Prishtinë, 23 prill – Drama me kujtimet e të pagjeturve të luftës së fundit në Kosovë nëpërmjet gjuhës së artit do të shpaloset edhe përtej Atlantikut. Do të shkojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Washingtoni i ka bërë vend ekspozitës “Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve”, që ishte hapur në Kuvendin e Kosovës më 15 shkurt të këtij viti. Organizatorët nuk kanë bërë të ditur për lokacionin e saktë, por gazeta ka marrë vesh se bëhet fjalë për njërin prej objekteve më të rëndësishme shtetërore amerikane. Do të jetë dyditore.
“Lokacioni dhe koha e hapjes do të bëhen të ditura më vonë”, ka thënë të hënën Kushtrim Koliqi, drejtor ekzekutiv i organizatës “Integra”, e cila është organizatore e ekspozitës.
“Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve” nëpërmjet disa elementeve kishte bërë që një korridor i Kuvendit të Kosovës të shndërrohej në një lloj tuneli, duke krijuar ndjesinë errësirës, sikurse fati i pritjes për ndonjë lajm për të pagjeturit e luftës së fundit.
“Besoj që ekspozita nuk është vetëm zhurmë në këtë objekt të rëndësishëm për vendimmarrje, por është britmë me shpresën që ehoja e kësaj britme do të shkojë në vesh e në zemrat e njerëzve që marrin vendime këtu. Për familjarët e personave të pagjetur lufta nuk ka përfunduar”, kishte thënë në hapje udhëheqësi i “Integras”, Kushtrim Koliqi. Por tashmë një gjë është e sigurt: britma do të shkojë deri në ShBA.
Koliqi ka thënë se projekti tashmë është në kulmin e vet. Sipas tij, krejt ideja për këtë ekspozitë i ka pasur target politikbërësit apo njerëzit me influencë për çështjen e të pagjeturve.
(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")