Kulturë

Këngëtarja e tregimeve jetësore me nota të jazzit

Këngëtarja turke, Elif Çağlar, thotë se me këngët e saj gjithherë mundohet të shpalosë histori personale e histori të të tjerëve, me shpresën që çdokush do ta gjejë brenda tyre një pjesë të vetes. Është e gjitha për jetën, për gjërat që ajo i kalon, apo për ato që i sheh njerëzit e tjerë duke i kaluar.

“Një milion vende na i kanë treguar, por nëse nuk mund të ëndërrojmë, atëherë cila është dobia e të diturit”, thotë ajo te kënga “Everyone’s Error” nga albumi i parë "M-U-S-I-C" (2011). Albumi ka edhe dhjetë këngë të tjera e laramania theksohet që nga titujt. Te “Home”, këngëtarja kujton ndjenjën kur mungon shtëpia, “Should I Trust You” është për vështirësinë për të besuar përsëri në dashuri e “Everybody is an Artist in New York”, sjell një pasqyrë nga metropoli amerikan. Atje këngëtarja jetoi për disa vjet. Fillimisht kishte shkuar në vitin 2006, për të përfunduar studimet master për jazz në “Queens College” në departamentin “The Aaron Copland School of Music”, ku mësoi nga legjenda e muzikës jazz, vokalistja Sheila Jordan.

Këngëtarja nga Turqia, në një intervistë për KOHËN, tregon se gjatë pandemisë, më së shumti po shkruan këngë. Po ashtu, praktikon gjëra të cilat thotë se nuk i ishte dhënë mundësia që t’i bënte më herët, për shkak të udhëtimeve dhe koncerteve.

“Jam duke u fokusuar se ku dëshiroj që të shkoj më tutje me muzikën time”, thotë ajo në një komunikim online, në fillim të qershorit, fiks tre muaj pasi ajo bashkë me grupin e saj interpretoi para audiencës në Prishtinë. Ishte gati dhjetë ditë para se Kosova, ashtu sikurse krejt bota, të izolohej për shkak të pandemisë me COVID-19. Çağlar, s’është e panjohur për publikun vendor. Si mysafire e edicionit të tretë të “Prishtina Jazz Week” ka qenë ardhja e saj e katërt në Kosovë. Në koncert qe shoqëruar nga Çagri Sertel në piano, Volkan Hursever në kontrabas dhe Ediz Hafizoglu në bateri.

Muzika si ditar

“Dashuria është universale, dashuria është fondamentale, dashuria është përgjigjja”, këndon Çağlar në “Universal Love” nga albumi i saj i parë. Te ky album është edhe kënga “Circus Love”, videoklipi i së cilës është në fakt një film i shkurtër i animuar i realizuar nga regjisorja turke Akile Nazli Kaya, produksion i vitit 2012. Çağlar përmes këngëve të saj flet për vendet që ëndërron t’i vizitojë, e të “You Are Safe” përshkruan ndjenjat kur dikush bie në dashuri.

“Ti je arsye përse po buzëqeshi dhe po këndoj këtë këngë”, këndon ajo te kënga që bashkë me 9 të tjera, përfshirë edhe këngën “Pieces Of Heaven”, e plotësojnë mozaikun e albumit të dytë "Misfit" (2015).