Pas vizitës së presidentes Ursula von der Leyen në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Komisioni Evropian ka lëshuar fonde për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut si pjesë e Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor. Ndërkohë, Kosova vazhdon të humbë miliona meqë ende nuk ka përfituar nga kjo paketë miliardëshe për shkak të mungesës së institucioneve. BE-ja i ka kërkuar Kosovës që të themelojë institucionet e reja pas zgjedhjeve të shkurtit në mënyrë që të bëhet lëshimi i mjeteve.
Komisioni Evropian ka njoftuar sot se ka miratuar vendimin për pagesat e reja për Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi nga paketa e Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Do të jenë këto pagesat e dyta për këto vende të rajonit, pasi që ato kohë më parë kishin përfituar mjete nga parafinancimi.
Shqipëria kësaj radhe do të marrë pagesën prej afro 100 milionë eurosh, më saktësisht 99.3 milionë euro.
Kosova dhe Bosnja e Hercegovina mbeten kështu të vetmet vende të rajonit që akoma nuk kanë qenë në gjendje të përfitojnë asgjë nga kjo paketë. Bosnja e Hercegovina nuk e ka të miratuar Planin e Rritjes dhe agjendën e reformave, ndërkohë që Kosova ishte ndër vendet e para për të cilat Komisioni e pati aprovuar një agjendë të tillë qysh në vjeshtën e vitit të kaluar. Por pagesat për Kosovën nuk janë të mundura pasi në Kosovë nuk ka institucione që me BE-në do të bënin marrëveshje formale, e ajo marrëveshje do të kalonte me 2/3 me ratifikim në Kuvendin e Kosovës.
Kështu, për shkak të krizës institucionale që po vazhdon në Kosovë, Kosova s’është në gjendje të marrë pagesat nga ky plan edhe pse kushtet teknike dhe formale kohë më parë i kishte përmbushur.
Për Komisionin Evropian është me rëndësi që vendet e rajonit të përfitojnë nga kjo paketë sepse ajo ndihmon reformat, zhvillimin ekonomik dhe mund të përshpejtojë edhe integrimin e tyre në Bashkimin Evropian.
Komisioni Evropian ka tërhequr vërejtjen në disa raste se kjo paketë është e veçantë dhe se ajo ka edhe afat të kufizuar kohor. Mjetet që nuk do të përdoren nga ndonjë vend i rajonit do të shkojnë për ato vende që i përmbushin kushtet.