Janë dy përfundime të para që do të mund të nxirreshin prej koncertit të Filharmonisë së Kosovës në Izmir: dëshmi e suksesit të këtij institucioni edhe jashtë vendit dhe hapje bashkëpunimesh. Orkestra tashmë është kthyer në Kosovë dhe kur janë bërë tri ditë prej debutimit në qytetin turk, jehona e koncertit nuk është thjesht shpalosje mbresash. Të dielën njëra prej sallave me akustikën më të mirë në Turqi, në qendrën e artit “Ahmed Adnan Saygun”. mirëpriti Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës në Festivalin e 16-të Ballkanik të Kulturës dhe Valleve Tradicionale. Pas tri ditëve të përgatitjeve intensive me prova dy herë në ditë, për ata që u ngjitën në skenë e të tjerët në publik, instrumentistët arritën që edhe një herë ta dëshmonin nivelin e tyre. E këtë e bënë me program të pasur e të larmishëm. I ndarë në dy pjesë, programi përçoi frymë evropiane e motive vendore.
Nën dirigjimin e Gridi Krajës, publiku pati rastin të shijonte uverturën “Coriolan” nga Beethoveni dhe koncertin për piano në a-mol nga Schumani. Orkestrës iu bashkua pianistja e mirënjohur turke Yeşim Gökalp. Mjeshtëror është vlerësuar interpretimi i saj. Muzika shqipe u përfaqësua nëpërmjet veprave të kompozitorëve nga Shqipëria e Kosova. Mozaiku i muzikës simfonike shqiptare nisi shtrirjen me suitën e famshme “Skënderbeu” të Çesk Zadesë. Motive nga qyteti antik solli vepra e Lorenc Antonit, “Në Prizrenin e vjetër”. Ndërkaq pas tyre radha ishte te gjenerata e mesme dhe e re e kompozitorëve shqiptarë: Profesori dhe kompozitori Valton Beqiri u prezantua me veprën “Loja” e Hajrulla Syla me “Uverturë shqiptare”. Nuk mungoi as “Baresha” e Rexho Mulliqit, e cila erdhi në versionin orkestral dhe me solistin Shkumbin Bajraktari në klarinetë. Kulmimi qe me premierën botërore të veprës “Sinfonietta” të kompozitorit Kreshnik Aliçkaj.
Nën dirigjimin e Gridi Krajës, koncerti solli vepra botërore e shqiptare
“Ishte ky një koncert që besoj se la përshtypje te publiku këtu në Turqi, në Izmir. Aq më tepër që ne kishim soliste pianisten turke Yeşim Gökalp, e cila u prezantua me koncertin për piano të Schumanit”, kanë qenë përshtypjet e drejtorit të Filharmonisë së Kosovës fill pas koncertit. Ky debutim në Izmir vjen pas dy koncerteve paraprake të Filharmonisë së Kosovës në Ankara gjatë viteve 2012-2013.
“Natyrisht që s’ishte e lehtë përzgjedhja e programit për një koncert të tillë, bazuar në faktin që ne prezantoheshim për herë të parë në Izmir. Por, bazuar në reagimet e publikut, mikpritjen e tyre, besoj që kemi realizuar një koncert mjaft të rëndësishëm dhe edhe më tej në thellimin e marrëdhënieve të shkëlqyera që kemi me Turqinë”, u shpreh dirigjenti Jashari.
Sipas tij, kjo ftesë nga organizatorët e Festivalit është tregues i përkushtimit kulturor të të dyja palëve.
“Jemi të magjepsur me sallën koncertale këtu dhe me akustikën”, ka thënë ai.
Pianistja Yeşim Gökalp ka vlerësuar nivelin e Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës.
“Në vitin 2017 kam luajtur të parën herë me Filharmoninë e Kosovës. Ishte një rastësi e bukur. Edhe atëherë jam mahnitur nga atmosfera dhe kam menduar që Orkestra duhet patjetër të vijë në Turqi, për këtë kam dhënë mund”, ka thënë ajo, duke shtuar se ky koncert është i vonshëm për shkak të pandemisë.
Duke qenë pjesë e Orkestrës simfonike të Izmirit prej vitit 1991, ajo ka thënë se ka qenë shumë e lumtur që kanë luajtur së bashku pikërisht në Izmir. Ka veçuar interpretimin e Schumanit.
“Koncerti i Schumanit është pjesa më e dashur pianistike. E kam luajtur Schumanin edhe viteve të kaluara në Ankara, Izmir, Stamboll. Është pjesë shumë e veçantë që e kam ushtruar si studente me shumë dashuri”, ka thënë Gökalp.
Orkestrës iu bashkua pianistja e mirënjohur turke Yeşim Gökalp. Mjeshtëror është vlerësuar interpretimi i saj
Në koncert ka qenë i pranishëm edhe kryetari i Komunës Metropolitane të Izmirit, Mustafa Özulsu.
“Duke qenë se kemi ndarë tokat e njëjta, kemi pasur të përbashkëta në kulturën tonë, përmes përjetimit të Festivalit të 16-të Ballkanik të Kulturës dhe Valleve Tradicionale po mësojmë për pasuritë e diferencave që kemi edhe përbashkimin e motiveve kulturore”, kishte thënë ai në një fjalim para të pranishmëve. Koncerti, sipas tij, është tregues i bashkimit të popujve ballkanas nëpërmjet kulturës.
Profesori dhe kompozitori Valton Beqiri ka thënë se është ndier i kënaqur me pritjen në Turqi.
“Realisht në situata kur duhet të prezantohen edhe orkestra, edhe shteti, repertori duhet të kombinohet ashtu siç ishte kësaj radhe, vepra të njohura botërore dhe pjesa tjetër me vepra të kompozitorëve shqiptarë”, ka thënë Beqiri, duke çmuar edhe interpretimin e veprës së tij, “Loja”.
“Edhe publiku e tregoi me duartrokitje që koncerti dhe veprat u pëlqyen. Ky bashkëpunim është një urë lidhëse, përfaqësim i denjë i kulturës shqiptare përgjithësisht”, ka thënë Beqiri.
Për klarinetistin Shkumbin Bajraktari kjo ishte një mundësi tjetër për ta performuar “Bareshën” si solist.
“Desha ta falënderoj dirigjentin tonë Gridi Kraja për aranzhimin që e ka bërë enkas për mua”, ka thënë ai për veprën e cila para një muaji e gjysmë qe luajtur me Orkestrën Frymore. “Por, ishte sfidë e veçantë se ishim në Izmir, e prezantuam vendin tonë”, ka thënë ai.
Përgatitjet ka thënë se kanë qenë sfiduese për shkak të koncerteve paraprake. E përveç Bajraktarit, këtë e pranon edhe violinisti Festim Fanaj.
“Përgatitjet për koncertin në Izmir kanë filluar qysh para disa ditëve. Me ardhjen tonë në Izmir kemi pasur ushtrime intensive tri ditë dhe ditët e para kemi pasur edhe dy herë në ditë pastaj erdhi momenti i shfaqjes”, ka thënë ai. Sipas tij, kjo ka qenë mundësi e mirë dhe shtytje për performancat e tjera. E ka vlerësuar si një koncert të kompletuar, pavarësisht kohës së shkurtër.
{gallery}
“Gjithçka ka shkuar shumë bukur, populli i Turqisë zakonisht e ka mikpritjen ndaj shqiptarëve shumë të mirë, edhe kësaj radhe s’ka munguar. Publik ka pasur në numër shumë të madh, besoj se edhe ata janë kënaqur, shumica nga ta sigurisht kanë qenë me prejardhje shqiptare”, ka thënë Fanaj.
Koncerti i Filharmonisë është përkrahur nga Komuna Metropolitane e Izmirit dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës.