Kulturë

Koreja e Jugut i shtohet itinerarit të Baletit të Kosovës nëpër botë

Përderisa në vend sfidohet me mungesë kushtesh infrastrukturore, lista e qyteteve botërore që do t’i shkelë Baleti Kombëtar i Kosovës është e gjatë. New Yorkut e Lisbonës u bashkohet edhe Seuli i Koresë së Jugut, ku Baleti do të marrë pjesë në “Cheonan World Dance Festival”, që do të mbahet prej 25 deri më 29 shtator. “Sigurisht se çdo paraqitje ndërkombëtare është e rëndësishme për BKK-në, por edhe për artin e vendit tonë në përgjithësi. Krijimi i urave të reja të bashkëpunimit me botën i bën shumë mirë zhvillimit të skenës kulturore në vendin tonë”, ka thënë drejtori i BKK-së, Sinan Kajtazi

Baleti Kombëtar i Kosovës ka kohë që ka dëshmuar potencialin, ani pse së fundmi imponohet të improvizojë me shfaqje bashkëkohore sherri i kushteve infrastrukturore. Koreja e Jugut bëhet stacioni i radhës që i shtohet itinerarit të Baletit në prezantimet jashtë vendit. Në shtator do të prezantohet në kuadër të festivalit të vallëzimit “Cheonan World Dance Festival”, që do të mbahet prej 25 deri më 29 shtator.

Me të nisur aktivitetet këtë fillimvit, Baleti kishte shpalosur edhe planet për skenat ndërkombëtare. Pas shfaqjes bashkëkohore “Rebounds: A Basketballet” me koreografi të Friederike Lampert dhe Jochen Roller muajin e kaluar, drejtori i Baletit, Sinan Kajtazi, kishte njoftuar se kishin marrë ftesë për pjesëmarrje nga një festival në Kore. Të enjten, institucioni e ka bërë publike ftesën.

Kajtazi ka treguar se pjesëmarrja në Festival është me karakter prezantues. Sipas tij, kjo ngjarje është e rëndësishme për të krijuar mundësi bashkëpunimi me skenën ndërkombëtare.

“Sigurisht se çdo paraqitje ndërkombëtare është e rëndësishme për BKK-në, por edhe për artin e vendit tonë në përgjithësi. Krijimi i urave të reja të bashkëpunimit me botën i bën shumë mirë zhvillimit të skenës kulturore në vendin tonë. Ne do të kemi shfaqje të karakterit prezantues, mirëpo festivali është shumëdimensional, pra përfshin shumë gjini të kërcimit dhe sigurisht se ka edhe të tilla të karakterit garues”, ka thënë Kajtazi.

Deri në shtator, kur Baleti do të shpalosë punën e tij për herë të parë në Kore të Jugut, do të sjellë edhe disa shfaqje të reja. Po ashtu, janë edhe disa stacione jashtë vendit. Aktualisht institucioni është duke punuar për shfaqjen “Tango Nights” në bashkëpunim me koreografen amerikane Chiara Ajkun, që do të jepet premierë në New York, në teatrin “Theater at St. Jean”, më 31 maj, ndërsa reprizat do t’i ketë më 1 dhe 2 qershor. Biletat janë në shitje.

Baleti Kombëtar ka bërë publike edhe datën për shfaqjen tjetër që do të shfaqet premierë në Prishtinë më 27 qershor, ndërsa për herë të parë do të prezantohet në Lisbonë të Portugalisë në teatrin “Cine Teatro D. João V. in Amadora”, më 27 korrik.

Interpretimit në skenën e festivalit korean i paraprijnë këto shfaqje, të cilat zgjerojnë repertorin e institucionit, i cili ka kohë përzgjedhjeje se çfarë rrëfimesh do të eksplorojë nëpërmjet trupës.

“Jemi në përcaktim e sipër të shfaqjes, e cila do të prezantohet në festivalin në fjalë. Besoj që do të jenë të gjithë balerinët e përfshirë në shfaqjen, e cila do të udhëtojë për në Korenë e Jugut”, ka thënë Kajtazi nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim për KOHËN.

Sipas njoftimit të Baletit Kombëtar të Kosovës, bashkëngjitur me ftesën e dërguar, shkruhet se “ftesa për pjesëmarrje në këtë festival prestigjioz, dëshmon edhe një herë punën dhe përkushtimin e BKK-së për të promovuar vlerat kulturore të vendit tonë, gjithandej nëpër botë!”.

“Në emër të ‘Cheonan Festival Committee’, është kënaqësi dhe nder të ftojmë grupin tuaj në 'Cheonan World Dance Festival 2024', që do të mbahet prej 25 deri më 29 shtator 2024 në qytetin Cheonan, Republika e Koresë", shkruhet në ftesën e Festivalit dërguar BKK-së.

Institucioni i Baletit do të prezantohet në atë që njihet si “qyteti kryesor i kombit”, që ndodhet mbi 80 kilometra në jug të kryeqytetit të Koresë së Jugut, Seulit.

Cheonan është quajtur “qyteti kryesor i kombit” për shkak të vendndodhjes së tij 83,6 kilometra në jug të Seulit.

Festivali Botëror i Vallëzimit në qytetin Cheonan u mbajt për herë të parë në vitin 2003 dhe sivjet shënon 19-vjetorin e tij.

“Është zgjedhur tetë herë si një festival përfaqësues i arteve të skenës rajonale nga Ministria e Kulturës, Sportit dhe Turizmit për gjashtë vjet rresht. Është festival ndërkombëtar kërcimi që përfaqëson Korenë. Është zgjedhur si një festival nderi i kulturës dhe turizmit nga Ministria e Kulturës, Sporteve dhe Turizmit që prej vitit 2020. Kërcimtarët më të mirë do të mblidhen dhe do të konkurrojnë në mënyra të ndryshme në Festivalin e Vallëzimit”, shkruhet në adresën elektronike të ngjarjes.

Në edicionin e kaluar, ngjarja ishte hapur më 5 tetor dhe kishte vazhduar aktivitetin deri më datë 9 të atij muaji.

Prej tash, Festivali Botëror i Vallëzimit në Kore të Jugut paralajmëron eksperiencë të paharruar dhe emocionuese për interpretuesit e publikun.

“Do të kujdesemi të krijoni kujtime emocionuese dhe përvojë emocionuese me atraksionet për vizitorët. Shumë gjëra për të shijuar, duke përfshirë konkursin e kërcimit ku çdokush mund të marrë pjesë, pavarësisht nga mosha apo gjinia. Një paradë në shkallë të madhe në të gjithë qendrën e qytetit dhe një konkurs ndërkombëtar kërcimi ku ju mund të shikoni valle nga e gjithë bota në një vend”, shkruhet në prezantimin e ngjarjes.

Konfirmimi i pjesëmarrjes së Baletit Kombëtar të Kosovës në këtë festival vjen si afirmim se sivjet institucioni, bashkë me shfaqjen në New York dhe atë në Lisbonë, i përkushtohen prezantimit të kulturës së Kosovës në skenën ndërkombëtare.

Aktivitetin për sivjet e nisi me shfaqjen bashkëkohore “Rebounds: A BasketBallet” me koreografi të dyshes Friederike Lampert dhe Jochen Roller. Premiera e 15 shkurtit ishte një lojë që bashkonte baletin dhe basketbollin. Edhe kjo shfaqje është paralajmëruar se do të jepet për publikun gjerman e atë zviceran. Shfaqja erdhi pas një produksioni madhor, atë të “Arrëthyesit” klasik me muzikë të Tchaikovskyt e koreografi të Ilir Kernit, për të cilin u desh të rezervohej një sallë private për prova, premierë e reprizë.