Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Konkurs për projekte filmike në fundvit, buxheti ende i papërcaktuar

Konkurs për projekte filmike në fundvit, buxheti ende i papërcaktuar

Qendra Kinematografike e Kosovës me konkursin e sivjetmë prezanton tri kategori të reja: bashkëprodhim minor për film të metrazhit të shkurtër, mbështetje për shkrim të skenarit për serial televiziv dhe film i metrazhit të shkurtër bazuar në materiale arkivore

Zgjerimi i kategorive është risia e konkursit të sivjetmë për subvencionimin e projekteve filmike, “tradita” e vonesës vazhdon e se cili është buxheti në dispozicion, ende nuk ka shifër. Në bazë të Ligjit mbi ndarjet buxhetore për këtë vit, si “subvencione dhe transfere” te Qendra Kinematografike e Kosovës figurojnë 2 milionë euro. Buxheti del të jetë edhe “halli” i hapjes së konkursit në fund të shtatorit.

Qendra Kinematografike e Kosovës e ka bërë traditë viteve të fundit që në procesin e konkursit për subvencionimin e projekteve filmike të ketë vonesa në hapje ose në vlerësime. Sivjet ka shtuar tri kategori të reja, por ende s’e di se sa është kapaciteti financiar për këtë konkurs. E, në bazë të Ligjit mbi ndarjet buxhetore për këtë vit, si “subvencione dhe transfere” te QKK-ja figurojnë 2 milionë euro. Buxheti del të jetë edhe “halli” i hapjes së konkursit në muajin shtator.

Sipas konkursit të hapur javën e kaluar, Qendra Kinematografike e Kosovës prezantoi tri kategori të reja: bashkëprodhim minor për film të metrazhit të shkurtër, mbështetje për shkrim të skenarit për serial televiziv dhe film i metrazhit të shkurtër bazuar në materiale arkivore. Kategoritë e tjera janë tradicionale: film i metrazhit të gjatë – artistik, film i metrazhit të gjatë – dokumentar, film i metrazhit të gjatë – me buxhet të ulët, avangardë/eksperimental, bashkëprodhim minor për film të metrazhit të gjatë – artistik dhe dokumentar, film i metrazhit të shkurtër – artistik, film i metrazhit të shkurtër – i animuar, film i metrazhit të shkurtër – dokumentar, film i metrazhit të shkurtër – studentor, mbështetje për shkrim të skenarit për film të metrazhit të gjatë – artistik dhe i animuar, zhvillim i projektit për film të metrazhit të gjatë – artistik, dokumentar dhe i animuar dhe post-produksion për film të metrazhit të gjatë – artistik dhe dokumentar.

Janë gjithsej 14 kategori. Konkursi i hapur në ditën e 23-të të shtatorit do të jetë i hapur deri më 25 tetor në orën 00:00.

Drejtoresha e Qendrës Kinematografike të Kosovës, Blerta Zeqiri, sa i përket hapjes së konkursit në këtë kohë, ka thënë se kanë qenë të angazhuar që, përmes procesit të planifikimit dhe rishikimit buxhetor, të krijojnë mundësi sa më të mira për mbështetjen e kinematografisë dhe, në veçanti, për këtë thirrje.

“Ka qenë e rëndësishme për ne që, para hapjes së konkursit, të kemi një pasqyrë sa më të qartë të mundësive buxhetore, me synimin që mbështetja për projektet filmike të jetë sa më gjithëpërfshirëse. Në këtë kuadër, kemi pritur deri në këtë fazë të vitit, duke pasur parasysh edhe mundësinë e sigurimit të mjeteve shtesë për sektorin. Proceset përkatëse janë ende në zhvillim dhe, për këtë arsye, kemi konsideruar të rëndësishme që konkursi të hapet tani, duke ruajtur njëkohësisht hapësirën për ta përcaktuar pasqyrën përfundimtare të mjeteve në dispozicion në përputhje me procedurat ligjore”, ka thënë ajo. Por, pavarësisht kësaj, s’ka ofruar të dhëna për shumën që institucioni ka në dispozicion për këtë thirrje.

“Sa i përket shumës së saktë të mjeteve që do të jenë në dispozicion për këtë thirrje, ajo do të përcaktohet në përputhje me procedurat e përcaktuara me Rregulloren (MKRS) Nr. 02/2023 për konkurset dhe mbështetjen financiare të veprave filmike dhe audiovizuale. Sipas këtyre procedurave, buxheti në dispozicion për thirrjen i bëhet i ditur jurisë në mbledhjen e parë të saj, pas përfundimit të afatit të konkursit. Kjo mundëson që deri në atë fazë të kemi një pasqyrë sa më të saktë të mjeteve në dispozicion dhe të bëhet planifikimi përkatës në funksion të procesit të vlerësimit”, ka thënë ajo. Sipas Zeqirit, për këtë arsye, në këtë fazë nuk do të ishte e drejtë të japin një shifër përfundimtare.

“Ajo që mund të them është se synimi ynë ka qenë që të krijojmë hapësirë për një mbështetje sa më të mirë të projekteve dhe se çështja e mundësive buxhetore është trajtuar edhe në kuadër të procesit të rishikimit dhe planifikimit financiar”, ka thënë ajo.

Por Ligji mbi ndarjet buxhetore përcakton se sivjet QKK-ja ka në dispozicion 82 mijë euro për paga dhe shtesa, 97 mijë euro për mallra dhe shërbime dhe 2 milionë euro për subvencione dhe transfere. Sipas drejtoreshës Zeqiri, qëllimi i institucionit është që procesi i kësaj thirrjeje të zhvillohet dhe të përfundojë brenda këtij viti, në përputhje me afatet dhe procedurat e përcaktuara.

Ka thënë se kategoritë e reja janë pjesë e përpjekjes së QKK-së për ta përshtatur skemën e mbështetjes me nevojat që janë evidentuar në komunitetin e filmit gjatë viteve të fundit.

“Ato janë diskutuar dhe kërkuar në forma të ndryshme nga kineastët dhe profesionistët e sektorit dhe ne kemi konsideruar se është momenti që disa prej këtyre nevojave të reflektohen edhe në thirrjen publike”, ka thënë ajo. Sipas Zeqirit, për kategorinë e zhvillimit të skenarit për seriale televizive ka pasur kërkesë në vazhdimësi nga komuniteti i kineastëve.

“Është një fushë që po merr gjithnjë e më shumë rëndësi në industrinë audiovizuale dhe besojmë se krijimi i hapësirës për zhvillimin e projekteve të tilla është një hap i rëndësishëm. Natyrisht, në të ardhmen do të donim të krijoheshin mundësi që mbështetja të shtrihej edhe në fazën e prodhimit të serialeve televizive”, ka thënë ajo. E për mbështetjen për bashkëprodhime minoritare në film të shkurtër artistik, dokumentar dhe animacion, ka thënë se krijon mundësi veçanërisht për kineastët e rinj që të përfshihen më herët në mekanizmat e bashkëprodhimit ndërkombëtar dhe të ndërtojnë përvojën e nevojshme profesionale.

“Ideja është që përvoja e fituar përmes projekteve të shkurtra të mund të shërbejë më vonë edhe në zhvillimin e projekteve të metrazhit të gjatë”, ka thënë Zeqiri. E me kategorinë për filma të bazuar në materiale arkivore kanë për qëllim që fondet dhe materialet arkivore të përdoren më shumë si burim për krijimin e veprave të reja filmike.

“Kosova disponon materiale arkivore me vlerë të veçantë dhe besojmë se ato mund të jenë pikënisje për histori dhe qasje të reja kinematografike. Në përgjithësi, zgjerimi i kategorive synon që QKK-ja të krijojë një skemë mbështetjeje që i përgjigjet më mirë zhvillimeve dhe nevojave të sektorit, duke krijuar mundësi në faza të ndryshme të zhvillimit të një vepre audiovizuale dhe duke nxitur njëkohësisht profesionalizimin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar të kineastëve tanë”, ka thënë Zeqiri.

Rëndom, kur hapet konkursi, kinematografët u ikin deklarimeve publike në raport me thirrjen, pasi planifikojnë t’ia mësyjnë konkursit. Përkrahja e skenarëve për seriale televizive shihet si pozitive, por veç për seriale të shkurtra me nga 5-6 episode dhe varësisht nga përmbajtja.

Vjet, pas vonesave e shtyrjeve të afateve, dy muaj para përfundimit të vitit, Qendra Kinematografike e Kosovës ka përmbyllur odisenë e përkrahjes së projekteve filmike. Qenë përkrahur 48 projekte nga një përzgjedhje prej 126 aplikimesh. Financiarisht qenë fiks një milion e 900 mijë euro të ndara për filma artistikë, eksperimentalë, të animuar e dokumentarë. Qenë përkrahur tre filma të metrazhit të gjatë artistikë. Në krye të listës ishin filmat: “Lost Frames” me regjisor e skenarist Samir Karahodën, “Adet” me regjisor Mentor Shalën e skenariste Lyra Xhocin, si dhe filmi “Lumi” me regjisor e skenarist Edon Rizvanollin. I pari kishte marrë buxhet prej 303 mijë eurosh, pasuar prej “Adetit” me 280 mijë dhe “Lumit” me 230 mijë. Kategoria e filmit të gjatë kishte hisen më të madhe të buxhetit, në tërësi 813 mijë euro.