Për shtatë ditë filmi shqiptar “Vdekja e kalit”, që u shfaq pas restaurimit, mblodhi tre mijë shikues.
Filmi me regji të Saimir Kumbaros e me skenar të Nexhati Tafës ishte realizuar më 1992. Timo Flloko, Rajmonda Bulku e Niko Kanxheri janë ndër aktorët që bartin barrën kryesore të rrëfimit.
Është punuar goxha gjatë që ky film të rishfaqet për publikun. Por kësaj radhe duhej të ishte me cilësi maksimale. Shfaqja u bë në kanalin zyrtar në “YouTube” të Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit nga data 19 deri më 26 maj. Për publikun ndërkombëtar qe i qasshëm edhe me mundësi që të kuptojnë dialogët nëpërmjet titrave në anglisht.
Restaurimi dhe prezantimi i filmit “Vdekja e kalit” (The Death of a Horse) u mundësua falë programit Sezoni i Filmave Klasikë (A Season of Classic Films), nismës së Shoqatës së Kinematekave Evropiane – ACE (Association des Cinémathèques Européennes), ku AQSHF është anëtare prej 2019, dhe me mbështetjen financiare të programit “Creative Europe MEDIA”. Gjithashtu, sipas medieve shqiptare, filmi u restaurua falë punës së ekspertit izraelit të restaurimit Shai Drori dhe kineastit australian Steven Kastrissios.
Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit ka njoftuar se “gjatë ditëve që u shfaq ky film u ndoq nga 2977 shikues kudo në botë. Shikuesit, ndër të tjera, ishin nga Japonia në Gjeorgji, të cilët e ndoqën online restaurimin ‘Vdekja e kalit’, ndërsa vijnë lajme të mira nga partnerët tanë në laboratorin ‘Cinegrell’, Zvicër ku po restaurohet filmi i parë artistik shqiptar, ‘Tana’”.