Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar mbajtjen e dy seancave të shqyrtimit fillestar për raste të krimeve të luftës në Kosovë. Pasi të pandehurit është vlerësuar se janë të paarritshëm për organet e rendit, Prokuroria Speciale ka kërkuar që gjykimet të zhvillohen në mungesë. Njëri rast lidhet me krimet e kryera në Burgun e Prishtinës, ndërsa tjetri me ato në territorin e komunës së Gjilanit
Dy seanca të shqyrtimit fillestar për veprën penale “Krime Lufte kundër Popullsisë Civile” do të mbahen në dhjetor të këtij viti.
Prokuroria Speciale ka kërkuar që gjykimet të mbahen në mungesë të të akuzuarve.
Njëri rast ka të bëjë me krime lufte në Burgun e Prishtinës dhe paraleles së saj në Lipjan, e tjetri me ato në territorin e komunës së Gjilanit.
Për të dyja rastet ku përfshihet periudha 1998-99, akuzohen nga 3 serbë.
Në rastin e Prishtinës, akuzohen ish-drejtori i burgut Lubomir Çimburoviq dhe dy gardianët Predrag Bradiq e Milivoje Iviq. Sipas aktakuzës, ata me shkopinj gome, shufra metalike, kabllo elektrike, gypa të ujit e gjësende të tjera kanë rrahur të burgosurit shqiptarë deri në alivanosje.
“Ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri Lubomir Çimburoviq në cilësi të personit zyrtar-drejtor i burgut të Qarkut në Prishtinë, gjatë periudhës së konfliktit të armatosur, përkatësisht luftës në Kosovë 1998-1999, në Burgun e Prishtinës dhe në paralelen në Lipjan, në bashkëkryerje edhe me zyrtarë të tjerë: Predrag Bradiq e Milivoje Iviq, gardianë të Burgut të Prishtinës duke i torturuar në mënyre çnjerëzore me mjete të ndryshme si shkop gome, shufra metalike, kabllo elektrike, gypa të ujit, shqelma e grushte deri në alivanosje, duke iu shkaktuar lëndime trupore, ashtu siç e shpjegojnë vetë viktimat, se pas këtyre rrahjeve kishin pasur dhimbje të mëdha në gjithë trupin, dhunë psikike, ashtu që i kanë lënë pa ngrënë për gati 1 javë, i kanë kanosur seriozisht për jetë e si pasojë e kësaj dhe rrahjeve të vazhdueshme kanë pësuar gjendje ankthi”, thuhet në aktakuzë.
E për krimet e luftës ndaj shqiptarëve në rastin e Gjilanit do të gjykohen në mungesë Dushan Gavraniq, Zharko Cvetanoviq dhe Zoran Sara.
Sipas Prokurorisë, Dushan Gravraniq, në periudhën janar–korrik 1999, si shef i Sekretariatit të Punëve të Brendshme në Gjilan, ishte në dijeni dhe nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të parandaluar vrasjet, plagosjet e maltretimet e popullatës civile shqiptare në fshatrat Kokaj, Llovcë, Pogragjë dhe Uglar.
Në aktakuzë përmendet edhe një rast johuman i mjekut Zoran Saraq.
“I pandehuri Zharko Cvetanoviq, në bashkëkryerje me persona të tjerë, në fshatrat Inatoc (Kokaj), Llovcë, Pogragjë dhe Uglar, kishin rrahur, maltretuar, torturuar fizikisht dhe psiqikisht, e dëbuar popullatën civile. I pandehuri Zoran Saraq, në cilësinë e mjekut të Spitalit Regjional në Gjilan, më 5 prill 1999, pasi Muharrem dhe Hafiz Rashiti e dërguan në spital babanë e tyre, i cili ishte i plagosur, posa e kupton që i plagosuri është shqiptar, i urdhëron dy djemtë e të plagosurit që të largohen nga spitali, duke mos i ofruar asnjë ndihmë mjekësore. I plagosuri nga plagët e marra, në orët e mbrëmjes ndërron jetë në shtëpinë e tij, në fshatin Pogragjë”, thuhet në aktakuzë.
Prokuroria Speciale gjatë vitit 2024 ka ngritur 14 aktakuza ndaj 25 serbëve të dyshuar për krime lufte. Nga to, gjashtë aktakuza janë ngritur në mungesë të 11 të pandehurve, ndërsa shtatë të tjera ndaj 13 të arrestuarve.
Gjykimet në mungesë janë mundësuar pas ndryshimeve të bëra në Kodin e Procedurës Penale.