Kulturë

“King Lori–Instagration” kthehet në Zvicër me botën paralele të dy shqiptareve

Shfaqja e cila ka në fokus dy shqiptare me nam në Zvicër do të kthehet në Konfederatën Helvetike.

“King Lori – Instagration” pas premierës në Lucern, në fillim të vitit dhe turneut nëpër Kosovë, në shtator do të shfaqet në Zürich dhe Zug.

Në Hyperlokal të Zürichut do të jepet për pesë net me radhë, me 1, 3, 5, 6 dhe 7 shtator, nga ora 20:00, kurse më 9 shtator, nga ora 20:00, do të shfaqet në Chollerhalle në Zug.

Me tekst të Jeton Nezirajt e regji të Katharina Cromme, shfaqja përvihet edhe nga kasta e aktorëve Susanne Abelein dhe Marie Gesien.

Këngëtarja Loredana Zefi është “mbretëreshë” për llojin e muzikës që bën. Sidomos në botën gjermanofone. Këngët e saj marrin miliona klikime në “YouTube”. Sa ka art të mirëfilltë në karrierën e saj e pastaj çka është arti, janë tema që nuk përfundojnë kurrë. Por si emër i “showbizit”, Loredana është e pakontestueshme.

Si personazh e ka ngritur nivelin. Ka hyrë në teatër dhe është bërë palë e temave që janë goxha përmbajtjesore e kësaj kohe.

Loredana e portretizuar nga aktorja zvicerane, Marie Gesien, në shfaqjen “King Lori – Instagration”, vjen me atë “brishtësinë” e rebelizmin e vet. Përballë ka një tjetër grua të njohur në Zvicër, e cila ka prejardhje shqiptare, Ylfete Fanën, që është politikane e njohur e Zvicrës.

Dramaturgu Jeton Neziraj e regjisorja Katharina Cromme i përballin ato në shfaqjen që është produksion i “Zürcher Institut für bewegende Künste”, Qendrës “Multimedia” nga Prishtina dhe “Kleintheater” në Luzern. Në Zvicër pati premierën botërore në shkurt e në Kosovë ka ardhur po në atë muaj. Loredana ka “dalë” nga “Instagrami” drejt e në skenë. Normalisht nëpërmjet “Instagramit”, ka thënë se kushdo që luan me reputacionin e saj do të përballet me pasoja ligjore.

Historia zë fill në vitin 2019 kur ajo u bë sensacion mediatik duke u akuzuar se bashkë me të vëllain kishin arritur ta mashtronin një të moshuar zvicerane, duke ia marrë rreth 900 mijë franga. Asokohe raportohej se i vëllai i saj me të moshuarën ishin “takuar” nëpërmjet një aplikacioni për aktivitete horizontale. Shfaqja zë fill te ky problem që më shumë vjen si skandal i përgatitur që Loredana ta mbajë veten në treg. Kësisoj e rrëfen ajo si personazh.

Dramaturgu Jeton Neziraj ka thënë se është i gëzuar qe kjo shfaqje do të ketë edhe disa repriza të tjera në Zürich e Zug.

“Kur qe dhënë premierë këtë fillimvit në Lucern, pati marrë reagime shumë të mira nga publiku dhe kritika, para së gjithash, për shkak të temës relevante që trajton. Shpresoj që edhe tani pritet mirë. Është shfaqje e thjeshtë, krejt e pazakonshme për stilin tim të të shkruarit të dramave”, ka thënë ai.

Ylfete Fana është rrëfim suksesi sa i përket integrimit. Politikania e suksesshme vjen përballë Loredanës si një grua me reputacion të mirë në publik dhe e cila nuk prodhon drama me bashkëshortin e saj zviceran. E Loredana do që të qëndrojë shqiptare në stilin që ajo e konsideron shqiptar.

Diskutimet me situata humori në përmbajtje adresojnë shumë probleme. Flitet se si kur një keqbërës ka rrënjë shqiptare, në media raportohet edhe për rrënjët e tij. Të qenët politikisht korrekt në raport me komunikimin publik në Zvicër, prek edhe teatrot. Loredana lut Ylfeten që nëse e dënojnë me kthim në Kosovë ajo të intervenojë që ta mbajnë në burg në Zvicër. Krejt drama shtrihet mbi tema që nuk gjejnë zgjidhje.

“Të dyja nga Lucerni, të dyja me prapavijë emigrimi. Por, krijuesit e kësaj shfaqjeje, megjithatë këmbëngulin që këto dy personazhe janë imagjinare. Si në ndonjë përrallë, ose nga ‘Netflx-i’, ose nga ‘Instagrami’”, shkruhet në njoftimin e ekipit.