Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Kongresi i SHBA-së, nikoqir i rrëfimit për të pagjeturit në Kosovë

Prishtinë, 29 prill – Krejt ata që do të hyjnë të martën në ndërtesën e Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të mundë të shohin një copë Kosove. Bëhet fjalë për njërën nga historitë më të dhimbshme të popullit të Kosovës: çështjen e të pagjeturve.

Një nga hapësirat e Kongresit të Washingtonit do të vishet me rrëfimet e familjarëve që tash e 20 vjet nga përfundimi i luftës në Kosovë presin informata për të zhdukurit. Përderisa të martën ekspozita “Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve” do të qëndrojë e hapur në Kongresin e ShBA-së, të mërkurën më 1 maj, ajo do të jetë e hapur në “National Press Club” po ashtu në Washington. Kësisoj për herë të parë çështja e të pagjeturve e përmbledhur në gjuhën e artit, do të shpaloset në institucionet e atyre që kanë pasur rolin vendimtar në çlirimin e Kosovës nga agresioni serb më 1999. Qysh javën e kaluar gazeta kishte raportuar se ekspozita e organizuar nga organizata “Integra” dhe e kuruar nga Eliza Hoxha do të jetë e pranishme në njërën prej ndërtesave më të rëndësishme të shtetit amerikan. Tashmë, organizatorët e kanë konfirmuar lokacionin.

“Gjatë ditës së hënë ekspozita do të bëhet gati, kurse të martën do të jetë e hapur në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Kushtrim Koliqi, drejtor ekzekutiv i “Integras”. Ashtu siç qëndron në Kuvendin e Kosovës – ku prej 15 shkurtit një korridor është shndërruar në një lloj tuneli të errët sikurse informacionet e zymta për të pagjeturit – një format i ekspozitës do të jetë edhe në dy institucionet amerikane. Kongresmenët amerikanë që kanë mbështetur çlirimin e Kosovës do të mundë të shohin një histori të shtetit më të ri në Evropë. Do të jetë historia e atyre për të cilët lufta ende nuk ka përfunduar. Do të kenë përballë disa prej përshkrimeve që ua bëjnë familjarëve të tyre ata që për herë të fundit i kanë parë më 1998 e 1999.

Rrëfimet e shkruara e plotësojnë mozaikun e ekspozitës. Në tavan, ashtu sikurse në ekspozitën në Prishtinë, do të qëndrojnë të varur 1.653 çelësa si simbolikë e një çështjeje që nuk është mbyllur ende.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")