Me thikën që kishte teh prej 13 centimetrash, Bashkim Gashi dyshohet se goditi në gjoks e bel disa herë partneren dhe vajzën e saj, me të cilat po jetonte në Prizren. Detajet për krimin e një nate më parë, prokuroria i ka përshkruar në kërkesën për masën e paraburgimit, të cilën e ka miratuar gjykata. Në dokumente tregohet se i dyshuari ka pranuar krimin
Një muaj paraburgim ia ka caktuar Gjykata Themelore në Prizren, Bashkim Gashit, i cili dyshohet për veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë”.
Gashi u arrestua në mesnatën e 17 tetorit pasi sulmoi me thikë bashkëshorten 49-vjeçare dhe vajzën e saj 12-vjeçare, duke u shkaktuar plagë të rënda.
Plagët dhe momenti i krimit përshkruhen në kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit, të cilën e ka siguruar KOHA.
“Pas një fjalosje të shkurtër për shkak të problemeve familjare, xhelozie, i pandehuri Bashkim Gashi nxjerr një thikë, me ngjyrë të zezë, me një gjatësi tehu prej 13 centimetrash dhe e godet të dëmtuarën M. A. disa herë me thikë në dy parakrahët, në gjoks dhe në bel. Ndërsa të miturën E. A. po ashtu e godet me thikë në pjesën e gjoksit, në anën e majtë të belit, lëndime këto të shkaktuara me rrezikshmëri për jetën e tyre”, thuhet në dokumentin e Prokurorisë. “Po ashtu, me datë, kohë dhe vend të njëjtë posedon armën e ftohtë, pa leje valide, duke e përdorur për qëllime vdekjeprurëse thikën”.
Dokumenti i Prokurorisë tregon se i dyshuari Gashi akuzohet edhe për “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar i armëve”, dhe se ai ka të kaluar kriminale, meqë edhe në vitin 2023 ka ushtruar dhunë në familje.
KOHA ka siguruar edhe aktvendimin e gjykatës për caktimin e paraburgimit, në të cilin i dyshuari përshkruhet si person me rrezikshmëri të lartë.
“Duke marrë parasysh rrezikshmërinë e veprave penale që i ngarkohen të pandehurit, ashpërsinë e dënimeve të parashikuara për to, natyrën dhe karakterin e veprave penale, të cilat janë të karakterizuara me dhunë të rëndë fizike dhe rrezikim të jetës së viktimave, si dhe pasojat e rënda që kanë rezultuar nga këto vepra, shtuar këtu edhe rrethanat e ngjarjes dhe mënyrën e kryerjes së saj, dëshmojnë për një nivel të lartë të rrezikshmërisë shoqërore të të pandehurit, si dhe të mundësisë reale që, në rast të moscaktimit të masës së paraburgimit, i njëjti të fshihet apo të arratiset për të shmangur përgjegjësinë penale, andaj caktimi i masës së paraburgimit sipas kësaj pike është i domosdoshëm dhe më se i arsyeshëm për zhvillimin e rregullt të procedurës penale-hetimore”, thuhet në aktvendimin e Gjykatës.
Në këtë dokument është bërë e ditur se avokati Arben Ramadani që përfaqëson të dyshuarin Gashi, ka kërkuar që të pandehurit t’i caktohet masa e arrestit shtëpiak. Në mesin e arsyeve për këtë, ka theksuar edhe faktin se i dyshuari e ka pranuar krimin.
“Bazat për caktimin e paraburgimit e përkufizuar në nenin 163 të KPPK-se, si rreziku i arratisjes nuk qëndron, pasi që i njëjti menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje i është dorëzuar organeve të ndjekjes dhe premton se nuk do të arratiset”, përshkruhet qëndrimi i avokatit. “Gjithashtu ka shtuar se ka familje dhe shtëpi ku mund të respektojë edhe masat e tjera përveç asaj të paraburgimit. “Sa i përket asgjësimit të provave, pengimit të rrjedhës së procedurës së hetimeve dhe ndikimit në dëshmitarë dhe në të dëmtuarat, nuk qëndron, pasi që i njëjti edhe tani është duke i pranuar veprimet dhe nuk ka asnjë qëllim që të ndikojë në prova të cilat tanimë i ka prokuroria”.
Dokumenti i gjykatës tregon se i dyshuari Gashi gjatë seancës dëgjimore për caktimin e masës së paraburgimit ka deklaruar se ndien dhimbje të thellë për bashkëshorten dhe vajzën e saj, dhe lutet që gjendja e tyre të përmirësohet.
E, në Spitalin e Prizrenit treguan se gjendja e të dyja viktimave është stabile. Ato ende ndodhen për trajtim në repartin intensiv.
E, dëshmitari Afrim Hasani, i ka ende të freskëta britmat e gruas 49-vjeçare dhe vajzës së saj 12-vjeçare pasi u sulmuan me thikë nga partneri i gruas, mesnatën e 17 tetorit në Prizren, ka treguar se e ka parë gruan e cila kishte dalë jashtë e gjakosur për të kërkuar ndihmë.
“Kam qenë duke punuar këtu (poshtë) dhe i kam dëgjuar britmat. Kam dalë e kam shikuar përpjetë... I kam parë dritat të ndezura plot, por nuk dihej në cilën banesë konkretisht. E kemi thirrur policinë dhe ndihmën e shpejtë. Më pas e kam parë gruan duke dalë krejt e përgjakur. Erdhi duke bërtitur e tha ‘burri po ma ther çikën me thikë’”, ka treguar ai. “Nuk e përmendte hiq veten edhe pse ishte krejt e gjakosur. Ka dalë dhe është mbështetur te shtëpia. Kanë ardhur më pas policia. Dihej se ishte fëmija lart, dhe më pas e gjetëm çikën që kishte ikur nga banesa në një banesë tjetër”.
Viktima 49-vjeçare ishte martuar me 51-vjeçarin nga Malisheva një vit më parë. Çifti jetonte në Malishevë, ndërsa në Prizren është zhvendosur tre muaj më parë. Në ndërtesën ku ndodhi ngjarja jetonin me qira prej 10 ditësh.