Gjykata Themelore në Ferizaj i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të miturit që dyshohet se theri dy persona dhe një zyrtar policor në Ferizaj.
Sipas njoftimit të gjykatës, masa është caktuar pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, nën dyshimin se i mituri ka kryer veprat penale “vrasje në tentativë”, “sulm ndaj personit zyrtar” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoSipas dosjes së rastit, më 10 korrik, rreth orës 07:50, në Parkun e Qytetit në Ferizaj, i mituri dyshohet se, i veshur me rroba ushtarake, me dorëza dhe i maskuar, ka sulmuar me thikë dy persona, me inicialet I.M. dhe S.H., duke u shkaktuar lëndime të rënda trupore në pjesë vitale të trupit. Pas sulmit, ai dyshohet se është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa të lënduarit janë dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal të Ferizajt.
Sipas gjykatës, rreth 20 minuta më vonë, në oborrin e shtëpisë së gjyshes së tij në fshatin Greme të Ferizajt, ku ndodhej edhe nëna e tij e ku shkoi për t’u fshehur, i mituri dyshohet se ka refuzuar urdhrat e policisë për t’u dorëzuar dhe për ta hedhur thikën.
Gjatë ndërhyrjes së policisë, ai dyshohet se ka sulmuar zyrtarët policorë. Sipas aktvendimit, njëri polic është rrëzuar pasi është tërhequr nga nëna e të miturit, ndërsa i mituri ka tentuar ta godasë me thikë. Në përpjekje për ta neutralizuar, një major i Policisë ka ndërhyrë, por është therur në anën e majtë të qafës nga goditjet e pakontrolluara me thikë të të dyshuarit.
Po ashtu, gjykata thekson se i mituri dyshohet se ka poseduar pa autorizim një thikë kuzhine në një vend publik, e cila më pas është konfiskuar nga Policia.