Kulturë

Kompania e Beogradit synon që në maj t’i rikthehet Kalasë së Novobërdës

Më shumë se katër vjet pasi projekti një milion eurosh u shpall i përfunduar, dhe mbi një vit pasi tentoi të riparonte dëmet e që u përball edhe me një proces gjyqësor ende pa epilog, kompania “Koto” synon t’i rikthehet Kalasë së Novobërdës. Përmend muajin maj si kohë e favorshme nëse edhe situata me pandemi qetësohet. “Hapi i parë do të jetë vazhdimi i rehabilitimit të pjesës midis kullave 1 dhe 2, ku do të monitorohet gjendja pas rehabilitimit”, i ka thënë KOHËS Darko Gligorijeviq nga Departamenti ligjor i “Kotos”

Muaji maj del të jetë periudha kohore që llogaritet si afat kur kompania punëkryese “Koto” nga Beogradi mund të nisë punimet për sanimin e dëmeve dhe rirestaurimin e strukturave të Kalasë së Novoberdës. Por rifillimi i punimeve nuk është i sigurt pasi varet edhe nga rrethanat e krijuara nga pandemia. E numri i të infektuarve ditëve të fundit në Kosovë nuk është aspak shpresëdhënës për përmirësim të situatës, përderisa sot hyjnë në fuqi edhe masat e reja kufizuese ndaj COVID-19. Puna ndërtimore nuk përmendet në asnjërën prej 46 pikave të Vendimit për masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë.

Kompania beogradase që kishte kryer restaurimin e konservimin e strukturave të qytetit të epërm në Novoberdë gjatë viteve 2015 dhe 2016, sivjet do të kthehet për të sanuar dëmet. Në anën tjetër, shembjet e fasadës së gurtë janë duke vazhduar. Indikacionet janë se shembjet nuk do të ndalen. Këtë e tregojnë të ënjturat në muret e gurta.

Sanimi i dëmtimeve ishte tentuar të bëhej në shtatorin e vitit 2019. Por ndërhyrja e kompanisë punëkryerëse “Koto” me buldozer kishte alarmuar institucionet, duke ia ndërprerë punën e ishte ngritur edhe një kallëzim penal. Prej atëherë nuk është gjetur ndonjë rrugëdalje, me përjashtim të disa ditëve të vitit të kaluar, kur puna e rinisur u ndërpre për të mos filluar më.

Sipas sqarimeve që ia ka dhënë KOHËS Darko Gligorijeviq nga Departamenti ligjor i “Kotos”, vitin e kaluar është bërë shumë pak punë në pastrim, pasi pandemia ka ndikuar shumë keq në dinamikë.

“Përvoja nga vitet e mëparshme na ka treguar se për shkak të kushteve të motit në periudhën para majit, mund të kryhen vetëm punime përgatitore, dhe vetëm nga maji punime në murim dhe aso që përfshijnë përdorimin e llaçit. Po ashtu, vazhdimi i punimeve për rehabilitimin e mureve të sapondërtuara varet nga marrja e lejeve të nevojshme për vazhdimin e punimeve përmes UNESCO-s nga institucionet në Prishtinë, por edhe nga zhvillimi i situatës me virusin, pasi fatkeqësisht nuk ka indikacione se pandemia do të qetësohet së shpejti”, ka thënë Gligorijeviq.

Ai ka sqaruar se mendojnë që rehabilitimi do të bëhet në faza.

“Hapi i parë do të jetë vazhdimi i rehabilitimit të pjesës midis kullave 1 dhe 2, ku do të monitorohet gjendja pas rehabilitimit, rrjedha e mëtejshme e punimeve dhe dinamika do të përcaktohen në përputhje me gjendjen e murit 1 dhe 2...”, ka thënë ai. Ka sqaruar se i gjithë komunikimi me institucionet e Kosovës bëhet nëpërmjet UNESCO-s. Pos në një rast.

“I vetmi kontakt i drejtpërdrejtë me institucionet nga Prishtina është procedura gjyqësore e filluar kundër kompanisë sonë nga institucionet në Prishtinë, të cilën ne e konsiderojmë si një keqkuptim fatkeq, dhe që shpresojmë të përfundojë shumë shpejt, në mënyrë që të kapërcejmë këtë pengesë për vazhdimin e punëve”, ka thënë ai.

Më 2019 ndaj “Kotos” ishte ngritur kallëzim penal shkaku i punimeve me buldozer për shembje të fasadës së plasaritur.

Në fund të shkurtit të këtij viti, KOHA kishte raportuar se pas heshtjes disamujore, Zyra rajonale e UNESCO-s në Sarajevë u ishte përgjigjur institucioneve të Kosovës.

Udhëheqësi i Zyrës rajonale, Sinisha Sheshum, nëpërmjet një e-maili ia ka sqaruar Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve se kompania punëkryerëse sapo t’i krijohen kushtet meteorologjike do të kthehet për të filluar punën.

“Do t’ju mbajmë të informuar për hapat në vazhdim. A mund të na konfirmoni se autorizimi i lëshuar në tetor të vitit 2020 mbetet valid në mënyrë që kompania të merret me intervenimet sipas imputeve të fundit të profesorit Pekoviq”, kishte shkruar Sheshum. I është referuar projektit për ndërhyrje që e kishte përgatitur vitin e kaluar autori i projektit fillestar, kroati Zhelko Pekoviq. Sipas korrespodencës, Sheshum ka marrë përgjigje nga Ismet Hajrullahu, drejtor i IKMM-së. Ai e ka falënderuar Sheshumin për informacionet e dhëna dhe ka konfirmuar se autorizimi i lëshuar në tetor të vitit të kaluar është valid. Por ka shtuar edhe diçka.

“Për më tepër ju informoj se situata në muret e Kalasë është përkeqësuar (disa pjesë të mureve kanë kolapsuar) si pasojë e motit dhe masave preventive që nuk janë marrë!”, shkruhet në këtë shkresë.

Brenda ditës Sheshum ishe përgjigjur edhe një herë.

“Faleminderit për e-mailin dhe konfirmimin për validitetin e autorizimit. Siç jeni në dijeni, kontraktori është i obliguar që t’i riparojë të gjitha dëmet, përfshirë ato që kanë ndodhur që nga nëntori i vitit 2020”, ka shkruar Sheshum.

Më 2015 në Novobërdë kishin zbarkuar punonjës e mjete të kompanisë “Koto”. Projekti restaurues e konservues u shpall i përfunduar në fund të vitit 2016. Me kontratën e UNESCO-s, që është përgjegjëse për punimet, kishin nisur të ngrinin skele. Por asokohe Instituti Arkeologjik i Kosovës kishte ndërprerë punimet. U ishte thënë se duhej të prisnin leje për të nisur punën. Pas dy javësh restauruesit e konservuesit kishin nisur të kryenin detyrat. Por vjeshta e vitit 2018 kishte nxjerrë në pah se jo gjithçka kishte shkuar mirë. Kishin filluar shembjet.

Në kuadër të fondeve IPA, Bashkimi Evropian kishte ndarë 1 milion euro për këtë projekt. UNESCO-ja ishte përgjegjëse për kontraktimin e kompanive projektuese e të asaj punëkryerëse. Hartimi i projektit konservues e restaurues ishte bërë nga kompania “Omega Engineering” nga Dubrovniku, që kishte bërë edhe mbikëqyrjen bashkë me përfaqësues të “Kotos” së Serbisë, të UNESCO-s, Bashkimit Evropian e të institucioneve vendore. Në shkurt të këtij viti Ministria e Kulturës kishte përmendur edhe mundësinë e ndërhyrjes nga institucionet vendore.

“Kemi biseduar për të parë nëse për një periudhë të shkurtër nuk do të kemi përgjigje nga UNESCO-ja ose nga operatori ekonomik, të ndërhyjmë në sanimin e dëmeve që janë në Kala”, kishte thënë Vjollca Aliu, drejtoreshë e Departamentit të Trashëgimisë së Kulturës në MKRS.