Kinemaja e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit do të hapë dyert për publikun me një program e mënyrë të veçantë: do të pranojë kërkesat e publikut se cilin titull filmi e përzgjedh. I pari film i cili të premten do të ndezë projektorin e kësaj kinemaje për këtë program është “Vdekja e kalit”, nën regji të Samir Kumbaros, produksion i vitit 1992, i cili është restauruar së fundmi. Do të shfaqet në version digjital.
“Kinemaja e institucionit do të jetë në dispozicion të publikut për shfaqje në ekranin e madh të filmave në ditët dhe oraret e kërkuara nga ju, duke filluar nga e premtja, datë 6 maj 2022”, thuhet në njoftimin që AQSHF-ja ka afishuar në faqen e vet në Facebook. Pos “Vdekjes së Kalit” ka edhe një tjetër program. Filmi do të shfaqet me introduksion mbi restaurimin dhe prezantime videosh para dhe pas restaurimit, me praninë e artistëve dhe autorëve të filmit.
“Çdo ditë pas datës 6 maj 2022, ju lutemi dërgoni kërkesën tuaj për shfaqje në adresën ????@?????.???.??, duke lajmëruar titullin e dëshiruar nga fondi i AQSHF-së si dhe datën e orarin e parapëlqyer. Stafi i AQSHF-së do t’ju kontaktojë për konfirmimin”, thuhet në njoftim.
Fondi i Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit – me një historik që daton që prej vitit 1947 – ka rreth 6 mijë e 500 tituj filmash të huaj e vendorë.
Në vitin 2000 u inaugurua “Salla 2000” e shfaqjeve të filmit me 80 vende, ku funksionojnë aparatet optike të projeksionit të dhuruara nga Televizioni Shqiptar. Më 2010 u funksionalizua kinemaja e AQSHF-së, e restauruar rishtazi dhe e pajisur me aparatura të reja projeksioni, ku nisën shfaqjet e rregullta të fondit filmik sipas një kalendari të përgatitur nga redaksia.