Kulturë

Kosova përmbys shtëpinë në Venecia me shenjat e migrimit

Instalacioni i dyshes Poliksen Qorri-Dragaj e Hamdi Qorri ka hapur edhe zyrtarisht dyert e Pavijonit të Kosovës në Bienalen Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecia pasditen e së premtes. Fut vizitorët brenda botës së emigrantëve, fton për debat. “RKS2 Transcedent Locality” (RKS2 Lokaliteti Transcendent), është i tillë edhe si prezencë e Kosovës. “Parashtrojmë pyetjen se çfarë ndodh me idenë e jetesës e të vendit të banimit. Pastaj si ndikon hapësira e re në pikëpamjen tënde sa i përket shtëpisë”, ka thënë Qorri-Dragaj

Duket një instalacion krejt i thjeshtë. Por nis të bëhet më kompleks kur vizitorët shpejt e marrin vesh se bëhet fjalë për një shtëpi të përmbysur. Në këtë rast, përmbysja nuk prek veç anën vizuale. Shkon përtej. Gjurmon në emocionalitetin dhe gjendjen e emigrantëve. Shtron pyetje për qasjen e tyre e njëkohësisht, bën thirrje për diskutim të hapur.

Fokusin e ka te ndikimi i tyre në arkitekturë e planifikim urban. Instalacioni i dyshes Poliksen Qorri-Dragaj e Hamdi Qorri ka hapur edhe zyrtarisht dyert e Pavijonit të Kosovës në Bienalen Ndërkombëtare të Arkitekturës pasditen e së premtes. Fut vizitorët brenda botës së emigrantëve.

“RKS2 Transcedent Locality” (RKS2 Lokaliteti Transcendent) gjendet në hapësirën ekspozuese “Arsenale”. Është vepër minimale në raport me hapësirën ku gjendet, por brenda thjeshtësisë që e posedon fsheh simbolika të shumta. Duke marrë për bazë transcendencën si terminologji filozofike, paraqet gjendjen e njeriut brenda dy botëve: vendlindjes dhe hapësirës me të cilën përballet në emigrim. Në shtjellim e sipër, kthen vëmendjen te ndikimi që ka emigranti edhe në planifikimin urban të vendlindjes. I përgjigjet fort temës së përgjithshme të Bienales për sivjet, “Laboratori i së ardhmes”, caktuar nga kuratorja Leslo Lokko, e cila ka prejardhje prej Ganës dhe jeton në Britani të Madhe.

“Lokaliteti transcendent” si thirrje për debat

Dyshen e kuratorëve nga Kosova Poliksen Qorri-Dragaj dhe Hamdi Qorri pos profesionit dhe të qenit babë e bijë, i bashkon edhe eksperienca e emigrimit. Si arkitektë e kuratorë të Pavijonit të Kosovës, në ditën e hapjes ata kanë sqaruar se Pavijoni mbi të gjitha bën thirrje për debat.

Image
Duke marrë për bazë transcendencën si terminologji filozofike, paraqet gjendjen e njeriut brenda dy botëve: vendlindjes dhe hapësirës me të cilën përballet në emigrim

Qorri-Dragaj ka thënë se koncepti i ekspozitës është quajtur “Lokaliteti transcendent” duke e përdorur terminologjinë e transcendencës dhe përshkruan kalimin e një kufiri. Ka bërë të ditur se këtë terminologji e kanë marrë si koncept e metaforë për ta përshkruar tematikën e migrimit e cila e ka lënë gjurmë të thella në Kosovën e viteve ’90.

“Atë moment e marrim për ta shpjeguar fazën e parë se çka do të thotë migrimi nëse nuk është i vetëvendosur, por i forcuar asokohe nga çështjet politike dhe çka do të thotë migrimi për individin nëse gjendet në një hapësirë dhe rrethanë krejt të re, i shkëputur nga konteksti i mëhershëm dhe çfarë ndodh me atë person”, ka sqaruar ajo.

Sipas Qorri-Dragaj, një aspekt tjetër është prezenca emocionale ose shpirtërore që vazhdimisht lidhet me vendin e braktisur. Ka thënë se individi që ka migruar është në gjendje shumë të ndjeshme.

“Parashtrojmë pyetjen se çfarë ndodh me idenë e jetesës e të vendit të banimit. Pastaj si ndikon hapësira e re në pikëpamjen tënde sa i përket shtëpisë”, ka sqaruar arkitektja që jeton dhe punon në Gjermani.

Image
Në shtjellim e sipër kthen vëmendjen te ndikimi që ka emigranti edhe në planifikimin urban të vendlindjes. I përgjigjet fort temës së përgjithshme të Bienales për sivjet, “Laboratori i së ardhmes”

Përshkrime të shumta për veprën jepen edhe në muret e Pavijonit të Kosovës që kufizohet me atë të Kroacisë dhe të Shqipërisë, vende këto që po ashtu përballen me efektin e emigracionit.

Bashkëkuratorja nga Kosova derisa ka folur për intalacionin ka thënë se pastaj merret në shqyrtim faza e dytë duke iu referuar asaj që ka ndodhur pas luftës së fundit. Ka përmendur se shumica e refugjatëve kanë vendosur të kthehen në Kosovë dhe më pas ka pasur një periudhë e fortë ndërtimi.

“Qytet në atë periudhë e kanë pasur një detyrë shumë të madhe. Janë rritur për një periudhë të shkurtër dhe i njohim pasojat e atij urbanizimi shumë të shpejtë. Njëzet vjet më vonë jemi duke u ballafaquar me sfidat e asaj periudhe”, ka thënë ajo. Në këtë kontekst hyjnë edhe lëvizjet demografike bashkë me rrethanat e vendbanimeve duke shkuar deri te kualiteti i jetesës. Sipas Qorri-Dragajt planifikuesit urbanë duhet ta hapin e planifikimin për mundësi të ndryshme. Ka përmendur faktin se ka njerëz nga diaspora që krijojnë pjesët urbane.

“Ky është një aspekt shumë i rëndësishëm për Kosovën e po ashtu edhe në aspektin global. Si individ kemi përgjegjësi jo veç për vendin ku kemi migruar por edhe për vendin e prejardhjes. Duhet mëndur për ndikimin tonë”, ka thënë arkitektja Qorri-Dragaj.

Në ditën e hapjes Pavijoni ka pasur goxha vizitorë. Ata që kanë prapavijë migrimi kanë mundësinë të ngacmohen dhe të mendojnë për ndikimin e tyre në të dyja anët. Kurse ata që nuk kanë eksperiencë migrimi, mund të shohin se bëhet fjalë për një vendim të forcuar kur flitet për ikjen nga vendlindja.

“Është nder shumë i madh e mundësi e veçantë të marrim pjesë me tematikë që shpresojmë që ndihmon për krijimin e një debati që i ndihmon krejt shoqërisë”, ka thënë Qorri-Dragaj në Pavijonin e Kosovës që sivjet ka për komisionere Dafina Morinën. Hapësira shtrihet në zemër “Arsenales” që bashkë me “Giardinin” janë dy lokalitet ekspozuese të Bienales në qytetin italian me 117 ishuj, lidhur me 391 ura.

Image
Poliksen Qorri-Dragaj ka thënë se koncepti i ekspozitës është quajtur “Lokaliteti transcendent” duke e përdorur terminologjinë e transcendencës dhe përshkruan kalimin e një kufiri

Thirrje për ata që janë jashtë vendit të origjinës

Si një lidhje midis vendlindjes e vendeve të emigrimit është edhe Pavijoni i Kosovës. Bashkautori Hamdi Qorri ka thënë se kjo ekspozitë do të ketë ndikimin e vet.

“Ajo do të ofrojë kushte dhe thirrje për njerëz që janë jashtë vendit të origjinës dhe do të ndikojnë në vendin e origjinës duke ndikuar në planifikimin hapësinor e në qendrat më të mëdha të Kosovës”, ka thënë Qorri. Sipas tij, kjo është edhe një pjesë e diplomacisë artistike pasi krijohen kontakte me vendet e tjera që janë pjesë e Bienales.

“Kontaktet e shkëmbimi i përvojave ndikojnë në njohjen më të mirë të vendit tonë”, ka thënë ai.

Përvojën me Bienalen Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecie, Kosova s’e ka shumë të vjetër. Debutimin e vendit në këtë ngjarje e bëri arkitekti Përparim Rama më 2012 me veprën “Punuesi i filigranit”. Për komisar ishte caktuar arkitekti Bekim Ramku. “Punuesi...” mëtonte të hidhte dritë mbi trashëgiminë kulturore të Kosovës. Më 2014, Gëzim Paçarizi e kishte përfaqësuar Kosovën me “Visibility (imposed modernism)” (Dukshmëria - Modernizmi i imponuar). Përjashtim bën viti 2018, kur kuratore e Pavijonit të Kosovës ishte artistja Eliza Hoxha me temën “Qyteti është gjithandej”. Paraprakisht më 2016, sherri i Ministrisë së Kulturës, Kosova s’u përfaqësua. E më 2021 atje ishte, po ashtu, një mërgimtar, Maksut Vezgishi, me veprën “CONTAINPORARY”.

Image
Hamdi Qorri: “Kontaktet e shkëmbimi i përvojave ndikojnë në njohjen më të mirë të vendit tonë”

Sivjet janë 64 pavijone shtetërore Krahas përfaqësimeve shtetërore do të jenë edhe 89 ekspozita individuale. Kuratorja e përgjithshme e Bienales së sivjetme që është hapur të enjten, Leslo Lokko ka thënë se për një periudhë të gjatë ka menduar se si mërgimtarët mund të ndikojnë në arkitekturë. Ka pasur fjalën kryesisht për refugjatët afrikanë.

E për mërgimtarët nga Kosova, kanë menduar dyshja Poliksen Qorri-Dragaj dhe Hamdi Qorri.

Sipas konceptit, forma e instalacionit tregon se kështu është i përbërë edhe lokaliteti transcendent. Janë fragmente të veçanta kujtimesh dhe tregimesh nga vendlindja që plotësohen me përshtypje dhe përjetime të reja në vendet emigruese dhe ngulitin lokalitetin transcendent në të. Vetë paraqitja në këtë ngjarje, më të madhen të arkitekturës është një transcendencë më vete. Kurse pyetjet bashkë me perspektivat që hap Pavijoni i Kosovës, janë ftesë për rimendim e debat për ndikimin e emigrantëve në të dyja shoqëritë: ato ku jetojnë dhe në ato prej nga vijnë.

Image
Pavijoni i Kosovës në shtjellim e sipër kthen vëmendjen te ndikimi që ka emigranti edhe në planifikimin urban të vendlindjes. I përgjigjet fort temës së përgjithshme të Bienales për sivjet, “Laboratori i së ardhmes”