashtu janë babë e bijë ka ndërtuar një instalacion në mënyrë modulare nga pjesë të veçanta. Sipas konceptit, forma tregon se kështu është i përbërë edhe lokaliteti transcendent. Janë fragmente të veçanta kujtimesh dhe tregimesh nga vendlindja që plotësohen me përshtypje dhe përjetime të reja në vendet emigruese dhe ngulitin lokalitetin transcendent në të.
“Kujtimet dhe përshtypjet e reja nënkuptojnë se ky vend i nënshtrohet një dinamike të vazhdueshme dhe nuk arrin kurrë një gjendje përfundimtare”, shkruhet në koncept. Instalacioni ngjan me shtëpi të kthyer së prapthi. Është objekt që qëndron varur dhe i shkon për shtat gjendjes transcendente të mërgimtarëve që jetojnë midis dy botëve.
Pavijoni i Kosovës kufizohet me atë të Letonisë, Kroacisë e të Shqipërisë, shtete këto që, po ashtu, po përballen goxha me fenomenin e emigrimit. Koordinatori i Pavijonit, Engjëll Berisha, ka thënë se gjithçka është gati dhe krejt procesi ka shkuar mirë. Tashmë atje ka arritur edhe botimi ku zbërthehet krejt koncepti kuratorial.
“Presim që të ketë goxha vizitorë për shkak se shihet që Bienalja në tërësi ka shumë vizitorë”, ka thënë Berisha.
Në njoftimin që ka bërë ekipi i Kosovës për hapjen e Pavijonit është sqaruar se deri më sot migrimi ka pasur rol të rëndësishëm në zhvillimin social të Kosovës.
“Manifestohet në forma të ndryshme, të cilat dallojnë për kah motivet, mënyra dhe kohëzgjatja. Ekspozita trajton një formë të veçantë të migrimit, e cila ilustron se procesi i migrimit nuk përfundon me shpërnguljen e thjeshtë në një vend tjetër”, shkruhet aty. Sqarohet se migrimi shpesh zhvillohet në faza të ndryshme, disa prej të cilave përfundojnë me kthimin në vendlindje.
“Ky kthim mund të jetë i përkohshëm, sezonal ose i përhershëm, por e përbashkëta e tyre është se ato bëjnë të mundur krijimin e lidhjeve dhe rrjeteve të llojeve të ndryshme midis vendlindjes dhe vendit emigrues”, shkruhet në koncept. Sqarohet se kjo formë migrimi mund të përshkruhet me konceptin e translokalitetit si një model jete që po bëhet gjithnjë e më i përhapur.
Dyshja Poliksen Qorri-Dragaj dhe Hamdi Qorri në një intervistë për KOHËN në prill kishin zbërthyer goxha nga koncepti i tyre. Kishin folur për fazat e migrimit nga Kosova e deri te konkretizimi i veprës së tyre.
Qorri-Dragaj kishte thënë se materializimi mund të jetë një imazh shumë subjektiv teksa kishte treguar se mënyra e vizualizimit është shumë abstrakte.
“Punojmë me një material alumini dhe neoni, disa korniza që veç multiplikohen në gjerësi dhe në thellësi. Simbolizojnë gjendjen mes dy botëve. Është korniza e aluminit, në mes neoni që e simbolizon atë gjendjen mes shumë vendeve. Korniza e brendshme kap krejt idenë transcendente, që nëse flasim në këtë aspekt është terminologji që përdoret në filozofi dhe përshkruan tejkalimin shpirtëror prej një realiteti fizik në realitet shpirtëror”, kishte sqaruar ajo.
Vepra zë vend midis pavijoneve të 64 shteteve që përfaqësohen sivjet në dy hapësirat ekspozuese “Giardini” dhe “Arsenale”. Krahas përfaqësimeve shtetërore do të jenë edhe 89 ekspozita individuale. Prapavijë të migrimit ka edhe vetë kuratorja e këtij edicioni, Leslo Lokko, e cila ka prejardhje prej Ganës dhe jeton në Britani të Madhe.
Derisa ka folur për edicionin që ka hapur dyert të martën, ka thënë se për një periudhë të gjatë ka menduar se si mërgimtarët mund të ndikojnë në arkitekturë. Ka pasur fjalën kryesisht për refugjatët afrikanë.
Sipas konceptit të saj, hapësira është hapur për të treguar histori të ndryshme, më komplekse rreth arkitekturës dhe marrëdhënies së saj me shoqërinë.
“Ndjenja e një historie jo të paplotë, e cila nuk u ka lënë vend zërave të tjerë, është e fortë në mendjen time”, ka thënë ajo derisa ka zbërthyer temën “Laboratori i së ardhmes”. Në botëkuptimin e saj arkitektura është në vetvete një profesion hibrid, që ndërthuret me planifikimin, politikën dhe shëndetin publik.
“Ka diçka në lidhje me trajnimin e një arkitekti që i përshtatet veçanërisht kohës sonë: ka të bëjë me bashkimin e pjesëve të ndryshme të informacionit së bashku në një kornizë. Arkitektura ka të bëjë më shumë se ndërtimi i ndërtesave”, ka thënë ajo.
Përtej ndërtimit të objekteve shkon edhe koncepti i dyshes së kuratorëve nga Kosova. Preket edhe ndikimi i mërgimtarëve në planifikim urban në Kosovë. E janë pikërisht shumica mërgimtarë ata që kanë përfaqësuar Kosovën në Bienalen e Venecias, në edicionet e artit e ato të arkitekturës. Debutimin e vendit në këtë ngjarje e bëri arkitekti Përparim Rama më 2012 me veprën “Punuesi i filigranit”. Për komisar ishte caktuar arkitekti Bekim Ramku. “Punuesi...” mëtonte të hidhte dritë mbi trashëgiminë kulturore të Kosovës. Më 2014, Gëzim Paçarizi e kishte përfaqësuar Kosovën me “Visibility (imposed modernism)” (Dukshmëria - Modernizmi i imponuar). Përjashtim bën viti 2018, kur kuratore e Pavijonit të Kosovës ishte artistja Eliza Hoxha me temën “Qyteti është gjithandej”. Paraprakisht më 2016, sherri i Ministrisë së Kulturës, Kosova s’u përfaqësua. E më 2021 atje ishte, po ashtu, një mërgimtar, Maksut Vezgishi, me veprën “CONTAINPORARY”. E, sivjet janë arkitektët me histori migrimi ata që trajtojnë direkt ndikimin e mërgatës në arkitekturë, duke e paraqitur gjendjen transcendente në disa dimensione.