Për pesë ditë me “Kino Kosova”, kinemaja e Kosovës zhvendoset në Bernë të Zvicrës. Edicioni i sivjetmë ndërtohet me shfaqje filmash, koncert, ekspozitë e panele diskutimi. E ngjarjet kulturore e kanë bërë të zakonshme që programet e tyre të jenë lloj homazhesh për ngjarjet në vend e në botë. Me temën “Sense of Purpose”, “...pasqyron tensionin midis ndjenjës së humbjes dhe gjetjes së forcës, midis kërkimit të përgjigjeve dhe përqafimit të udhëtimit”. “Është një kohë e turbullt dhe kanë lindur shumë pyetje se cili është roli i artistit në këtë kohë të trazuar dhe çfarë mund të bëjë komuniteti artistik...”, ka thënë drejtori i festivalit, Sabahet Meta
Diaspora shqiptare ndër vite është kujdesur që në vendet ku ka mërguar ta shpalosë kulturën e identitetin e origjinës. E bën në mënyrë krenare edhe festivali i filmit “Kino Kosova” duke prezantuar jo vetëm kinematografinë, por edhe pasurinë muzikore e artin vizual. E vazhdon misionin edhe sivjet me edicionin e gjashtë në Bernë prej 10 deri më 14 shtator. Nën temën “Sense of Purpose” e kërkon qëllimin e njerëzimit që përballet me sfida në epokën moderne.
Për pesë ditë, kinemaja e Kosovës zhvendoset në qytetin zviceran. Pesëditëshi i sivjetmë i festivalit ndërtohet me shfaqje filmash, koncert, ekspozitë e panele diskutimi. E ngjarjet kulturore e kanë bërë të zakonshme që programet e tyre të jenë lloj homazhesh për ngjarjet në vend e në botë, e këtë nuk e anashkalon as festivali me bazë në Bernë.
Pas edicionit të kaluar me “Përsiatje” që e reflektonte gjendjen në botën kapluar prej luftës, si dhe synonte ta nxiste ndjeshmërinë e mirëkuptimin duke e promovuar unitetin në këtë botë të ndarë, sivjet me “Sense of Purpose”, “...pasqyron tensionin midis ndjenjës së humbjes dhe gjetjes së forcës, midis kërkimit të përgjigjeve dhe përqafimit të udhëtimit”.
“Është një kohë e turbullt dhe kanë lindur shumë pyetje se cili është roli i artistit në këtë kohë të trazuar dhe çfarë mund të bëjë komuniteti artistik në këtë rast edhe si mund të krijohet një vend ku i jepet hapësirë shikuesve për të reflektuar në këtë rast, për të pasur një sens për një qëllim. Kemi dashur të krijojmë hapësirë pasi nuk duhet gjithsesi të okupohemi gjatë gjithë vitit se cili është qëllimi ynë, por të paktën gjatë Festivalit mund të jetë një pyetje filozofike që mund të udhëheqë audiencën për të reflektuar mbi këtë temë”, është shprehur drejtori artistik i festivalit, Sabahet Meta, në një bisedë për KOHËN.
Më tej ka thënë se tema e Festivalit reflekton edhe në ngjarjet politike në botë.
“Patjetër kjo ndërlidhet me historinë tonë, por që gjëra të ngjashme po ndodhin edhe nëpër shtete të tjera, e kam fjalën për konfliktet, gjithashtu e djathta ekstreme është në rritje në përgjithësi, sidomos në Evropën Perëndimore. Po shkon në një drejtim, më shumë të izolimit sesa të ndërtimit të urave dhe lidhjes midis komuniteteve në Evropë dhe në botë. Këto gjëra i kemi pasur gjithmonë historikisht, gjithmonë shkojmë një hap para, një pas dhe nevoja për të reflektuar për ‘Sense of Purpose’ besoj se është e nevojshme gjatë gjithë kohës”, ka thënë ai.

Në programin e edicionit të gjashtë përfshihen filmat “Rrugës” i Samir Karahodës, “Si e verdhë e sëmurë” i Norika Sefës, “Krahët e punëtorëve” i Ilir Hasanajt, “Everybody calls Redjo” i Ibër Dearit, “Pesë stinët e fëmijërisë sime” i Besim Ugzmajlit, “Luna Park” i Florenc Papas, “Gülizar” i Belkis Bayrak dhe “She asked me where I was from” nga Aulona Fetahaj.
Aty janë gjithashtu edhe filmat “17 o’clock” nga Flaka Kokolli, “Dandelion” nga Fiona Obertinca, “My grandfather – A desk for each pupil” nga Hena Krasniqi, “Return to Kosovo” nga Ben Harding, Donald Harding, Emma Strauss dhe Julius Strauss, “Unwanted” nga Edon Rizvanolli dhe “Wie lange bleibt ihr noch” nga Jasmin Rai dhe Arnit Likaj.
Tash e tre vjet, Festivali ka një vend mysafir për edicion, që e shënon bashkëpunimin me një festival të shtetit përkatës. Fillimisht qe Greqia e vjet Bosnjë-Hercegovina ku u shfaq një listë filmash nga Festivali i Filmit në Sarajevë. Sivjet vijnë filmat nga Portugalia si rrjedhojë e bashkëpunimit të “Kino Kosova” me festivalin portugez “Doclisboa”
Në programin “Close-up: Portugal” shfaqen filmat “Silvestre” nga João César Monteiro, “Rio Corgo” nga Maya Kosa dhe Sergio da Costa, “Ghosts: Long way home” nga Tiago Siopa, “Canticle of all creatures” nga Miguel Gomes, “The moving garden” nga Inês Lima, “Motu Maeva” nga Maureen Fazendeiro dhe “The earth of no return” nga Patrick Mendes.
Drejtuesi i festivalit, Sabahet Meta, ka thënë se dy vendet e para si mysafire të ngjarjes ishin zgjedhur si formë e bashkëpunimit duke i kapërcyer kufijtë e politikës.
“I kemi përzgjedhur këto dy vende pikërisht për shkak të ngjashmërive në traditë e kulturë si popuj që jetojnë në një regjion të përbashkët në Ballkan, por në anën tjetër ku ndikimet politike takohen midis këtyre shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën si shtet. Ka qenë një përpjekje e komuniteteve artistike për t’i krijuar këto hapësira ku mund të sillen bashkë dhe të shpalosin punimet e pikëpamjet e tyre”, ka thënë ai.
E, Portugalia si mysafire këtë edicion, siç ka shpjeguar Meta, vjen me të përbashkëtat që kanë komuniteti portugez dhe ai shqiptar në Zvicër.
“Me Portugalinë, politikisht nuk e kemi këtë problem, por kemi një ngjashmëri, sidomos këtu në Zvicër, sepse është një prej komuniteteve më të mëdha të diasporës këtu. Është diçka që e lidh me diasporën e Kosovës. Ata kanë filluar më herët të migrojnë në Zvicër dhe kanë pasur, mbase jo arsye të njëjta, por kanë pasur komplikime politike dhe tash këto dy komunitete luajnë një rol goxha të rëndësishëm për shtetin e Zvicrës, qoftë nga ana ekonomike, kulturore e ajo e sportit, siç dihet”, ka thënë Meta më tej.
Në kuadër të programit “Swiss Shorts” vijnë filmat “Zimní Monology” nga Manuel Karel Seiler, “Heroine - Necessary Objects”, nga Liza T. Raheem, “Il Grido Del Populismo” nga Julius Lange, “1:10” nga Sinan Taner, “Métallismes” nga Lou Rambert Preiss, “Unser Name Ist Ausländer” nga Selin Besili, “Cottage Cheese” nga Liina Luomajoki, Lena Metzger, Janina Müller dhe Alice Kunz, “Two Point Five Stars” nga Sina Lerf, Dario Marti dhe Dario Boger, si dhe filmi “Gahts No Lang?” nga Marion Zeder, Raul Bison dhe Sven Kristlbauer.
Shfaqje e veçantë janë filmat e projektit “Re-Connect” të punuar në bashkëpunim midis Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër “DokuFest” dhe festivalit të filmit “Kino Kosova”. Këtë vit të rinjtë nga Zvicra dhe ata nga Kosova u bashkuan në Prizren duke eksploruar tema si identiteti, trashëgimia kulturore, demokracia dhe të drejtat e njeriut.
Në kuadër të Festivalit, më 10 shtator do të hapet edhe ekspozita nga artisti Yll Xhaferi. Muzika nuk do të mungojë, e kënga shqiptare, përfshirë edhe ajo tradicionale, vjen nga Agona Sporta me kuintet ku prezantohet albumi i saj “Hape portën”, ndërsa dy panele diskutimi e përforcojnë temën e sivjetme “Sense of Purpose”.
Më shumë se festival filmi, “Kino Kosova” vjen si platformë për nxitjen e lidhjes së veçantë midis Zvicrës dhe Kosovës. Ai synon të trajtojë aspekte të ndryshme në shoqëritë kosovare dhe evropiane, duke përfshirë tema si migracioni, gjinia, vizat dhe ligjet, shpresat dhe betejat.