Pritje e pafund, dashuri të lëna peng, dhimbje e kujtime që nuk shuhen e shpresa se një ditë do të mësojnë diçka për fatin e familjarëve të tyre të pagjetur. Kjo është përditshmëria e shumë familjeve të Kosovës së pasluftës.
“I shihsha në ëndërr që po vijnë të dytë, folsha me ta”, “Së paku t’u kisha thënë udha e mbarë”, janë disa prej fjalëve të familjarëve, rrëfime të cilat mbesin të mbyllura në shtëpitë e tyre.
Rrëfimet e shoqëruara me fotografi të familjarëve që vazhdojnë të jenë në ankth për gjendjen e më të dashurve të tyre, janë ekspozuar në hapësirën e Kuvendit të Kosovës, institucioni i cili konsiderohet që mund të ndikojë në zbardhjen e fatit të të pagjeturve, raporton “Express” i KTV-së.
“Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve” është ekspozitë ku të pagjeturit dhe familjarët e tyre nuk janë paraqitur vetëm si numra e statistika.
Instalacioni i prezantuar, ku mbizotërojnë fotografitë bardh e zi dhe shkrimi në hapësirat e zeza, ka sjellë çështjen e të pagjeturve nga lufta në Kosovë në një perspektivë tjetër.
Edhe
Thesari i artit të Kosovës si dialog kohësh e ringjalljeje bashkë me Galerinë
1653 çelësa të varur për çdo të pagjetur nga lufta prezantojnë shtëpitë e familjarëve që janë ende në pritje, duke e bërë këtë ekspozitë edhe më emocionale e prekëse.
Secila fotografi e kësaj ekspozite të formatit bardh e zi, parqet dramë te publiku.
Plagë e pashëruar vlerësohet të jetë fati i personave që llogaritet të jenë të zhdukur, si pasojë e luftës së fundit, e zhvilluar dy dekada më parë në Kosovë.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës fajësoi Serbinë për këtë çështje tragjike, duke mos treguar se a do të ketë ndonjë zhvillim në zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.
“Mos i largoni, leni kështu, duke i pa çdo ditë ato fytyra të familjarëve e duke i pasë ata çelësa mbi kokë, ndoshta bëjnë diçka”... fjali e thënë nga një pjesëmarrës i cili e quajti veten të padenjë të flasë për këtë temë, duke u ndier në faj që të gjithë familjarët e tij i kanë mbijetuar luftës.
Edhe
“Sy më sy” rrëfen me bebëzat e të dhunuarve në luftë
Të paraqesësh tragjedinë e një populli të tërë përmes artit është sfidë për çdo artist, ndërsa “Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve” arriti të përçonte te publiku emocione të vërteta.
“Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve” do të qëndrojë e ekspozuar për publikun deri më 30 prill.