Kulturë

“Kino Rinia” në paralele midis ringjalljes me kujtime dhe indiferencës

“Zërat paralelë” nga Meksut Vezgishi përtej performancës vjen si thirrje për rikthimin e destinimit të dikurshëm të “Kino Rinisë”. Në objektin ku sot s’ka shenja kinemaje, publiku i sotëm takohet me atë të kinemasë së dikurshme, nëpërmjet materialeve arkivore. “Zërat…” është vepër e mjegullt njashtu sikurse fati i paqartë i këtij objekti që dikur kishte namin e sot përballet me indiferencën e shtetit, por edhe të publikut

“Kino Rinia” dikur cilësohej si dritare e të rinjve me botën. Për ta ishte vendi më i preferuar. Njësoj ishte edhe për Alush Gashin, i cili përherë kishte qenë pasionant i kinemasë. Gjatë viteve ‘90, si i ri, e vizitonte shpesh këtë vend.

Intervenimi artistik në këtë objekt, që vjen në kuadër të edicionit të katërt të projektit “Metamorphosis” nga fondacioni “Shtatëmbëdhjetë”, e ka kthyer Gashin brenda kinemasë së dikurshme, së paku nëpërmjet kujtimeve. Ky ka qenë edhe qëllimi i programit: ta kthejë vëmendjen tek kinemaja që hapi dyert në vitin 1953. Fondacioni “Shtatëmbëdhjetë” me “Metamorphosis” këtë e ka bërë edhe me hapësira të tjera të braktisura që dikur kishin një rol të rëndësishëm në shoqëri.

“Zërat paralelë” është titulluar intervenimi artistik i arkitektit dhe artistit Maksut Vezgishi brenda objektit, që tash e disa vjet është lënë pas dore e aty s’ka më shenja kinemaje.

Të martën mbrëma ai ia ka kthyer publikun dhe ndriçimin kinemasë. Kështu do të jetë edhe për dy net. Madje intervenimi ka ardhur si një lloj takimi me publikun e dikurshëm, i cili është shfaqur në një kuadër të xhiruar në vitet ‘60. Aty shihet publiku duke duartrokitur. Gjashtë dekada pas “Zërat paralelë” të Vezgishit, si një lloj performance reflekton mbi të shkuarën e vendit. Gashi, i cili kthehet në këtë objekt pas shumë vjetësh, thotë se ndihet i fascinuar me gjendjen e objektit, por edhe me intervenimin e fondacionit “Shtatëmbëdhjetë”. Sipas tij, kinemaja që dikur shfaqte filmat më me nam sot është në gjendje që t’i kthehet funksionit me të cilin i ka shërbyer dikur publikut.

“Hapësira është në gjendje për t’u përdorur apo ripërdorur. Pra të ridestinohet për atë çfarë ka qenë në të kaluarën për ta riinterpretuar atë magjinë që e ka pasur kinemaja në atë kohë”, i ka thënë Gashi KOHËS, për objektin që gjatë viteve të pasluftës ka shërbyer edhe si sallë gjyqi, hapësirë për lojëra fati e klub diskoteke.

Vitet ‘90 kishin qenë të vështira për jetën kulturore në vend. Sfidat e kishin përcjellë edhe kinemanë e cila, megjithatë, kishte një program të pasur, por shfaqjet e filmave jo gjithnjë mund të realizoheshin.

“Shfaqje ka pasur, por nuk ka qenë aq e frekuentuar kinemaja. Ka pasur raste kur shfaqjet nuk janë bërë për shkak se ka qenë një numër i caktuar i audiencës për ta lëshuar filmin për shkak të shpenzimeve. E kemi frekuentuar, sepse programi ka ardhur nga distribucioni jugosllav në atë kohë”, ka treguar tutje Gashi, udhëheqës i “Kino Armatës” në Prishtinë, së cilës në prillin e 2018-s, 19 vjet pas luftës, i ishte kthyer destinimi që kishte gjatë pushtetit monist, por duke shërbyer edhe si hapësirë publike që promovon kulturën alternative dhe dialogun shoqëror.

Vitet ’90 dhe paqartësia e shekullit XXI janë ato që Vezgishi i nxjerr në pah nëpërmjet performancës. Koncepti i tij në “Zërat paralelë” është manifestuar në formë eksperimentale të transmetimit. Cristina Mari dhe Donikë Ahmeti kanë përfaqësuar operatorët/lajmëtarët që me zërin e tyre kanë komunikuar të kaluarën e vendit. Përmes paqartësisë Vezgishi ka dashur të nxisë herë kureshtjen e herë indiferencën e publikut.

“Megjithëse forma me të cilën ne jemi përcaktuar i takon eksperimentit dhe nuk po e fsheh që pak isha në ato lloje emocionesh se a do të kalojë apo jo, por atmosfera e përgjithshme që u krijua dhe porosia që në një lloj paqartësie vjen, m’u duk që u arrit”, i ka thënë KOHËS arkitekti Maksut Vezgishi, i cili këtë vit e prezantoi Kosovën në “Bienalen” e Venecias me veprën “C0ntainp0rary”.

Të vendosura në distancë në skenë, zërat e operatorëve kanë ardhur si përvoja personale që i bashkon realiteti i kohës. Kjo është manifestuar në ngjyrat e ndryshme të zërit, por edhe në shqiptimin e tyre. “Interier dhe eksterier” si dhe “Kam jetuar në një vend ku fëmijët dëgjonin krismën”, janë fjalitë që dëgjohen më shpesh. Vajza dhe djali, gruaja dhe burri janë personazhet për veprimet e të cilëve flitet. Ky rezonim zërash vjen si një realitet i mjegulluar. Nuk dihet nëse bëhet fjalë për një situatë pa emocione apo për një më shumë lot. Dëgjohet bërtitma për të dalë nga klasa. Qartë dëgjohet se flitet për një gjeneratë të rritur mes krismave a gazit lotsjellës. Demokracia manifestohet në një vend ku vajzat dhe djemtë takohen dhe shkëmbejnë parulla. Gjithë kjo lojë fjalësh është bërë nga dramaturgia Doruntina Basha. Për ta kthyer publikun në kinema dhe për ta ngjallur vëmendjen për objektin, “Shtatëmbëdhjetë” bashkë me Vezgishin kishin vendosur t’i shmangeshin komunikimit të drejtpërdrejtë. Për këtë kanë bashkëpunuar, pos Bashës, edhe me Artrit Bytyçin e Fjolla Hoxhën. Për ta Vezgishi kishte pasur vetëm një kërkesë.

“Objekti i reflekton vitet që nga ’90 deri më sot. Kërkesa ime e vetme ndaj tyre ishte ma përshkruani Kosovën, Prishtinën prej viteve ’90 e këndej dhe demokracinë, dhe asgjë më tepër. Secili e ka pasur këndvështrimin e tij”, ka thënë Vezgishi pak minuta pas performancës “Zërat paralelë”.

“Metamorphosis”, program i fondacionit “Shtatëmbëdhjetë”, vë në dialog artin dhe kulturën për të diskutuar rëndësinë e shfrytëzimit të hapësirave publike. Duke rikthyer në jetë objektet e braktisura qoftë edhe për një ditë, mëtohet që të dokumentohet kujtesa kolektive e një të kaluare për të cilën pak flitet dhe të trajtohet shfrytëzimi i hapësirës publike në të mirë të komunitetit. Hulumtimi i fondacionit “Shtatëmbëdhjetë” ka nisur në fillim të vitit dhe do të vazhdojë akoma. Qëllimi i tyre është që ta kthejnë vëmendjen te ky objekt dhe t’i kthehet funksioni me të cilin i kanë shërbyer publikut.

“Shumë shpesh është e dhimbshme më e pa se si objektet kanë marrë forma të tjera. Nëse kanë pasur një funksion kulturor dhe janë kthyer funksione komerciale të cilat kanë shërbyer për grupe shumë më të vogla dhe u ka munguar aspekti edukativ dhe zhvillimi kulturor. Gjithmonë është një shpresë që hapësira të tilla duhet me u kthy dhe me qenë pranë publikut më të gjerë. Më pasë një qasje më gjithëpërfshirëse dhe prapë me pasë funksionin e tyre kulturor”, ka thënë Nita Zeqiri, drejtoreshë e fondacionit “Shtatëmbëdhjetë”.

Por krejtësisht ndryshe nga Alush Gashi e ka përjetuar kinemanë Aurela Kadriu. E lindur në fund të viteve ’90, Kadriu më pas kishte dëgjuar shumë për kinemanë, por nuk kishte pasur rastin ta vizitonte atë. Për ta ndjekur performancën, ajo është ulur në dyshemenë e sallës përdhese ku dikur ishin 850 ulëse.

“Kjo performancë për mua ishte shumë e vlefshme, sepse na la me qenë brenda hapësirës dhe mbi të gjitha me përjetu brenda hapësirës. Ishte shumë e rëndësishme që kjo të rrënjoset në kujtesën tonë dhe t’i kthehet qytetit”, ka thënë Kadriu, duke e quajtur për më tutje këtë objekt si dhuratë akisdentale që i është ruajtur pozita qendrore në qytet dhe duhet të shihet si një margaritar brenda qytetit.

Vitin e kaluar AKP-ja kishte provuar ta jepte me qira hapësirën prej 1.722m2. Bëhet fjalë për ndërmarrjen shoqërore “Genci”, që menaxhon me atë që dikur ishte “Kino Rinia” në rrugën “Migjeni” dhe me Kinemanë ABC, në rrugën “Rexhep Luci”, që ishte “Kino Vllaznimi”. Me vetë “Gencin” si kompani për distribuimin dhe shfaqjen e filmave menaxhon AKP-ja. Asetet e “Gencit” janë në likuidim qysh prej vitit 2014. Por nuk janë privatizuar ende.

Gjatës ditës së premte fondacioni “Shtatëmbëdhjetë” do të realizojë një diskutim publik për fatin e “Kino Rinisë”. Zyrtarë të pushtetit lokal, atij qendror dhe përfaqësues të shoqërisë civile do të shpalosin idetë e tyre për këtë hapësirë. Intervenimi do të vazhdojë edhe sonte (e mërkurë) dhe të enjten duke filluar nga ora 19:00. Organizatorët u kanë bërë ftesë të gjithë atyre që kanë vizituar dikur kinemanë që t’u kthehen kujtimeve dhe nostalgjisë që u ka dhënë ekrani i madh i “Rinisë”.