Salla e sporteve në Pallatin e Rinisë ishte hapësira “laborator” e Ministrisë së Kulturës ku u dëshmua kapaciteti për formimin e një trupe të re orkestrale, korale dhe të baletit që do të ishte Opera e Kosovës. Mirëpo në vend ende nuk ekziston një shtëpi operistike e as skenë adekuate për realizmin e shfaqjeve të këtij karakteri. Koncerti i së dielës u veçua për një program ekskluzivisht operistik. U quajt koncert inaugurues i Operës së Kosovës, që ekziston vetëm nëpërmjet një vendimi. Me dëshmi se vendi posedon talentë, të pranishmit kanë uruar që institucioni i ri të ketë ndërtesë të veten e po ashtu të funksionalizohet me staf profesional
Një ndërtesë e denjë, një trupë e konsoliduar dhe premiera e një opere të përgatitur posaçërisht për atë ditë, do të ishte skenari për inaugurimin e institucionit të Operës së Kosovës. Në Prishtinë, të dielën mbrëma, ky skenar është përmbysur. Pa objekt, me një trupë që dëshmon potencialin e vendit, dhe me vepra që japin ndjesinë e interpretimeve operistike, është bërë inaugurimi i institucionit më të ri kulturor të vendit. Koncerti inaugurues “Opera gala” doli test deri diku i suksesshëm për të matur kapacitetet artistike për një institucion të ri, konkretizimi i plotë i të cilit është ende larg. Dy institucione të nivelit qendror bashkë me artistë të tjerë vendorë dhe ata që kanë karrierë ndërkombëtare u bënë bashkë për ngjarjen që ishte edhe festë.
Kthimi i vëmendjes te loja operistike
Salla e sporteve në Pallatin e Rinisë ishte hapësira “laborator” e Ministrisë së Kulturës ku u dëshmua kapaciteti për formimin e një trupe të re orkestrale, korale dhe të baletit, që do të ishte Opera e Kosovës. Mirëpo në vend ende nuk ekziston një shtëpi operistike e as skenë adekuate për realizmin e shfaqjeve të këtij karakteri. Koncerti i së dielës u veçua për një program ekskluzivisht operistik, që u pasurua edhe me duetin e Dodës dhe Mrikës - interpretuar nga sopranoja Kaltrina Miftari dhe tenori Liridon Sadriu – nga opera e parë shqiptare “Mrika” e Prenk Jakovës, që është shfaqur të parën herë më 1958 në teatrin “Migjeni” në Shkodër. Po ashtu, edhe me uverturë nga opera e parë shqipe në Kosovë, “Goca e Kaçanikut” e Rauf Dhomit, e cila i dedikohet dashurisë së Trimorit dhe Pafikës në periudhën e luftës kundër osmanëve në Kaçanik. Operë kjo që nuk ka parë akoma një inskenim të plotë. Jo pak vend ka zënë edhe “Të falemi o dhe” nga opera “Dasma Arbëreshe” po ashtu e Dhomit e që si e plotë e pati shfaqjen në vitin 2003. Të tri këto pjesë u dirigjuan nga Edon Ramdani, i cili ndau pozitën e dirigjentit bashkë me italianin Leonardo Quadrini.
Kompozitori i vetëm i operës në vend, Rauf Dhomi, i cili ishte i pranishëm në koncert, ka thënë se interpretimi ishte i shkëlqyeshëm dhe ka tejkaluar pritshmëritë e tij.
“Interpretimi ishte i shkëlqyeshëm, nuk e pritja në këtë nivel. Edhe pse dirigjenti Ramadani është i ri në këtë lëmi, me mjaft sukses ishte shumë në nivel. Një interpretim jashtëzakonisht i mirë jo vetëm i veprave të mia, por edhe i tërë koncertit. Ekzekutimi ishte operistik, vetëm mungonin loja skenike dhe skena”, ka thënë ai.
Sipas tij, koncerti është një vazhdimësi e tendencave për të venë në jetë institucionin e Operës. Ka potencuar se gjithçka kishte nisur në vitin 2004, kur ishte themeluar Opera e parë e Kosovës si sektor në kuadër të Filharmonisë së Kosovës pikërisht pas inskenimit të “Dasmës Arbëreshe”. Megjithatë, ndër vite bashkë me projektet e ligjet që synonin funksionimin ligjor dhe planet për ndërtimin e shtëpisë operistike, vazhdimisht opera kishte rrugëtuar kryesisht me iniciativa të Filharmonisë së Kosovës. Si në vitin 2009, kur u inskenua opera “Rita” e në vitin 2013 kur u inskenua opera “Il Canto dell Amore Tronfante”. Por pas kësaj qetësie, vendimi i gushtit të sivjetmë për themelimin e institucionit të Operës së Kosovës bashkë me koncertin, sikur kanë ngjallur shpresat edhe te Dhomi për një trajtim më të denjë të kësaj forme të ndërlikuar muzikore e skenike.
“Tash duhet organizimi rreth formimit të trupës operistike. Është emëruar drejtori i përkohshëm (v.j zëvendësuesi i detyrës së drejtorit të Operës së Kosovës, Meriton Ferizi) dhe besoj që me forcën që e ka ky drejtor dhe në bashkëpunim e me lejen e Ministrisë shpejt do ta shohim një premierë të operës”, ka thënë ai.

Potenciali për kuadro
Koncerti u veçua edhe me fragmente e arie të operave të tjera të njohura të kompozitorëve me nam. Sopranoja Besa Llugiqi solli “Regnava nel silenzio” nga opera “Lucia di Lammermoor” e Gaetano Donizetti. Tenori Liridon Sadriu interpretoi “De’ miei bollenti spiiti” nga opera “La Traviata” e Giuseppe Verdit, pastaj Adelina Paloja nën dirigjim e Leonardo Qadrinit solli “Follie! Follie!...Sempre Libera” nga opera “La Traviata” e Giuseppe Verdit. Pos arieve u interpretua edhe uvertura nga opera “Dasma e Figaros” e Wolfang A. Mozart, sopranoja Zana Abazi interpretoi “Je veux vivre” nga opera “Romeo dhe Zhulieta” e Charele Goundo e sopranoja Arta Jashari interpretoi “Tu, tu, piccolo Iddio” nga opera “Madama Butterfly” e Puccinit.
Ishte kompozitori Georges Bizet ai që solli në skenën e improvizuar Trupën e Baletit të Kosovës për një pjesë nga opera “Carmen” të shoqëruar nga orkestra. Ishte një copëz nga shfaqja “Carmen” me koreografi të ruses Natalia Osipova, që ishte dhënë premierë nga BKK-ja para disa vjetësh. E më pas doli mexosopranoja Flaka Goranci për “Habanera” po ashtu nga opera “Carmen” që u pasua me “Toreador” po ashtu nga kjo operë interpretuar nga baritoni Armando Likaj, sopranoja Elona Sadiku dhe mexosopranoja Teuta Kurti.
Mexosopranoja Flaka Goranci ka thënë se për të ka qenë një ndjenjë e veçantë këndimi për inaugurimin e institucionit të Operës të Kosovës. Sipas saj, kjo mbrëmje arrin të krahasohet me koncerte shumë me të mëdha që zhvillohen në vende të tjera dhe të tilla që marrin epitetin si gala-koncerte.
“Mendoj që tash na pret një punë mjaft e madhe. Ne kemi parë që kemi gjithë trupën për të krijuar një shtëpi të operës dhe mendoj se patjetër do të jetë punë e madhe e Qeverisë për të arritur të ndërtojë shtëpinë, një objekt si secili institucion që e ka shtëpinë e tij”, ka thënë ajo.
Koncerti u përmbyll më “Brindisi” nga opera “La Traviata” nga grupi i solistëve – Armando Likaj, Flaka Goranci, Arta Jashari, Zana Abazi, Kaltrina Miftari, Liridon Sadriu, Adelina Paloja dhe Besa Llugiqi – të shoqëruar nga orkestra, por edhe nga Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës.
Koncerti u realizua në bashkëpunim me Filharmoninë e Kosovës. Një pjesë e artistëve ishte përzgjedhur nga një konkurs që u mbyll në fund të shtatorit e që Ministria e Kulturës e kishte quajtur “konkurs për angazhim në koncertin inaugurues të institucionit të Operës së Kosovës”. Kërkonte 101 pozita për instrumentistë e koristë, megjithatë numri nuk ishte plotësuar.
Sopranoja Inva Mula, e cila ishte pjesë e Komisionit vlerësues, e ka cilësuar koncertin si të mrekullueshëm.
“Ishte një koncert shumë dinjitoz që tregonte vlera të larta profesionale dhe nuk dukej sikur një fillim. Dukej si një kulminacion i një pune pavarësisht që kjo nuk është një trupë e konsoliduar, por i ka të gjitha mundësitë që të bëhet një trupë, të bëhet një teatër që do t’i shërbejë të ardhmes. Mendoj që kishte vite që Kosova e meritonte një gjë të tillë, prandaj do ta quaj këtë koncert historik”, ka thënë ajo.
Sipas saj, trupa potenciale e Operës do të gjejë mbështetjet të institucionet që tashmë kanë dëshmuar veten në vend e përtej.
“Kjo trupë e re do të mbështetet edhe me anëtarë të Filharmonisë për arsye se ato kanë edhe repertorin, kanë edhe një jetëgjatësi në skenë dhe kanë edhe eksperiencën. Gjithmonë kur hapen trupa të reja duhet të kenë edhe eksperiencë nga një trupë ekzistuese. Është edhe një mundësi për artistët e rinj që të kenë mundësi ku të këndojnë, ku të performojnë dhe ku të punojnë”, ka thënë ajo.

Gala-koncerti me improvizime
Zëvendësuesi i drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës, njëherësh balerini Kreshnik Musolli, ka thënë se koncerti u ka dhënë ndjesinë e të përjetuarit sesi është të realizosh një vepër operistike që përbehet nga shumë komponente si drama, koreografia, skenografia, kënga vokale e të tjera, të gjitha me natyrë të ndryshme artistike dhe mënyra të shprehjes kreative.
“Për mua është një ndjenjë shumë e veçantë që kemi arritur me shumë sukses që t’i realizojmë dy pika që i patëm në bashkëpunim me Orkestrën dhe Korin e Filharmonisë. Ishte një gjë shumë pozitive që pak a shumë të kemi atë ndjenjën se si është të bësh një vepër të operës edhe pse ishin pika të ndryshme nga shumë vepra botërore, por në fund të fundit e pa edhe publiku që ka vlera në Kosovë, ka super talente, super instrumentistë, super balerinë, dhe mund të kemi të ardhme shumë të ndritur në këtë drejtim”, ka thënë ai.
Por ka shtuar se historia e operës duhet të shkruhet në një objekt adekuat për këtë format të ndërlikuar muzikor.
“Këtë koncert mund ta quajmë një improvizim të koncertit pasi që jemi në një sallë të sporteve dhe është momenti i fundit që Qeveria ta kuptojë që na duhet patjetër teatri i operës dhe baletit, që të paktën të fillojmë dalëngadalë t’i përshtatemi botës me vepra të ndryshme të operës, baletit e kështu me radhë, që të kemi një teatër si duhet dhe të mos bëjmë improvizime të tilla”, ka thënë Musolli.
Premtimi për teatër të operës
Vetë kryeministri i vendit, Albin Kurti, sa i përket objektit ka thënë se do të punojnë me krejt çka dinë dhe munden për ta bërë atë sa më shpejt të mundshëm.
“Sonte u dëshmua se ne kemi përmbajtje, kemi substancë, i kemi talentët tonë që kanë bërë shumë punë, kemi organizim të jashtëzakonshëm që erdhi deri te kjo mbrëmje historike për kulturën dhe artin tonë, meqenëse opera është shumë e vështirë, e këta ia kanë dalë fort mirë”, ka thënë ai. Pos kësaj, ka komentuar edhe gjëra shumë profesionale, si konstatimi se halli që kishte për akustikën doli më mirë se që e kishte menduar.
“Veçse natyrisht se ky art i lartë e do edhe një infrastrukturë adekuate dhe ne pa humbur kohë do të bëjmë hulumtimet për vendin me të mirë të mundshëm dhe gjithashtu për karakteristikat e nevojshme. Pra, meqë jemi në përfundim të këtij viti, pa dyshim që vitin e ardhshëm do të fillojmë përgatitjet ashtu që sa më parë të krijojmë kushtet për atë që dëshmuam sonte se nuk ngelim prapa vendeve të rajonit e mbase edhe më gjerë se kaq”, ka thënë Kurti.
Angazhim i 200 vetave
Mirëpo zërimi në hapësirën ku ishin të vendosura mediat, në krye të tribunës, linte shumë për të dëshiruar në raport me përgatitjet që janë bërë nga krejt ekipi, duke përfshirë regjisoret Burbuqe Berisha dhe Zana Hoxha. Berisha vdiq të mërkurën e javës së kaluar. Nuk arriti ta shohë rezultatin e punës së saj.
“Ne siç e dimë nuk kemi regjisorë të specializuar për opera. Kjo nuk është operë, është një koncert inaugurues i operës, mirëpo ka pasur shumë punë organizative. Këto që i shihni sonte dhe në këtë angazhim kanë punuar më shumë se 200 persona dhe unë kam qenë një nga personat që është marrë me gjithë këta njerëz, por ka qenë një koordinim fantastik me grupin punues që është themeluar nga Ministria e Kulturës”, ka thënë Hoxha.
Ka treguar se kjo ishte sfidë për të pasi po e bënte një gjë të tillë për herë të parë.
“Ne si regjisore kemi filluar procesin fillimisht me grupin punues që ju të shihni një sallë të tillë e cila siç e dini nuk ekziston, por është bërë enkas për këtë koncert, pastaj realizmi i aspektit vizual, jemi marrë me detajet e videos që i keni parë, me detajet e skenës, pra të gjitha kanë qenë punë që nuk janë në sensin regjisorial si në shfaqje apo filma, por më shumë ne sensin për një ngjarje që është koncertale dhe për televizion”, ka thënë ajo. Realisht në pamje televizive mund të dukej alamet skene. Por në fund të koncertit ngeli sallë sportive. Pas gjithë atij glamuri, realiteti u vu në pah me kthimin e pulteve në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, vendi ku Filharmonia e Kosovës i mban koncertet.
Në anën tjetër, pos Këshillit përgatitor për inicimin dhe funksionalizimin e Operës dhe emërimit të zëvendësuesit të drejtorit, institucioni ngelet vetëm një vendim në letër. Stafi e hapësira ku do të funksionojnë bashkë me buxhetin që do të kenë nuk dihen. E historitë me inaugurime Kosova i ka goxha jo shpresëdhënëse. Janë mbi një milion euro të cilat janë shpenzuar kot me qëllim të ndërtimit të teatrit të operës dhe baletit “Dr. Ibrahim Rugova”. Bile me 2009, Filharmonia bashkë me Baletin kishin interpretuar në vënien e gurit themeltar. Prej atëherë e deri më tash nuk është bërë asnjë hap për ndërtimin e atij objekti. Ka kaluar mbi një dekadë. E sa do të pritet për ndërtesë e punonjës të rregullt të Operës pas koncertit inaugurues të së dielës nuk dihet ende.