Përderisa për disa muaj s’u kishte kthyer përgjigje institucioneve të vendit, UNESCO-ja më në fund është zotuar se sapo të përmirësohen kushtet atmosferike, kompania “Koto” e Beogradit do të rikthehet në Kalanë e Novobërdës për të riparuar dëmet që sa vijnë e intensifikohen, ani pse po aty kreu punimet restauruese e konservuese me projektin 1 milionë eurosh. Shembja e gurëve të fasadës nisi pa u bërë dy vjet prejse projekti u shpall i përfunduar
Prishtinë, 25 shkurt – Pas heshtjes disamujore, UNESCO-ja është bërë e gjallë sa u përket problemeve të vazhdueshme në Kalanë e Novoberdës. Organizata e Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë e Kulturë është aktori kryesor i projektit restaurues të këtij monumenti, që fill pas inaugurimit doli goxha problematik. Ka administruar me një milion eurot e investuara në punë, që dalin të jenë joprofesionale.
U është lajmuar institucioneve të Kosovës, duke thënë se shumë shpejt do të nisin punimet. Përderisa intensiteti i shembjet së fasadës së gurtë të disa mureve të Kalasë ka marrë hov, Organizata e Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Kulturë planifikon që në pranverë të rinisë sanimi i dëmeve.
Zyra regjionale e UNESCO-s në Sarajevë të mërkurën ka shkëmbyer shkresa në formë elektronike me Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Një ditë më herët, KOHA kishte raportuar për shembjet e reja e mospërgjigjen e UNESCO-s.
Udhëheqësi i Zyrës regjionale, Sinisha Sheshum, nëpërmjet një e-maili i ka sqaruar IKMM-së se kompania punëkryerëse sapo t’i krijohen kushtet meteorologjike do të kthehet për të filluar punën.
“Do t’ju mbajmë të informuar për hapat në vazhdim. A mund të na konfirmoni se autorizimi i lëshuar në tetor të vitit 2020 mbetet valid në mënyrë që kompania të merret me intervenimet sipas imputeve të fundit të profesorit Pekoviq”, ka shkruar Sheshum. I është referuar projektit për ndërhyrje që e kishte përgatitur vitin e kaluar autori i projektit fillestar, kroati Zheljko Pekoviq. Sipas korrespodencës, brenda ditës, Sheshum ka marrë përgjigje nga Ismet Hajrullahu, drejtor i IKMM-së. Ai e ka falënderuar Sheshumin për informacionet e dhëna dhe ka konfirmuar se autorizimi i lëshuar në tetor të vitit të kaluar është valid. Por ka shtuar edhe diçka.
“Për më tepër ju informoj se situata në muret e Kalasë është përkeqësuar (disa pjesë të mureve kanë kolapsuar) si pasojë e motit dhe masave preventive që nuk janë marrë!”, shkruhet në këtë shkresë.
Brenda ditës, Sheshum është përgjigjur edhe njëherë.
“Faleminderit për e-mailin dhe konfirmimin për validitetin e autorizimit. Siç jeni në dijeni, kontraktori është i obliguar që të riparojë të gjitha dëmet, përfshirë ato që kanë ndodhur që nga nëntori i vitit 2020”, ka shkruar Sheshum.
KOHA të martën ka raportuar se pos rënies së gurëve, që kanë marrë intensitet gjatë dimrit, shembja pritet të vazhdojë. Shenjë për këtë janë muret e fryra gjithandej. Ka të tilla që janë çarë në disa anë.
Sanimi i dëmtimeve ishte tentuar të bëhej në shtatorin e vitit 2019. Por ndërhyrja e kompanisë punëkryerëse “Koto” me buldozer kishte alarmuar institucionet, duke ia ndërprerë punën e ishte ngritur edhe një kallëzim penal. Prej atëherë nuk është gjetur ndonjë rrugëdalje, me përjashtim të disa ditëve të vitit të kaluar, kur puna e rinisur u ndërpre për të mos filluar më. Pos narracionit se si ka ardhur deri në këtë gjendje, institucionet e shtetit nuk kanë çfarë tjetër të thonë.
Më 2015 atje kishin zbarkuar punonjës e mjete të kompanisë “Koto”, me seli në Beograd. Projekti restaurues e konservues u shpall i përfunduar në fund të vitit 2016. Të njëjtët do ta bëjnë riparimin.
Me kontratën e UNESCO-s, që është përgjegjëse për punimet, kishin nisur të ngrinin skele. Por asokohe Instituti Arkeologjik i Kosovës kishte ndërprerë punimet. U ishte thënë se duhej të prisnin leje për të nisur punën. Pas dy javësh restauruesit e konservuesit kishin nisur të kryenin detyrat. Por vjeshta e vitit 2018 kishte nxjerrë në pah se jo gjithçka kishte shkuar mirë. Kishin filluar shembjet.
Në kuadër të fondeve IPA, Bashkimi Evropian ka ndarë 1 milion euro për këtë projekt. UNESCO-ja ishte përgjegjëse për kontraktimin e kompanive projektuese e të asaj punëkryerëse. Hartimi i projektit konservues e restaurues ishte bërë nga kompania “Omega Engineering”, që kishte bërë edhe mbikëqyrjen bashkë me përfaqësues të “Kotos” së Serbisë, të UNESCO-s, Bashkimit Evropian e të institucioneve vendore.
Arkitektët e Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, Valbona Saliuka dhe Avni Manaj, të martën e kishin vizituar monumentin për të evidentuar gjendjen aktuale.
Ismet Hajrullahu, që drejton këtë institut, kishte thënë se ka kohë që Zyra e UNESCO-s në Sarajevë, që udhëhiqet nga Sinisha Sheshum, nuk është duke u kthyer përgjigje.
“Nuk mund të themi se kur mund të fillojnë punimet. Ne i kemi bërë disa shkresa UNESCO-s, por nuk kemi marrë përgjigje”, kishte thënë ai.
E Ministria e Kulturës kishte përmendur edhe mundësinë e ndërhyrjes nga institucionet vendore.
“Kemi biseduar për të parë nëse për një periudhë të shkurtër nuk do të kemi përgjigje nga UNESCO-ja ose nga operatori ekonomik, të ndërhyjmë në sanimin e dëmeve që janë në Kala”, kishte thënë të martën Vjollca Aliu, drejtoreshë e Departamentit të Trashëgimisë së Kulturës në MKRS.