Kulturë

Kërkohet shkarkimi i kërcënuesit ndaj “55 shades of gay” nga pozita në MKRS

Organizatat Csgd Kosovo, Youth Initiative for Human Rights - Kosovo (YIHR KS), Qendra Kosovare për Studime Gjinore dhe Civil Rights Defenders, kanë kundërshtuar emërimin e Xheladin Krasniqin, në pozitën e zëvendësuesit të Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS).

Para katër vjetësh Krasniqi nëpërmjet një komenti kishte kërcënuar pjesëtarët e komunitetit LGBT.

Këto organizata i kanë bërë thirrje Ministrisë që ta shfuqizojë emërimin e Krasniqit nga pozita e zëvendësuesit të Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Kulturës.

Krasniqi, më 2019, sa ishte zyrtar i arkivit në Ministrinë e Drejtësisë, kishte postuar një koment trerreshtash me plot gabime, por mjaftueshëm për ta kuptuar mesazhin. Teksa e quante “degjenerim të skajshëm” shfaqjen “55 shades of gay”, thoshte se do “t’ua hiqte kokën me shpatë”. Por paraprakisht preferonte që me shpatë të bënte një tjetër veprim.

“Uuuuu çfarë degjenerimi i skajshëm. E shpat e bi bre. Mir ish kon para se me ju hjek kokën, me ja u rras shpaten ne b...”, kishte shkruar ai në Facebook duke i komentuar produksionit të shfaqjes, qendrës “Multimedia”.

KOHA të mërkurën ka shkruar për emërimin e Krasniqit, vendim ky që është mbrojtur nga kabineti i ministrit Hajrulla Çeku.

KOHA ka provuar që të mërkurën të kontaktojë me zëvendësuesin e sekretarit të përgjithshëm, Xheladin Krasniqi, por kjo ka qenë e pamundur nëpërmjet numrit të tij të telefonit.

E në reagimin e organizatave thuhet se komentet dhe qëndrimet homofobike nuk kanë vend në pozitat drejtuese. “Veçanërisht brenda Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit - si institucioni më i lartë shtetëror kompetent për çështjet kulturore, ku do duhej të mbrohej e promovohej diversiteti dhe përfshirja. Andaj është e papranueshme që një person me qëndrime të tilla të jetë në një pozitë publike ku merren shumë vendime të rëndësishme kulturore për shoqërinë”, thuhet në reagimin e katër organizatave.

Sipas reagimit të tyre individë të tillë mund të sjellin perspektiva diskriminuese që mund të ndikojnë negativisht në proceset e vendimmarrjes.

“Për të siguruar që politikat dhe vendimet kulturore të kësaj Ministrie janë të drejta, giithëpërfshirëse dhe respektojnë të drejtat e të gjithë qytetarëve, është thelbësore të caktohen individë që mbështesin këto vlera dhe të kenë një angazhim të demonstruar për të promovuar një shoqëri të larmishme dhe të pasur kulturore”, thuhet në reagim.

Sipas tyre zgjedhja e Krasniqit në këtë pozitë bie ndesh me parimet e barazisë, mosdiskriminimit dhe gjithëpërfshirjes.

“Ky emërim e bën një nga institucionet më të rëndësishme shtetërore të paqasshme për komunitetet LGBTI+”, thuhet në reagim.

Sipas tyre është detyrë thelbësore e institucioneve të Kosovës që të përkushtohen për të respektuar të drejtat e njeriut dhe parimin e mosdiskriminimit dhe gjithëpërfshirjes për të gjithë qytetarët.

“Ne e dënojmë kategorikisht çdo formë diskriminimi, homofobie, transfobie, apo fjalim të urrejtjes që targeton komunitetet LGBTI+ ose ndonjë grup të tjerë të margjinalizuar. Retorika e tillë shërben vetëm për të përhapur ndarje, frikë dhe jotolerancë. Ne besojmë thellësisht në fuqinë e dialogut dhe aktivizmit për të sfiduar paragjykimet dhe për të ndërtuar ura të kuptimit”, thuhet në reagim.