Kulturë

Këngëtarja turke dhe miqtë thurin në jazz rrëfimin për dashurinë

Prishtinë, 5 mars – Këngëtarja turke Elif Çağlar është kthyer përsëri në kryeqytet. Kësaj radhë për ndjekësit e muzikës së saj dhe adhuruesit e jazzit pati një program të veçantë. Në koncertin e natës së dytë të “Prishtina Jazz Week” solli kompozime origjinale. Mbrëmja iu dedikua muzikës dhe dashurisë.

“Muzika ka fuqinë për të shëruar. Ajo që dëshirojmë të gjithë është dashuria. Të gjithë kemi nevojë për të”, ka thënë këngëtarja gjatë koncertit. Elif Çağlar, e shoqëruar nga Çagri Sertel në piano, Volkan Hursever në kontrabas dhe Ediz Hafizoglu në bateri, solli këngë nga tri albumet e saj: "M-U-S-I-C" (2011), "Misfit" (2015) dhe "The Art of Time" (2018), sikurse edhe nga përmbledhja e këngëve me emrin "Hafif Batı Müziği" e vitit 2014.

Elif Çağlar që në minutat e para të koncertit, që zgjati rreth dy orë, tregoi se për herë të parë po sjell kompozimet e saj para publikut kosovar.

“Shpresoj që t’ju pëlqejnë”, ka thënë fituesja e disa çmimeve, përfshirë edhe çmimin “Best Jazz Music Artist” në edicionin e 11-të dhe të 13-të të “Radio Boğaziçi Music Awards”. Ajo nuk është e panjohur për publikun në Kosovë.

“Është hera e katërt apo e treta që jam këtu, pasi që kam ardhur me projekte të tjera. Këtë herë ishte diçka e veçantë, pasi që pas shtatë vjetëve kam ardhur për herë të parë me këngë origjinale dhe me bendin tim. Secilën herë që vij këtu të gjithë janë shumë mikpritës dhe publiku është mahnitës. Si çdo herë ishte kënaqësi për ne”, ka thënë Çağlar. “Catch Us If You Can”, “Plate”, “A Sad Melody”, “Teselli” ishin disa nga këngët që ajo solli.

Pianisti Çagri Sertel, i cili ka punuar me këngëtaren edhe në albumin e saj të fundit “The Art of Time”, ka thënë se sa herë që ka ardhur në Prishtinë është argëtuar goxha. Ka veçuar mikpritjen e publikut e ka përgëzuar organizatorët e “Prishtina Jazz Week”.

Në natën e tretë të “Prishtina Jazz Week” ka interpretuar Marcos Varela e sot (e enjte) do të interpretojë “Broken Circles” e Joel Ross. Nata e fundit, mbrëmja e së premtes, do t’i takojë formacionit të ri të Prishtinës që në qendër ka jazzin, “Prishtina Big Band”. Çdo natë pas mbahen edhe “Jazz sesion” në “Zanzi Jazz Club” në Prishtinë. E gjatë ditës në “Dit’ e Nat’” duke filluar nga ora 15:30 janë mbajtur punëtori me muzikantë të ndryshëm.

(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)