Kulturë

“King Lori...” me skandalin e Loredanës, nis turneun nëpër Kosovë

Shfaqja e cila bazohet në historinë e dy figurave publike shqiptare në Zvicër ka nisur turneun në Kosovë. “King Lori – Instagration” me tekst të Jeton Nezirajt, që kishte premierën më 7 shkurt në “Kleintheater” në Luzern, sonte prej orës 19:00 do të jepet në Teatrin e Gjilanit. Të mërkurën do të jetë në teatrin “Adriana” në Ferizaj e të enjten dhe të premten në teatrin “Oda” në Prishtinë.

Në vitin 2019 këngëtarja Loredana Zefi do të bënte bujë pasi dyshohej se bashkë me të vëllain ia kishin marrë 900 mijë franga një zviceraneje. Ndalimi i saj nga policia kishte marrë vëmendje nga mediat zvicerane e shqiptare. Në Prishtinë ajo kishte mbajtur edhe një konferencë për media.

Kjo histori e shqiptares së famshme që jeton në Luzern është kthyer në shfaqje teatri.

Nën regji të Katharina Cromme, ku luajnë aktoret Sysanne Avelein dhe Marie Gesien, “King Lori – Instagration” vjen si dramë politike.

Shfaqja është produksion i “Zürcher Institut für beëegende Künste”, qendrës “Multimedia” nga Prishtina dhe “Kleintheater” në Luzern.

“Origjina dhe ‘kredibiliteti’ i rrugës. Këngë dhe debate. Pushteti dhe media. Ndjekësit në rrjete sociale dhe zgjedhjet. ‘King Lori – Instagration’ është një dramë për dy personazhe imagjinare; Loredanën dhe Ylfeten”, shkruhet në përshkrimin që i është bërë shfaqjes. Aty sqarohet se nëpërmjet muzikës dhe debatit shfaqja ndriçon makinacionet kontroverse të yllit të muzikës, Loredana, dhe politikanes së suksesshme, Ylfete.

“Të dyja nga Lucerni, të dyja me sfond emigrimi. Por krijuesit e kësaj shfaqjeje megjithatë insistojnë që këto dy personazhe janë imagjinare. Si në ndonjë përrallë, ose nga Netflixi, ose nga Instagrami”, shkruhet në përshkrimin që i është bërë dramës.

Pos Loredana Zefit bëhet fjalë edhe për një personazh tjetër. Atë të politikanes së suksesshme shqiptare në Zvicër, Ylfete Fana.