Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Vjena e elegancës mbretërore tingëllon shqip me Filharmoninë

“Çdo note, një rrëfim”, është motoja e koncerteve të Filharmonisë së Kosovës. E rrëfime nga tradita e muzikës shqipe, të martën mbrëma ka shpalosur edhe në Vjenë (Foto: Arben Llapashtica)

“Çdo note, një rrëfim”, është motoja e koncerteve të Filharmonisë së Kosovës. E rrëfime nga tradita e muzikës shqipe, të martën mbrëma ka shpalosur edhe në Vjenë (Foto: Arben Llapashtica)

Salla mbretërore e ndërtesës ikonike “Haus der Industrie” në Vjenë, të martën mbrëma, ka jehuar edhe me tinguj shqip me koncertin e Orkestrës Harkore të Filharmonisë së Kosovës. Nën dirigjimin e Edon Ramadanit dhe me soliste sopranot Arta Jashari e Zana Abazi-Ramadani, institucioni ka shpalosur pak nga tradita e krijimtarisë vendore. "Është një uverturë e mirë para koncertit që planifikojmë ta organizojmë vitin e ardhëm me Orkestrën Simfonike. Ftesa për koncertin e sotëm ka ardhur kur ishim duke u përgatitur për koncertin në Varshavë dhe e mirëpritëm ftesën”, ka thënë Dardan Selimaj, ushtrues detyre i drejtorit të Filharmonisë

Filharmonia e Kosovës ka debutuar në Vjenë me Orkestrën Harkore. Në kuadër të shënimit të 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës në kryeqytetin austriak, në bashkëpunim me Ambasadën e Kosovës në Vjenë, Filharmonia është prezantuar me vepra vendore e një ndërkombëtare.

Nëpërmjet Orkestrës Harkore nën dirigjimin e Edon Ramadanit dhe me soliste sopranot Arta Jashari e Zana Abazi-Ramadani, institucioni ka shpalosur pak nga tradita e krijimtarisë vendore para audiencës austriake, asaj shqiptare e korit diplomatik që ishin mysafirë në nderim të 18-vjetorit të Pavarësisë.

Koncerti në Sallën Mbretërore, kryesorja e ndërtesës ikonike “Haus der Industrie”, është hapur me  “Simfoninë për harqe, nr.10” nga Felix Mendelssohn. Vepra me atmosferë dinamike e tension emocional sjell kontraste e dialog specifik midis harqeve. “Sinfonieta” e kompozitorit Drinor Zymberi qe e dyta me radhë në program duke sjellë para të pranishmëve pak nga krijimtaria e gjeneratës së re të kompozitorëve vendorë. Më pas ka qenë radha e këngëve “N’at zaman” dhe “Kroi i fshatit tonë”, që janë interpretuar nga solistja Arta Jashari.

Programi ka vazhduar me “Suitën për harqe” të kompozitorit Valton Beqiri. Kjo vepër e Beqirit nuk qe e vetmja e interpretuar në Vjenë. Pas këngëve “Agimet shqiptare” dhe “Unë, biti yt Kosovë”, të interpretuara nga sopranoja Zana Abazi-Ramadani, Orkestra ka interpretuar edhe pak nga krijimtaria e Beqirit. Qenë koha e tretë dhe e katërt e veprës “Shpirti i traditës”, saktësisht “Ndikimi” dhe “Loja” ato që përmbyllën ngjarjen.

 
Sopranot Arta Jashari dhe Zana Abazi-Ramadani kanë sjellë këngë nga tradita shqiptare (Foto: Arben Llapashtica)

Paraprakisht të pranishmëve u janë drejtuar ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, i ngarkuari me punë në Ambasadën e Kosovës në Austri, Albinot Bimbashi, dhe ambasadorja Dr. Elisabeth Kornfeind, përfaqësuese e Ministrisë Federale për Çështje Evropiane dhe Ndërkombëtare të Republikës së Austrisë.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Filhramonisë së Kosovës, Dardan Selimaj, pas koncertit nëpërmjet lidhjes telefonike i ka thënë KOHËS se audienca përbëhej nga muzikantë austriakë, qytetarë të tjerë austriakë, përfaqësues diplomatikë në Vjenë e qytetarë shqiptarë.

Edhe Filharmonia prej rikthimit të “Passacaglias” së Kosovës te Beethoveni, jehon liri Shtojca për Kulturë Filharmonia prej rikthimit të “Passacaglias” së Kosovës te Beethoveni, jehon liri

“Për Filharmoninë është një uverturë e mirë para koncertit që planifikojmë ta organizojmë vitin e ardhëm me Orkestrën Simfonike. Ftesa për koncertin e sotëm ka ardhur kur ishim duke u përgatitur për koncertin në Varshavë dhe e mirëpritëm ftesën”, ka thënë ai. Hapësira ku Orkestra Harkore e Filharmonisë ka interpretuar, ka një histori të veçantë.

Si një nga ndërtesat më madhështore në “Ringstrasse” të Vjenës, “Haus der Industrie” shkëlqen me jehonën e së kaluarës. Koncertet e Orkestrës Mbretërore të Vjenës zhvillohen në këtë ndërtesë me akustikë të veçantë, që po ashtu ka karakter multifunksional. E inauguruar nga perandori Franz Josef në fund të dekadës së parë të shekullit të kaluar, kjo kryevepër e projektuar nga Karl König mbart një histori që s’haset diku tjetër. Brendësia e stilit barok kthen kohën perandorake dhe ndërthur në mënyrën më të bukur elegancën vjenezë të kohëve të moçme. E aty Filharmonia prezantoi pak nga eleganca e krijimtarisë dhe interpretimit të artistëve nga Kosova.

Nga Vjena, Orkestra Simfonike e Filharmonisë udhëton drejt Varshavës ku programi do të hapet me “Forsaken” nga Mendi Mengjiqi për të vazhduar me “Sinfonietën” e Drinor Zymberit si vazhdim i shkollës së kompozitorit Mengjiqi, i cili në Poloni gëzon reputacion si krijues e ish-student i kompozitorit polak me alamet emri siç ishte Krzysztof Penderecki, i cili jetoi midis shekullit të kaluar dhe dy dekadave të para të këtij shekulli. Këngët e kënduara në Vjenë, në Varshavë do të interpretohen nga sopranoja Adelina Paloja. Në kryeqytetin polak, Filharmonia do të prekë edhe traditën e atij shteti duke interpretuar “Koncertin për piano dhe harqe” të kompozitorit Henryk Górecki. Solist në piano do të jetë Andi Duraku. Pak a shumë është program të cilin Filharmonia e ka interpretuar edhe të dielën mbrëma në Prishtinë. Koncerti do të finalizohet me “Shpirtin e traditës” të Valton Beqirit, por në Varshavë do të interpretohet versioni për piano, harqe dhe perkusione e në piano do të luajë vetë kompozitori Beqiri.