Kulturë

Kërcënuesi ndaj “55 shades of gay” merr pozitë të lartë në Ministrinë e Kulturës

Para gati katër vjetësh, organeve të rendit u kishte dalë punë me një zyrtar shtetëror i cili nëpërmjet një komenti kishte kërcënuar pjesëtarë të komunitetit LGBT, por një kapitull si ky s’e ka penguar Ministrinë e Kulturës që Xheladin Krasniqin ta emërojë zëvendësues të sekretarit. Skandal e ka cilësuar organizata “Multimedia”, në adresë të së cilës qe bërë kërcënimi në lidhje me shfaqjen “55 shades of gay”

Në shkurt të vitit 2019 institucioneve të shtetit do t’iu dilte punë me një zyrtar të administratës. Prokuroria, Policia e Ministria e Drejtësisë ishin aktivizuar pasi zyrtari Xheladin Krasniqi nuk ishte përmbajtur në raport me një shfaqje që trajtonte politikat për komunitetin LGBTIQ+. Krasniqi, asokohe zyrtar i arkivit në Ministrinë e Drejtësisë, kishte postuar një koment trerreshtash me plot gabime, por mjaftueshëm për ta kuptuar mesazhin. Teksa e quante “degjenerim të skajshëm” shfaqjen “55 shades of gay”, thoshte se do “t’ua hiqte kokën me shpatë”. Por paraprakisht preferonte që me shpatë të bënte një tjetër veprim.

“Uuuuu çfarë degjenerimi i skajshëm. E shpat e bi bre. Mir ish kon para se me ju hjek kokën, me ja u rras shpaten ne b...”, kishte shkruar ai në Facebook duke i komentuar produksionit të shfaqjes, qendrës “Multimedia”. Distancimi i Ministrisë së Drejtësisë nga kjo deklaratë, një komision disiplinor e 48 orë mbajtje nga Policia ishin disa prej masave.

Por për Ministrinë e Kulturës ky rast është i mbyllur dhe nuk paraqet pengesë që Krasniqi nga vetë ministri Hajrulla Çeku të emërohet zëvendësues i sekretarit të përgjithshëm të institucionit më të lartë të kulturës në vend. Vendimin për këtë emërim, ministri Çeku e ka marrë më 30 gusht.

Ky vendim është mbrojtur nga kabineti i ministrit Çeku.

“Sipas deklaratës së Xheladin Krasniqit të cilën e ka dhënë në Policinë e Kosovës, po ashtu në Gjykatë, për rastin që ka ndodhur në vitin 2019 ai e ka pranuar që reagimi i tij ka qenë nën afekt dhe për komentin që e ka bërë ka kërkuar falje, duke shtuar se nuk ka pasur dhe vazhdon të mos ketë asgjë kundër komunitetit LGBT”, shkruhet në përgjigjet që ia ka dhënë KOHËS kabineti i ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku. Aty shkruhet se Krasniqi ka punuar për 13 vjet në Administratë Shtetërore dhe lidhur me këtë angazhim ka të gjitha vlerësimet pozitive deri tani.

“Në pozitën e zëvendësuesit të sekretarit të MKRS është caktuar përkohësisht, kjo derisa të përfundojë procedura e rregullt e zgjedhjes së sekretarit të përgjithshëm dhe pastaj do të kthehet në pozitën e tij të mëhershme”, shkruhet në përgjigje. Paraprakisht Krasniqi ishte zëvendësues i drejtorit në Zyrën për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta. KOHA ka provuar që të mërkurën të kontaktojë me zëvendësuesin e sekretarit të përgjithshëm, Xhelafin Krasniqi, por kjo ka qenë e pamundur nëpërmjet numrit të tij të telefonit.

Kur Krasniqi e kishte bërë komentin e tij, shfaqja “55 shades of gay” po jepej në teatrin “Oda”. Menjëherë pas komentit ambienti ishte siguruar nga Policia e Kosovës. Asokohe qendra “Multimedia” kishte reaguar ashpër kundër thirrjes së Krasniqit.

Kurse emërimin e tij në pozitën e dytë të lartë në Ministrinë e Kulturës, udhëheqësi i kësaj qendre, dramaturgu Jeton Neziraj, e sheh si skandal.

“Keq, shumë keq që MKRS-ja është bërë strehë e këtij individi të kalifatit të shpatave, që dikur haptas kërkonte prerje kokash për pjesëtarët e LGBTIQ+! Keq, dy herë keq. Së pari që dëgjoj që ai tip vazhdon të punojë në administratën shtetërore dhe edhe më keq që tani ka ardhur të punojë në MKRS! Natyrisht, ka kërkuar falje, ka bërë be e rrfe që ‘ka gabuar’ me komentin e tij, dhe kalifati kulturor në MKRS i ka besuar”, ka thënë Neziraj. Sa i përket qasjes së MKRS-së ka shkruar edhe më tej.

“Ja, kjo është ajo reforma e madhe që na e ka premtuar MKRS-ja. Vërtet jam pa fjalë! Skandal i pafalshëm”, ka thënë Neziraj.

Qendra “Multimedia” që ai udhëheq kishte reaguar ngjashëm edhe kur kishte ndodhur rasti në shkurt të vitit 2019.

Xheladin Krasniqi asokohe ishte ndaluar nga Policia e Kosovës për 48 orë.

“Lidhur me rastin e kërcënimit ndaj LGBT, pas veprimeve policore, me aktvendim të prokurorit kompetent, një personi të dyshuar i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. PK vazhdon me hetimet policore”, shkruhej në përgjigjen që Policia ia kishte dhënë KOHËS të enjten e 14 shkurtit 2019.

Asokohe kishte qenë ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, që kishte reaguar ndaj komentit që kishte bërë Krasniqi. Ishte distancuar nga gjuha e përdorur nga zyrat e institucionit që drejton.

“Zyrtari në fjalë është punonjës i zyrës së arkivit pranë Ministrisë së Drejtësisë dhe i njëjti në rrjetin social F​acebook ka përdorur një gjuhë që nuk përkon as me logjikën institucionale, as me vlerat kolektive të shoqërisë sonë dhe as me orientimin tonë drejt respektimit të plotë të dinjitetit, tolerancës dhe të drejtave të qytetarëve siç janë definuar nga Kushtetuta e vendit”, kishte thënë ai nëpërmjet një reagimi si ministër. E kishte dënuar fuqishëm përdorimin e një gjuhe të tillë, e cila, sipas Tahirit, është e papranueshme në institucionin që drejtonte dhe Ministria e Drejtësisë distancohej plotësisht nga kjo gjuhë dhe frymë skandaloze.

Në anën tjetër qendra “Multimedia” i kishte bërë thirrje Prokurorisë e Policisë së Kosovës që të merren me rastin e personit që, sipas tyre, ka përdorur gjuhë fashiste.

“Ekipi i ‘55 shades of gay’ e ka kuptuar seriozisht kërcënimin e zyrtarit të Ministrisë së Drejtësisë dhe në këtë kontekst ne duam të ftojmë Prokurorinë që të hetojë këtë rast, këtë kërcënim publik. Në të njëjtën kohë, ne apelojmë në Ministrinë e Drejtësisë për të ndërmarrë masa ndaj zyrtarit të saj dhe të distancohet nga komentet e tilla fashiste”, shkruhej në reagim. Sipas “Multimedias”, “një zyrtar si ky me mendime talebane e që thërret që artistëve duhet hequr kokat me shpata” nuk duhet të ketë vend në institucionet e Republikës së Kosovës.

Ishte klubi teatror “La MaMa” në New York një prej kompanive më me renome në Shtetet e Bashkuara që për herë të parë i kishte bërë vend një shfaqjeje nga Kosova. Prej 7 deri më 17 mars për tetë herë radhazi shfaqja “55 shades of gay”, me tekst të dramaturgut Jeton Neziraj e regji të Blerta Rrustemi-Nezirajt ishte dhënë në “la MaMa”. Shfaqja, që ishte dhënë premierë në Kosovë në shator të vitit 2017, në New York qe dhënë në “Ellen Stewart Theatre”, që mban pikërisht emrin e themelueses së kompanisë, regjisores e producentes së njohur e cila vdiq më 2011 në moshën 91-vjeçare.

“’55 shades of gay’ ishte një rrëfim burlesk për politikat rreth komunitetit LGBTI në Ballkan dhe Evropë. Politikanët lokalë të Ballkanit përpiqen të manipulojnë e mashtrojnë zyrtarët e Bashkimit Evropian, mercenarët humanitarë të organizatave joqeveritare ndërkombëtare, e që goxha shpesh e shfrytëzojnë terrenin homofob për të vjelë fonde e për të realizuar projektet e tyre sociale e edukative − të tipit të punëtorive e seminareve për mënyrën e përdorimit të kondorëve − ndërsa që zyrtarë të BE-së, duke shfrytëzuar pozitën e tyre superiore financiare e politike, përpiqen t’i nënshtrojnë të gjithë”, shkruhet në përshkrimin që i është bërë shfaqjes. Aty sqarohet se me këtë manipulim, abuzim e nënshkrim, pyetjet që shtron shfaqja janë: “A është i mundur një çlirim seksual në Ballkan? Ose, a mundet Ballkani ta nisë një ‘pranverë ballkanike të revolucionit seksual’?”