Kulturë

“Fluturimi mbi teatrin e Kosovës” i heq maskën sabotazhit në Ferizaj

“Fluturimi mbi teatrin e Kosovës” i heq maskën sabotazhit në Ferizaj

Në versionin e saj më të ri, kasta e shfaqjes është ndërruar dhe kjo premierë në Ferizaj ka qenë krejt e freskët me interpretimin e kastës së re. Kryefjalë e shfaqjes të shtunën kanë qenë aktorët Blin Mani, Nexhat Xhokli, Dardane Mehmeti, Sherif Bega e Elton Tahiri dhe përtej pengesave, skena u ndriçua. Zërat që u ngritën në skenë, por edhe ata pas saj, treguan një proces që u përjetua si ngarkesë, por edhe si çlirim

“Fluturimi mbi teatrin e Kosovës” me tekst të Jeton Nezirajt dhe me regji të Agon Myftarit, është dhënë premierë të shtunën mbrëma në Teatrin “Adriana” në Ferizaj, pas disa javësh me përplasje të heshtura dhe presione institucionale që ishin përpjekur ta pengojnë ose ta deformojnë rrëfimin e shfaqjes. Pak ditë pasi teksti i shfaqjes ishte verifikuar nga ana e Teatrit “Adriana” më 15 maj, përfaqësues të Komunës së Ferizajt, konkretisht nga Drejtoria e Kulturës dhe një grup i veteranëve të UÇK-së, kërkuan ndryshime në përmbajtje, në titull, si dhe shtyrje të datës së premierës

Nganjëherë shfaqjet teatrore nuk fillojnë me hapjen e perdeve. Fillojnë më herët. Në Ferizaj premiera e fundit ka nisur shumë më përpara se aktorët të hynin në skenë.

“Fluturimi mbi teatrin e Kosovës” me tekst të Jeton Nezirajt dhe me regji të Agon Myftarit, është dhënë premierë të shtunën mbrëma në Teatrin “Adriana” në Ferizaj, pas disa javësh me përplasje të heshtura dhe presione institucionale që ishin përpjekur ta pengojnë ose ta deformojnë rrëfimin e shfaqjes. Pak ditë pasi teksti i shfaqjes ishte verifikuar nga ana e Teatrit “Adriana” më 15 maj, përfaqësues të Komunës së Ferizajt, konkretisht nga Drejtoria e Kulturës, dhe një grup i veteranëve të UÇK-së, kërkuan ndryshime në përmbajtje, në titull, si dhe shtyrje të datës së premierës.

Përballë refuzimit të autorëve dhe të teatrit për të ndërhyrë në veprën e shkruar, mbështetja institucionale për projektin është tërhequr gradualisht. Kontratat me aktorët nuk janë nënshkruar me kohë, nuk janë siguruar materialet bazike të skenografisë dhe është shmangur komunikimi i zakonshëm për ngjarjen. Premiera, që ishte planifikuar fillimisht për 7 qershor, ishte shtyrë për 14 qershor, jo për arsye teknike, por si pasojë e këtij tensioni të brendshëm që është fshehur pas frazave të kujdesshme institucionale. Por kjo nuk e ka ndalur fluturimin. Përkundrazi, e ka forcuar arsyen përse ai duhej të ndodhte.

Muajin e kaluar, derisa krerët e Komunës së Ferizajt nuk patën dhënë përgjigje, kryetari i Degës së Ferizajt të OVL-së së UÇK-së, Afrim Mehmeti pati thënë se ata  “nuk kanë hequr skena”. “Nuk e pengojmë. Pas 12 qershorit le ta bëjnë”, pati thënë ai.

“Nuk kam dijeni se kush është ekipi, por, tash pavarësisht përmirësimit, ne vetëm nuk e kemi parë të arsyeshme të shfaqet deri më 12 qershor, në Ditën e Çlirimit. Pasi ne jemi pjesë e agjendave të këtyre organizimeve së bashku me Komunën, kemi qenë kundër këtij aktiviteti. Ne kemi qenë kundër shfaqjes, pasi fillimi i saj kishte qenë me skena shumë denigruese për pjesëtarët e udhëheqësit e luftës, për disa ndodhi që i kanë përçmuar, përdhosur, etiketuar. Nuk kemi qenë shumë të gatshëm që ajo shfaqje të jepet në kohën kur ne kemi organizime deri më 12 qershor”, pati thënë Mehmeti në kohën kur ishte vënë në pikëpyetje dhënia e shfaqjes.

Në vija të trasha “Fluturimi...” është një satirë politike. Siç ishte parë në Prishtinë në dhjetorin e vitit 2012, shfaqja flet për një trupë teatrore të Kosovës në prag të shpalljes së Kosovës shtet që po orvatet të krijojë një shfaqje. Por shfaqja e parë e shtetit më të ri dështon, njësoj sikur edhe fjalimi i kryeministrit. Atë botë, shfaqja kishte qenë nën regjinë e Blerta Nezirajt dhe kanë luajtur Bajrush Mjaku, Anisa Ismaili, Adrian Aziri, Ernest Malazogu dhe Adrian Morina.

Në versionin e saj më të ri, kasta e shfaqjes është ndërruar dhe kjo premierë në Ferizaj ka qenë krejt e freskët me interpretimin e kastës së re. Kryefjalë e shfaqjes të shtunën kanë qenë aktorët Blin Mani, Nexhat Xhokli, Dardane Mehmeti, Sherif Bega e Elton Tahiri dhe përtej pengesave, skena u ndriçua. Zërat që u ngritën në skenë, por edhe ata pas saj, treguan një proces që u përjetua si ngarkesë, por edhe si çlirim. Nga regjisori deri tek aktorët, të gjithë flasin për një rrugëtim jo vetëm artistik, por edhe emocional – ku satira u bë mekanizëm mbijetese.

Regjisori Agon Myftari e ka konsideruar këtë projekt si një nga përvojat më të veçanta në punën e tij, sidomos për shkak të bashkëpunimit të ngushtë me aktorët që, sipas tij, kanë qenë të përkushtuar dhe të besueshëm qysh në ditët e para.

“Për mua është hera e dytë që punoj në teatër dhe me këta aktorë kam bashkëpunuar edhe më herët, por gjithmonë kënaqësi kur bashkëpunon me aktorë që janë bashkëpunues, profesionistë, të cilët e duan punën e tyre dhe të cilët për projektin në fjalë janë po aq entuziastë sa regjisori. Entuziazmi i tyre qysh prej ditës së parë dhe besimi i tyre mbi të gjitha në regjisorin dhe në konceptin, besimi i verbër dhe pa pikë dyshimi në konceptin tim dhe në punën time e në metodat e mia si regjisor është gjithmonë ajo që të jep njëfarë shtytjeje që të mos e ndiesh procesin e provave si të lodhshëm”, ka thënë regjisori Myftari për KOHËN pas përfundimit të shfaqjes.

Ai e ka cilësuar shfaqjen si një satirë të thellë ndaj realitetit të pasluftës në Kosovë, që përfshin temat e ndërhyrjes politike në art dhe kompromiset që shpesh bëhen mes artistëve dhe pushtetit.

“Drama është një kritikë, një komedi, por që është një kritikë dhe një satirë mbi shumë fenomene në Kosovën e pasluftës, në këtë shtetndërtimin e brishtë të Kosovës, në shpalljen e pavarësisë e të tjera, por ka për synim që t’i kritikojë veset e kësaj shoqërie, qofshin ato të komunitetit artistik, në mënyrën se qysh ka funksionuar teatri në krejt këto vitet e pasluftës, qofshin në burokracinë e pushtetit, ose ndërhyrjen e politikës në botën e artit, qoftë flirtimi mes artistëve dhe politikanëve e këto tema që ne fillimisht kemi dashur t’i trajtojmë si komedi dhe satirë na u aktualizuan me ngjarjet që ndodhën kur ne e filluam procesin, me një sabotazh dhe me një lloj censure në forma të ndryshme”, ka shtuar ai më tej.

Për të, tentativa për censurë që shoqëroi procesin krijues, ndonëse e padëshiruar, shërbeu si një nxitje e mëtejme për t’i zgjeruar dimensionet artistike të veprës.

“Fillimisht, të jem i sinqertë e kam filluar si një komedi për teatrin ‘Adriana’ në Ferizaj, por nuk kisha qenë aq sa duhet i vetëdijshëm që shfaqja do të marrë një konotacion ende më shumë politik dhe që edhe një vepër që është shkruar në 2012-n të jetë kaq aktuale edhe në 2025-tën. Të ndodhë në 2025-tën çfarëdo tendence prej kujtdo që ta censurojë fjalën artistike, fjalën e lirë në skenë, ka qenë sa absurde, aq edhe na ka dhënë material që në formë krejt artistike, në formë satire, na i ka çelur disa dimensione të kreativitetit artistik, me të cilin e kemi trajtuar këtë problem”, ka treguar ai shqetësimin kur patën filluar me projektin.

Aktori Sherif Bega e ka vlerësuar bashkëpunimin me regjisorin dhe ekipin si shumë të frytshëm, duke theksuar se puna intensive e përbashkët është kurorëzuar me një premierë të suksesshme.

“Bashkëpunimi ka qenë shumë i mirë, është projekti i dytë që bashkëpunoj me Agonin, kemi kaluar shumë mirë me një punë intensive të komplet ekipit dhe rezultati u pa sot, u prit shumë mirë dhe jemi shumë të lumtur si ekip i Teatrit të Ferizajt. Shumë po shpresoj që kjo shfaqje do ta ketë një jetëgjatësi, në bazë të reagimeve të publikut dhe jemi shumë të lumtur për një produkt kaq të bukur që sollëm para publikut në Ferizaj”, ka thënë për KOHËN aktori Bega që në shfaqje e luan rolin e sekretarit nga Ministria e Sportit.

Ai ka nënvizuar se pavarësisht sfidave të hasura jashtë skene, trupa nuk është dorëzuar. Sipas tij, përkushtimi i artistëve dhe qëndrueshmëria e institucionit kanë qenë vendimtare për ta çuar shfaqjen deri në fund.

“Ajo që ka shumë rëndësi nga ana jonë artistike, ne si aktorë e kemi kryer punën tonë. Problemet anësore nëse mund t’i quaj, janë probleme të dikujt tjetër që te ne kanë ndikuar në fillim të procesit, por nuk jemi dorëzuar dhe falë mosdorëzimit të teatrit dhe ne si aktorë, u pa rezultati në fund dhe jemi shumë të lumtur për këtë që kemi qëndruar stoikë dhe u krye si premierë shumë e suksesshme”, ka shtuar ai.

Edhe për aktorin Nexhat Xhokli, i cili e luan rolin e Dilaverit – një aktori pijanec që dështon ta sjellë rolin e vet në shfaqjen të cilën e kanë planifikuar për inskenim në ditën e pavarësisë – procesi krijues ka qenë një përvojë kolektive e suksesshme, ku secili prej anëtarëve të ekipit ka kontribuuar me pasion. Ai ka theksuar se komedia është pritur shumë mirë nga publiku, gjë që, sipas tij, dëshmon se mesazhet e saj janë kuptuar qartë.

“Të gjithë jemi ‘bashkëfajtorë’ në këtë proces kaq të bukur që e kemi kaluar bashkë me regjisorin Agonin, natyrisht autori i tekstit, Jeton Neziraj e ka bërë punën e vet, por bazuar në reagimet e publikut duhet të jemi shumë të kënaqur, sepse vërtet u kuptua shumë mirë komedia dhe ajo na bëri që ne thjesht të fluturojmë në skenë”, ka thënë aktori Xhokli për KOHËN.

Lidhur me zhurmën që shoqëroi projektin, ai është shprehur se ndoshta gjithçka ka ardhur si rezultat i keqkuptimeve, por që vendosmëria e trupës ka mundësuar realizimin e shfaqjes, pavarësisht turbulencave fillestare.

“U bë shumë zhurmë për asgjë, në fakt. Ne artistët nuk jemi të prirë të konstatojmë gjëra që nuk na përkasin, por vërtet ndoshta e mira e të mirës është që t’i quajmë keqkuptime e keqinterpretime, por ne ishim të vendosur që shfaqja duhet të bëhet dhe e bëmë shfaqjen, pavarësisht të gjitha atyre turbulencave të fillimit që ishin, por shfaqja doli dhe mendoj e suksesshme”, ka shtuar ai tutje.

Shfaqja që në Ferizaj qe sabotuar, ishte dhënë në Athinë muajin e kaluar. Pos premierës, shfaqja e inskenuar nën regji të Enke Fezollarit kishte edhe 14 repriza dhe nga shtatori janë planifikuar edhe 12 repriza të tjera. 

Por skena gjithmonë i mban mend ata që guxojnë. Dhe arti, sado të pengohet, ka mënyrat e veta për të hyrë në frymëmarrjen kolektive. “Fluturimi mbi teatrin e Kosovës” nuk është vetëm një shfaqje. Është një dëshmi e prekjes së ndërgjegjes kulturore.