Kulturë

Qendra Kinematografike i kthehet thirrjes për propozim për “Oscar” pas dy vjetësh pa kandidat

qkk

“Në këtë kategori përfshihen filmat e metrazhit të gjatë artistik, dokumentarë dhe të animuar më të gjatë se 40 minuta, që janë shfaqur-do të shfaqen në kinema apo platformë VOD, për më së paku 7 ditë radhazi, jo më herët se 1 tetor 2024 dhe jo më vonë se 30 shtator 2025”, shkruhet në thirrje

Të hënën Qendra Kinematografike e Kosovës ka hapur thirrjen duke i ftuar të gjithë të interesuarit të dërgojnë propozime “për konsiderim për çmimet e akademisë “OSCAR”, për kategorinë për film ndërkombëtar-gjuhë të huaj, i cili mund ta përfaqësojë Kosovën në edicionin e 98-të të “Academy Awards”. Përderisa më 2023, QKK-ja, pavarësisht thirrjes, s’kishte dërguar propozim e më 2024 s’kishte as thirrje, tash ka hapur thirrje që t’i shqyrtojë propozimet. Pas dy vjetësh “pauzë”, Kosova mund të ketë kandidat për “Oscar”

Qendra Kinematografike e Kosovës synon që sivjet të ketë propozim për “Oscar”. Përderisa më 2023, QKK-ja, pavarësisht thirrjes, s’kishte dërguar propozim e më 2024 s’kishte as thirrje, tash ka hapur thirrje që t’i shqyrtojë propozimet. Pas dy vjetësh “pauzë”, Kosova mund të ketë kandidat për “Oscar”.

Të hënën Qendra Kinematografike e Kosovës ka hapur thirrjen duke i ftuar të gjithë të interesuarit të dërgojnë propozime “për konsiderim për çmimet e akademisë “OSCAR”, për kategorinë për film ndërkombëtar-gjuhë të huaj, i cili mund ta përfaqësojë Kosovën në edicionin e 98-të të “Academy Awards”.

“Në këtë kategori përfshihen filmat e metrazhit të gjatë artistik, dokumentarë dhe të animuar më të gjatë se 40 minuta, që janë shfaqur- do të shfaqen në kinema apo platformë VOD, për më së paku 7 ditë radhazi, jo më herët se 1 tetor 2024 dhe jo më vonë se 30 shtator 2025”, shkruhet në thirrje. Aty sqarohet se gjatë periudhës kualifikuese dhe gjatë shfaqjes në kinema, filmi duhet të reklamohet dhe shfrytëzohet në atë mënyrë që konsiderohet normale dhe e zakonshme me praktikat e shpërndarjes së filmave të dedikuar për shfaqje të parë në kinema.

“Filmat të cilët, në një formë apo tjetrën, realizojnë shfaqje publike jo në kinema dhe shpërndarje para shfaqjes kualifikuese, nuk do të merren në konsideratë për çmimet ‘OSCAR’. Shfaqje publike jashtë kinemave konsiderohen të jenë (por jo të kufizuara në): transmetimi dhe televizioni kabllor, PPV/VOD, shpërndarje DVD, shpërndarje gjatë fluturimeve ajrore, transmetime në internet etj”, shkruhet në thirrjen që do të qëndrojë e hapur deri më 21 korrik.

Vjet QKK-ja fillimisht kishte heshtur në raport me moshapjen e thirrjes. Më pas drejtoresha e këtij institucioni kishte treguar se kishin disa probleme.

“Ne kishim një problem me e-mail, po them është problem shumë teknik, i cili na ndodhi ashtu siç ndodhi dhe nuk e kemi pranuar me kohë e-mailin për propozime që vjen nga ‘Oscari’. Momentin kur neve na u kujtua që, ‘pse nuk erdhi ai e-mail?’, dhe kur kemi shikuar pse nuk ka ardhur, veçse ishte shumë vonë. Kemi kërkuar, kemi telefonuar dhe kemi bërë çmos për të na lejuar ta krijojmë komisionin, mirëpo fatkeqësisht nuk ia arritëm”, kishte thënë Zeqiri në fund të dhjetorit në një intervistë për emisionin “Nëpër film” në Kohavision. 

Mundësia ishte humbur, pasi koha e shpalljes së kandidatëve ka qenë deri më 2 tetor. Më 2023 së paku e hapi thirrjen. Por në fund të shtatorit kishte njoftuar se nuk do të ketë kandidat. Kishte thënë se për një dekadë të tërë Kosova ka zhvilluar bashkëpunime dhe vazhdon si e tillë të rrisë marrëdhëniet me akademinë e çmimeve “Oscars” dhe komunitetin e tij vlerësues. Por, sipas QKK-së, pas trajtimit të aplikimeve të atij viti, anëtarët e Komitetit Selektues kishin vendosur të mos propozonin film për edicionin e “Oscars 2024”.

“Mendoj që sivjet kemi pasur një vit shumë të suksesshëm sa i përket filmit të shkurtër. Filmi i metrazhit të gjatë ka qenë i suksesshëm, por sa kemi pasur informata ne, asnjë nga filmat nuk i ka plotësuar kushtet që duhej t’i kishte, që premierat t’i kenë shënuar në vend dhe në kinema e të tjera e që do të mund të aplikonte. E them me aq informata që kemi pasur. Megjithatë, kjo nuk na shfajëson, sepse ne nuk do të thotë se i dimë të gjitha dhe duhet secilin vit të hapet konkursi. Ka ndodhur një problem teknik shumë banal, i cili më mirë është të mos flitet sesa të flitet, dhe ai ka qenë shkaku, të themi një mosmenaxhim i situatës, barra e së cilës më bie mua në këtë rast si drejtuese e institucionit”, ka thënë Zeqiri gjatë intervistës. 

Por sipas vetë asaj, disa prej filmave kanë pasur mundësi të shfaqen nëpër kinematë e Kosovës për t’i plotësuar kushtet për aplikim. 

“Kanë qenë ‘Bota jonë’ i Luana Bajramit, ‘Okarina’ dhe filma të tjerë. Nuk u humbet shansi, sepse mund ta bëjnë këtë edhe vitin e ardhshëm dhe do të ketë më shumë filma në momentin kur e hapim konkursin për aplikime. Prapë po e them, ky ka qenë një... nuk shfajësohet fakti që nuk e kemi hapur konkursin sivjet, është një rrethanë lehtësuese që nuk ka pasur filma të cilët i kishin plotësuar kushtet, por kjo nuk ka qenë arsyeja e moshapjes së konkursit”, ka thënë Zeqiri. 

Vjet në mes të nëntorit, Qeveria e Kosovës miratoi Rregulloren për të drejtën e rabatit, me të cilën ekzekutivi është i bindur se Kosova bëhet top-destinacion për veprimtari filmike. Nëse një kompani e huaj ia mësyn të realizojë film, videolojëra e videoklip, shteti do t’ia kthejë 30 për qind të shumës direkte që ka investuar në Kosovë. Përderisa për dikë kjo është mundësi shumë e mirë për ta promovuar vendin e për të ndikuar te komuniteti i filmit, për dikë rabati diskriminon kineastët vendorë dhe i hap rrugë skemës së mashtrimit. Por shteti i Kosovës synon që të bëhet konkurrent krahas vendeve të tjera që u ofrojnë mundësi e lehtësira kompanive të mëdha kinematografike. 

Vjet KOHA kishte raportuar se me zvarritjet që e kanë mbërthyer tash e sa kohë, në fundvit Qendrës Kinematografike të Kosovës i është mbështjellë filmi. Më pak se tri javë pa përfunduar viti, kishte hapur konkursin për projekte filmike, të cilin kishte dështuar ta hapte me kohë edhe më 2023.

E sivjet Qendra Kinematografike e Kosovës e ka zgjatur afatin e aplikimit për mbështetje të projekteve filmike për thirrjen e  fundit. Konkursi i hapur më 22 maj ishte planifikuar që të kishte afat për aplikim deri më 25 qershor. Mirëpo duke marrë parasysh numrin e aplikacioneve deri në mëngjesin e së hënës, ka vendosur që afati të zgjatet deri në përfundim të ditës së 7 korrikut.

Paraprakisht, Qendra Kinematografike e Kosovës kishte përzgjedhur që prej 12 projekteve kinematografike për filma të gjatë artistikë, t’i mbështesë vetëm tre prej tyre. Ky numër shihej si i vogël sa i përket mbështetjes, por institucioni më i lartë filmik në vend planifikonte që të hapte një tjetër thirrje. Kësisoj, të paktën sipas vitit kalendarik, QKK-ja i bie që vjet ka hapur veç një konkurs dhe atë veç për një kategori. Konkursi qe hapur në dhjetor, kurse rezultatet qenë bërë të ditura në fund të shkurtit.