Kulturë

“Kompozitorët e karrierës” me ritmin e mjeshtërisë së krijuesve vendas

“Kompozitorët e karrierës”

Kuarteti nga Maqedonia e Veriut në përbërje prej Martin Dimitrov me violinë, pasuar me të njëjtin instrument nga Simon Popovski, Aleksandar Laovski me violë dhe Paskal Krapovski me violonçel kanë shpalosur krijimet e kompozitorëve nga Kosova

Koncerti “Kompozitorët e karrierës” është prej ngjarjeve qendrore të festivalit. Tre emra të kompozimit – Rafet Rudi, Dafina Zeqiri-Nushi dhe Kushtrim Gashi – kanë shpalosur thesaret e krijimtarisë muzikore, me veprat që janë zbërthyer nga “Altus New Breath Quartet” nga Maqedonia e Veriut. Koncerti është forma me të cilën ata nderohen. Aty shpalosen qasje të ndryshme stilistike, por që emërues i përbashkët është statusi i veprave si thesare të krijimtarisë vendore e pesha e figurave e tri personaliteteve të shquara dhe të tjerëve që kanë qenë e që do të vijnë në edicionet e ardhshme të festivalit

Festivali i Kompozitorëve Kosovarë është platforma e cila i vë në qendër krijuesit muzikorë për të dytën herë. Së paku për nja katër ditë. Koncerti “Kompozitorët e karrierës” është prej ngjarjeve qendrore të tij. Tre emra të kompozimit – Rafet Rudi, Dafina Zeqiri-Nushi dhe Kushtrim Gashi – kanë shpalosur thesaret e krijimtarisë muzikore, me veprat që janë zbërthyer nga “Altus New Breath Quartet” nga Maqedonia e Veriut.

Koncerti është forma me të cilën ata nderohen. Aty shpalosen qasje të ndryshme stilistike, por që emërues i përbashkët është statusi i veprave si thesare të krijimtarisë vendore e pesha e figurave e tri personaliteteve të shquara dhe të tjerëve që kanë qenë e që do të vijnë në edicionet e ardhshme të Festivalit.

Kuarteti nga Maqedonia e Veriut në përbërje prej Martin Dimitrov me violinë, pasuar me një njëjtin instrument nga Simon Popovski, Aleksandar Laovski me violë dhe Paskal Krapovski me violonçel, e ka nisur kolazhin me vepra të kompozitorëve nga Kosova me atë të Kushtrim Gashit.

“Polimorfi” ka qenë me një hyrje të mprehtë të harkorëve me sekuenca solo të secilit prej instrumentistëve. Është një atmosferë e çuditshme e veprës në frymë bashkëkohore.

E dyta në radhë ka shënuar premierën absolute të veprës “Momento” nga Dafina Zeqiri-Nushi. Hyrja ka qenë me tinguj shumë të ulët nga tri instrumentet derisa violina e parë ndërhyn duke i dhënë ngjyra melankolike. Tensioni në vepër është i përhershëm. Në pjesë të veçanta vepra është e njëtrajtshme dhe njëri prej instrumenteve shkëputet duke zhvilluar lojë solo. E ky rol pasohet nga violina e parë te violoçeli dhe anasjelltas. Loja me gishtërinj nuk është aspak e akorduar. Loja minimaliste dhe pa zhvillime të theksuara dramatike është veçori e saj.

Kompozitorja Zeqiri-Nushi ka thënë se kuarteti e ka interpretuar veprën mjaft mirë. Ka thënë se ajo ilustron rikujtimet dhe elementet e tjera shpirtërore të jetës së njeriut.

“Vepra është pak si rikujtim dhe karakteri i saj përshtatet në atë formë. Pak a shumë është si formë harkore. Fillon ngadalë, zhvillohet dhe përsëri përmbyllet si një rikujtim i çdo gjëje që na ndodh, na rrethon, ose për humbjet që kemi. Elementet shpirtërore që i kemi në jetën e përditshme jam munduar t’i përshkruaj në këtë vepër”, ka shpjeguar ajo.

Në pjesën e fundit të koncertit është luajtur vepra “Kuartet harkor” nga Rafet Rudi.

Koha e parë “Allegro deciso” ka pasur hyrje sa harmonike, aq edhe dramatike. Në të hapen tema të reja, por derisa vepra zhvillohet, e gjen veten në tema të përsëritura. Akordimi i instrumentistëve për këtë vepër duket i domosdoshëm. Tema mbyllëse është tejet dinamike e dominuese ndaj pjesës tjetër. Koha e dytë “Largo” hapet me një temë pikëlluese që ngjan se më pas merr kontekste abstrakte. E hyrje dramatike ka koha e tretë “Allegro”. Duket se ajo shkrihet e më pas e rigjen rrugën deri tek atmosfera fillestare. Vepra është luajtur në prani të kompozitorit e dirigjentit Rafet Rudi.

Violonçelisti Paskal Krapovski ka thënë se është i familjarizuar me veprat e Rudit. Por për krijimtarinë me të cilën sapo është njohur, sikur me veprën e kompozitores Zeqiri-Nushi, ka thënë se është gjuhë e re muzikore për ta.

“Të luash vepra të reja me zotëri Rudin nuk është hera e parë që luajmë muzikë nga ai, por me zonjën Dafina dhe Kushtrim Gashin ishte hera e parë që luajmë diçka nga opusi i tyre. Dhe është kënaqësi. Është gjuhë e re, muzikë e re, diçka që çdo vend dhe çdo shkollë e muzikës mundohet ta ndajë nga tjerat. Ne kënaqemi duke i luajtur ato”, është shprehur ai.

Ka thënë se edhe muzika e krijuesve nga Kosova është tipike në frymë ballkanase.

“Tashmë jam në rrjedha me kompozitorët shqiptarë nga Kosova, nga Shqipëria e madje edhe nga ata në Maqedoni. Është muzikë tipike e Ballkanit, e ‘lehtë’, sepse mund të ndiejmë energjinë dhe e ndajmë të njëjtën, kemi ritme të përbashkëta. Është shumë e njohur”, ka thënë violonçelisti maqedonas Paskal Krapovski, pjesë e kuartetit “Altus New Breath Quartet”, ansambël i njohur për interpretimet e muzikës bashkëkohore.

Koncerti tash e dy vjet sa mbahet quhet “Kompozitorët e karrierës” si formë nderimi për kompozitorët që kanë dhënë kontribut në skenën muzikore të vendit.

“Është një lloj mirënjohjeje për të tre kompozitorët që kemi pasur, duke parë ndikimin që kanë pasur dhe vazhdojnë ta kenë në trashëgiminë muzikore të vendit tonë. Natyrisht që është një lloj mirënjohjeje për ta dhe një falënderim me këto koncerte nëpërmjet Festivalit të Kompozitorëve Kosovarë”, ka thënë kompozitori i ri Ersan Januzi, drejtor i Festivalit të Kompozitorëve Kosovarë.

Vitin e kaluar kjo mbrëmje e festivalit kishte nderuar veprat e Mendi Menxhiqit, Valton Beqirit e të Drinor Zymberit. I kishte interpretuar “Reverie Quartet” me Visar Kuçin në violinë të parë dhe përcjellë nga Rron Bakalli po ashtu në violinë, Vesa Doli në violë dhe Arian Zherka me violonçel. Festivali ka nisur më 9 nëntor dhe mbyllet më 12 nëntor, me koncertin “Next Generation”.