“Kleintheater” në Luzern të Zvicrës, më 7 shkurt do të jetë nikoqire e premierës së “King Lori – Instagration” me tekst të Jeton Nezirajt. Nën regji të Katharina Cromme ajo vjen si dramë politike, por që zanafillën e ka te ngjarja e tre vjetëve më parë, kur Loredana Zefi u bë e dyshuar në një mashtrim prej 900 mijë frangash
Në vitin 2019 këngëtarja Loredana Zefi do të bënte bujë pasi dyshohej se bashkë me të vëllain ia kishin marrë 900 mijë franga një zviceraneje. Ndalimi i saj nga policia kishte marrë vëmendje nga mediat zvicerane e shqiptare. Në Prishtinë ajo kishte mbajtur edhe një konferencë për media.
Kjo histori e shqiptares së famshme që jeton në Luzern është kthyer në shfaqje teatri. Do të jepet pikërisht në Zvicër. “King Lori – Instagration” mban titullin shfaqja me tekst të Jeton Nezirajt, që do ta ketë premierën më 7 shkurt në “Kleintheater”, në Luzern të Zvicrës. Shfaqja që do të jepet edhe më 8 shkurt është në kuadër të edicionit të dytë të festivalit zviceran “Unfrisiert”. Nën regji të Katharina Cromme, ku luajnë aktoret Sysanne Avelein dhe Marie Gesien, “King Lori – Instagration” vjen si dramë politike.
Shfaqja është produksion i “Zürcher Institut für bewegende Künste”, Qendrës “Multimedia” nga Prishtina dhe “Kleintheater” në Luzern.
“Origjina dhe ‘kredibiliteti’ i rrugës. Këngë dhe debate. Pushteti dhe media. Ndjekësit në rrjete sociale dhe zgjedhjet. ‘King Lori – Instagration’ është një dramë për dy personazhe imagjinare; Loredanën dhe Ylfeten”, shkruhet në përshkrimin që i është bërë shfaqjes. Aty sqarohet se nëpërmjet muzikës dhe debatit, shfaqja ndriçon makinacionet kontroverse të yllit të muzikës, Loredana dhe politikanes së suksesshme, Ylfetës.

“Të dyja nga Lucerni, të dyja me sfond emigrimi. Por krijuesit e kësaj shfaqjeje, megjithatë insistojnë që këto dy personazhe janë imagjinare. Si në ndonjë përrallë, ose nga Netflix-i, ose nga Instagrami”, shkruhet në përshkrimin që i është bërë dramës.
Pos Loredana Zefit bëhet fjalë edhe për një personazh tjetër. Atë të politikanes së suksesshme shqiptare në Zvicër, Ylfete Fanës.
Dramaturgu Jeton Neziraj ka thënë se çdo inskenim i ndonjë drame është i rëndësishëm për autorin.
“Por kur këto inskenime ndodhin në vende të tjera, atëherë inskenimi merr peshë pak më të madhe. Ëndrra e shumicës së dramaturgëve është të kenë sa më shumë inskenime ndërkombëtare të dramave të tyre”, ka thënë ai. Nuk e ka parë ende shfaqjen. Do të jetë i pranishëm në premierë.
“I njoh mirë punën dhe stilin e saj, Katherina Cromme është regjisore shumë e mirë, me këtë regjisore kam punuar edhe më herët, para ndoshta rreth dhjetë vjetësh”, ka thënë ai. Për Nezirajn nuk është hera e parë që bashkëpunon me teatrin “Kleintheater” në Luzern, pasi aty iu inskenua edhe shfaqja “Kosovo for Dummies dhe Sworn Virgin” më 2018.
“Kam shpresë që edhe ‘King Lori – Instagration’ do të pritet mirë, edhe për faktin që ka si personazhe dy figura interesante; njëra e botës së muzikës e tjetra e politikës”, ka thënë ai.
Në fund të shtatorit të vitit të kaluar, Neziraj në një intervistë për emisionin “Express” në KTV kishte folur edhe për këtë dramë. Kishte thënë se merret me tema të vështira të politikës ballkanase. Kishte treguar se pos Loredana Zefit personazh do të ishte edhe Ylfete Fanaj, personalitet politik i rëndësishëm në Zvicër e presidente e regjionit kantonial të Zürichut.
“Para dy vjetësh e përcollëm skandalin me Loredanën, dhe aktin e plaçkitjes të asaj plakës zvicerane, dhe ngadalë erdhëm tek ideja ta trajtojmë fatin e një këngëtareje të suksesshme të Zvicrës dhe përtej Zvicrës, e cila për t’i mbajtur reputacionin dhe famën, inskenon edhe skandale të plaçkitjes, të cilat në njëfarë mënyre fuzionojnë karrierën e saj”, kishte thënë ai. Kishte shtuar se në fund gjyqi akoma po vazhdon, por krejt u pa si një inskenim medial. Sipas tij, akti i saj te publiku zviceran u perceptua si “një këngëtare me prejardhje nga Kosova”.
“Ndërkohë e kemi edhe një personazh tjetër të suksesshëm si Ylfetja, e cila është e integruar në jetën sociale politike dhe merr shumë më pak vëmendje. Pra, është dramë që merret me migracionin dhe raportin e emigrantëve me shoqërinë pritëse, në këtë rast me shoqërinë zvicerane”, kishte thënë Neziraj. Drama pritet të shfaqet në muajin mars edhe ne Kosovë në qytetet e ndryshme, si Prishtinë, Gjilan e Ferizaj.