Për publikun në Graz, Baleti Kombëtar i Kosovës nuk është i panjohur. Kësaj radhe është rikthyer atje me “Terminal”, e pas shfaqjes në “Internationale Bühnenwerkstatt und Tanztheater Festival”, duartrokitjet e kanë rikthyer trupën disa herë në skenë. “Ajo pjesë është kryer me sukses, tash po vazhdojmë për në Romë”, ka thënë zëvendësuesi i drejtorit të BKK-së, Kreshnik Musolli. “Gjithçka ka shkuar shumë mirë, pritja ka qenë shumë e mirë, publiku ka qenë i fascinuar. Nuk është hera e parë që jemi prezentë atje, është hera e katërt ose e pestë që institucioni i Baletit është pjesë e këtij Festivali, për shkak të shfaqjeve të mira dhe bashkëpunimit që kemi ndër vite”, ka thënë balerini Sead Vuniqi
Grazi i Austrisë është një prej ndalesave të fundit të turneut ndërkombëtar të Baletit Kombëtar të Kosovës. Në qytetin që njihet për skenën e zhvilluar të artit bashkëkohor, trupa shtetërore e baletit ka prezantuar shfaqjen “Terminal” në kuadër të edicionit të 35-të të festivalit “Internationale Bühnenwerkstatt und Tanztheater Festival”, duke e çuar vallëzimin bashkëkohor vendor para publikut austriak që e ka mbushur hapësirën “Kristallwerk”.
Shfaqja me koreografi të Evgeny Kozlov dhe Romane Petit ka shpalosur atje metaforën e njeriut në lëvizje dhe udhëtim të përhershëm. Përmes një gjuhe bashkëkohore të lëvizjes, “Terminal” trajton tranzicionet e jetës, pritjen, nisjet dhe mbërritjet, duke e vendosur njeriun në qendër të një udhëtimi të vazhdueshëm fizik dhe emocional. Në konceptin e veprës, terminali shndërrohet në një hapësirë simbolike ku përballen e kaluara dhe e ardhmja, ku secili individ bart historinë e tij në kërkim të destinacionit të radhës.
Për këtë rrëfim të transmetuar nëpërmjet gjuhës së trupit, balerini Sead Vuniqi, i cili ka qenë edhe asistent i koreografëve, Evgeny Kozlov dhe Romane Petit, ka thënë se publiku austriak e ka bërë trupën e baletit të kthehet disa herë në skenë. E BKK-ja s’është e panjohur atje. Në po të njëjtin festival, në gushtin e vitit 2023 do të prezantohej me “Correr o Fado” nën koreografi të Daniel Cardosos.
“Shfaqja u prit me duartrokitje të shumta dhe na është dashur të kthehemi disa herë në skenë për t’u përshëndetur me publikun”, ka thënë ai.
Pikërisht tematika e saj e ka bërë “Terminalin” të përshtatshëm për programin e festivalit austriak, një ngjarje me traditë mbi tri dekadash në vallëzimin bashkëkohor dhe teatrin e vallëzimit, e cila çdo vit mbledh artistë, trupa vallëzimi dhe pedagogë nga vende të ndryshme të botës. Përveç shfaqjeve, festivali organizon punëtori profesionale dhe klasa baleti, duke u konsideruar si një platformë e rëndësishme e shkëmbimit artistik në Evropë.
Edhe
Baleti në ndërkombëtarizim të trefishtë në Austri e Itali
Zëvendësuesi i drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës, Kreshnik Musolli, ka thënë se prezantimi në Graz ka qenë tejet i suksesshëm dhe se publiku e ka pritur ngrohtë produksionin e BKK-së.
“Shfaqja ka shkuar shumë mirë, ka pasur publik shumë. Ajo pjesë është kryer me sukses, tash po vazhdojmë për në Romë. Gjysma e ekipit ka mbërritur atje nga Prishtina. Nesër në mbrëmje kemi prova dhe shfaqja është pasnesër më datë 18, pastaj vazhdojmë në Lecce ku udhëtojmë me datë 19”, ka thënë ai.

Sipas tij, “Terminal” ka qenë përzgjedhja e organizatorëve të festivalit.
“Ka qenë shumë i kënaqur publiku, u ka pëlqyer shumë. Është shfaqje e përshtatshme për atë lloj të festivalit. Festivali e ka bërë zgjedhjen për këtë shfaqje”, ka thënë Musolli.
Balerini Sead Vuniqi, ka treguar se pjesëmarrja në festival është rezultat i bashkëpunimit shumëvjeçar me organizatorët.
“Për shkak të marrëdhënieve të mira që i kam me këtë festival dhe ftesat e tyre të vazhdueshme për të qenë pjesë e punëtorive e klasave të baletit, këtë herë kam vendosur ta sjell edhe trupën e Baletit Kombëtar të Kosovës. Gjithçka ka shkuar shumë mirë, pritja ka qenë shumë e mirë, publiku ka qenë i fascionuar. Nuk është hera e parë që jemi prezentë atje, është hera e katërt ose e pestë që institucioni i Baletit është pjesë e këtij Festivali, për shkak të shfaqjeve të mira dhe bashkëpunimit që kemi ndër vite”, ka thënë ai.
Edhe
“Terminali” i Baletit në Çeki – mundësi larg improvizimeve në Prishtinë
Pjesëmarrja e tij në Graz nuk është kufizuar vetëm me Baletin Kombëtar të Kosovës.
“Kam udhëtuar në Graz më datën 3 pasi e kam bërë edhe një shfaqje tjetër me një bashkëkrijuese nga Berlini. Kemi pasur ta performojmë atje, kjo quhet ‘Cloud’. Ka qenë një koncept shumë i bukur, koncept i saj, por e kemi bashkëkrijuar. Gjithashtu, kam qenë edhe profesor i klasave të baletit”, ka treguar Vuniqi.
Nga Grazi, trupa nga Kosova e ka marrë rrugën drejt Italisë. Tashmë veçse është atje. Më 18 korrik do ta prezantojë “Carmina Burana” në “Teatro Grande” të Akademisë Kombëtare të Vallëzimit në Romë, ndërsa më 20 korrik do të performojë në “Ex Convento dei Teatini” në Lecce.
“Për herë të parë në histori do ta prezantojmë kulturën e Kosovës në Romë. Është një teatër në ambient të hapur, që është teatri i Akademisë Kombëtare të Vallëzimit në kryeqytetin italian. Jemi shumë të entuziazmuar të paraqitemi atje. Në Lecce është një vend shumë i bukur, historik. Interesimi është shumë i madh, në Romë brenda gjashtë ditëve janë rezervuar 600 bileta, edhe në Lecce po vazhdon promocioni. Atje është teatri pak më i vogël, besoj se do të kemi goxha publik”, ka thënë Musolli.
“Carmina Burana”, me koreografi të artistit italian Toni Candeloro dhe muzikë të Carl Orffit, është një nga produksionet më të suksesshme të viteve të fundit të Baletit Kombëtar të Kosovës. Shfaqja, që trajton temat universale të fatit, dashurisë dhe fuqisë njerëzore, sivjet është prezantuar me sukses edhe në El Salvador dhe Kolumbi, ku në gjashtë shfaqje të mbajtura në katër qytete është ndjekur nga rreth 5 mijë e 500 spektatorë.
“Janë të rëndësishme shumë, sepse përpos që e prezantojmë institucionin, pra Baletin Kombëtar të Kosovës, prezantojmë edhe kulturën e shtetin në përgjithësi. Sidomos në vendet që kemi qenë në maj, në Kolumbi dhe në El Salvador, kemi rritur prezencën e Kosovës atje, që realisht nuk ka pasur ndonjëherë aktivitete të këtij kalibri. Vetëm në ato shfaqje, që kanë qenë gjashtë në total, në katër qytete, kemi arritur ta prezantojmë shfaqjen para 5 mijë e 500 personave. Të gjithë kanë qenë audiencë lokale dhe të gjithë ata kanë mësuar se ka një shtet që quhet Kosovë. Kanë mësuar që Kosova është një shtet goxha serioz dhe ka institucione serioze të kulturës që mund të prezantohen kudo në botë”, ka thënë Musolli.
Edhe
Baleti synon vit të projekteve të reja e udhëtimeve si ikje nga realiteti
Turneu ndërkombëtar do të vazhdojë edhe në muajin gusht, kur Baleti Kombëtar i Kosovës do të marrë pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të Baletit në Bodrum të Turqisë. I organizuar nga Opera dhe Baleti Shtetëror Turk, festivali konsiderohet një nga ngjarjet më prestigjioze të vallëzimit në rajonin e Mesdheut dhe zhvillohet tradicionalisht në skenën e hapur të Kalasë së Bodrumit, një monument i shekullit XV që gjatë verës shndërrohet në një teatër spektakolar për produksione të baletit dhe operës.
Në këtë festival, Baleti Kombëtar i Kosovës do të prezantojë dy produksione të repertorit të tij bashkëkohor, “Correr o Fado” me koreografi të Daniel Cardoso dhe “Bolero” me koreografi të Mehmet Balkanit, duke prezantuar krijimtarinë e institucionit në skenat ndërkombëtare të vallëzimit.