Kulturë

“King Lori – Instagration” në botën paralele, politikisht korrekte

Loradana është ajo që i dha frymë një skandali, ndezi shkëndijën e një drame për teatër, e në të sotmen nëpërmjet saj zbërthehet fenomeni i të jetuarit në flluskën e botës paralele. E kundërta e saj është një figurë e njohur shqiptare në Zvicër, që famën nuk e nxjerr prej “Instagramit”, por prej përfshirjes në shoqërinë zvicerane. Si shtyllë e rrëfimit është “korrektësia politike”, përderisa zbërthehen tema si ato për identitetin e emigracionin

Këngëtarja Loredana Zefi është “mbretëreshë” për llojin e muzikës që bën. Sidomos në botën gjermanofone. Këngët e saj marrin miliona klikime në “YouTube”. Sa ka art të mirëfilltë në karrierën e saj e pastaj çka është arti, janë tema që nuk përfundojnë kurrë. Por si emër i “showbizit” Loredana është e pakontestueshme.

Si personazh e ka ngritur nivelin. Ka hyrë në teatër dhe është bërë palë e temash që janë goxha përmbajtjesore e të kësaj kohe.

Loredana e portretizuar nga aktorja zvicerane, Marie Gesien, në shfaqjen “King Lori – Instagration”, vjen me atë “brishtësinë” e rebelizmin e vet. Përballë ka një tjetër grua të njohur në Zvicër, e cila ka prejardhje shqiptare, Ylfete Fanën, që është politikane e njohur në Federatën Helvetike. Si karakter dhe jo vetëm, është antipod i së parës.

Dramaturgu Jeton Neziraj e regjisorja Katharina Cromme i përballin ato në shfaqjen që është produksion i “Zürcher Institut für bewegende Künste”, qendrës “Multimedia” nga Prishtina dhe “Kleintheater” në Luzern. Në Zvicër pati premierën botërore në shkurt e në Kosovë ka ardhur këtë javë. Pas Gjilanit e Ferizajt, të enjten në teatrin “Oda” në Prishtinë, Loredana ka “dalë” nga “Instagrami” drejt e në skenë. Normalisht nëpërmjet “Instagramit”, ka thënë se kushdo që luan me reputacionin e saj do të përballet me pasoja ligjore.

Historia zë fill në vitin 2019 kur ajo u bë sensacion mediatik duke u akuzuar se bashkë me të vëllain kishin arritur ta mashtronin një të moshuar zvicerane, duke ia marrë rreth 900 mijë franga. Asokohe raportohej se i vëllai i saj me të moshuarën ishin “takuar” nëpërmjet një aplikacioni për aktivitete horizontale. Shfaqja zë fill te ky problem që më shumë vjen si skandal i përgatitur që Loredana ta mbajë veten në treg. Kësisoj e rrëfen ajo si personazh.

Por, shfaqja që krejt skenografinë e ka një telefon gjigant, hyn në të tjera telashe të shtetit zviceran. Integrimi i shqiptarëve është një temë e rëndë si për ata që kanë lënë Kosovën edhe për nikoqirët.

Ylfete Fana është rrëfim suksesi sa i përket integrimit. Politikania e suksesshme vjen përballë Loredanës si një grua me reputacion të mirë në publik dhe e cila nuk prodhon drama me bashkëshortin e saj zviceran. E Loredana do që të qëndrojë shqiptare në stilin që ajo e konsideron shqiptar.

Diskutimet me situata humori në përmbajtje adresojnë shumë probleme. Flitet se si kur një keqbërës ka rrënjë shqiptare, në media raportohet edhe për rrënjët e tij. Të qenët politikisht korrekt në raport me komunikimin publik në Zvicër, prek edhe teatrot. Loredana lut Ylfeten që nëse e dënojnë me kthim në Kosovë ajo të intervenojë që ta mbajnë në burg në Zvicër. Krejt drama shtrihet mbi tema që nuk gjejnë zgjidhje.

Aktorja Sysanne Avelein, që portretizon Ylfete Fanën, pas shfaqjes ka thënë se është shumë i veçantë portretizimi i personazhit që nuk është imagjinar, por real e që s’e ka takuar kurrë. Ka sqaruar se në shfaqje nuk është Ylfetja e vërtetë në idenë e karakterit të saj.

“Kur u ftova në shfaqje thashë më vete jam gjermane dhe nuk vij nga Kosova. Mendoja se si mund të luaj një grua që është me prejardhje shqiptare. Mendoj se është një pyetje e madhe dhe a është politikisht korrekte. Këtë pastaj e kemi futur me Jetonin edhe në shfaqje. Është një temë e madhe kjo në Zvicër dhe këtu përmendim se përse pyesim për aktore shqiptare në Zvicër”, ka thënë ajo.

Gjatë shfaqjes shtrohet pyetja nëse publiku njeh ndonjë aktore shqiptare në Zvicër. Në skenë thuhet se është një. E ironia se a kanë shqiptarët talent për të qenë aktorë pastaj hyn në kuadër të sitës se a është politikisht korrekt të thuhet kësisoj.

Dramaturgu Jeton Neziraj, autor i tekstit, ka thënë se në Zvicër shfaqja është pritur shumë mirë nga publiku e mediat pasi është në kontekstin zviceran. Ka treguar se në premierë ishte edhe politikania Ylfete Fanaj. Sipas tij, ajo e kishte pëlqyer shfaqjen.

“Tash në Kosovë është një kontekst tjetër. Problemet me emigracionin e kosovarët që janë të lindur atje e me rrënjë këtu është më problematike të kuptohen. Por edhe publiku këtu i ka përcjellë këto gjëra. Shfaqja mendoj se kaloi mirë edhe sonte dhe kishte interesim”, ka thënë ai.

Problemet me integrimin Neziraj ka thënë t’i ketë hulumtuar më shumë, gjatë procesit të shkrimit, por i kishin rënë në sy edhe më përpara. Sipas tij, janë probleme komplekse me të cilat shoqëria zvicerane ballafaqohet çdo ditë.

“Në një anë i kemi problemet e identitetit, të emigracionit, çështjet se a je zviceran nëse nuk ke pasaportë zvicerane. Ajo fjali që u përsërit se nëse e kryen një krim dhe je nga Kosova të dërgojnë në Kosovë e nëse je zviceran të çojnë në burg”, ka thënë Neziraj.

Ka treguar se tjetër është se si prezantohen të huajt në teatrot zvicerane.

“Pra, përpjekja për të qenë politikisht korrekt. Kjo i ka dhënë teatrit zviceran disa kufizime pasi duke u përpjekur të jenë politikisht korrektë, janë krijuar disa klishe e korniza prej të cilave artistët e kanë më vështirë të dalin. Duke qenë politikisht korrekt mandej limitohen disa aspekte të lirisë skenike”, ka thënë ai.

Edhe Ylfetja si personazh mundohet që gjatë gjithë kohës të jetë politikisht korrekte. Por, natyrisht se në raport me Loredanën s’ka çfarë sqaron pasi këngëtarja është në botën e vet paralele.

Regjisorja Katharina Cromme ka thënë se sa i përket integrimit, fjala “përfshirje” është shumë aktuale në Zvicër dhe duhet përfshirë njerëz me prejardhje të ndryshme. E për atë që është vendosur në skenë, ka thënë se nuk dihet nëse plaçkitja ishte e vërtetë pasi rasti u zhduk me gjasë shkaku i një marrëveshjeje midis Loredanës dhe palës tjetër. Ajo ka thënë se shfaqja nxjerr në pah se si njerëzit paraqiten në rrjete sociale e si janë në jetë të përditshme.

“Shfaqja nuk ofron përgjigje, por më shumë shtron pyetje se si mund ta pozicionosh veten, çfarë është korrekte, a do të jesh korrekt apo jo, si prezantohesh e si i prezanton njerëzit me rrënjë të ndryshme....”, ka thënë ajo.

Ylfete Fana, pas premierës në Zvicër, kishte sjellë në repriza edhe miq të saj për ta parë dramën. E Loredana zor se do ta shohë inskenimin e tekstit që zuri fill pas skandalit të saj. Në “Instagram” nuk e ka të mundur ta shohë. E të dalë nga “Instagrami” për të shkuar në teatër, i bie ta bëjë njëfarë “Instagration”.