Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Karl Marksi para kohës së tij

Sa modern ishte Karl Marksi? Një ekspozitë në Muzeun e Historisë së Gjermanisë në Berlin tregon se pse ky filozof i madh gjerman vazhdon të jetë i rëndësishëm edhe sot.

Ishte i martuar me një partnere po aq të aftë sa edhe ai: Po të mos ishte gruaja e tij, Jenny Marx (1814 - 1881), veprat e Marksit nuk do të ishin të mundura. E lindur si Johanna Bertha Julie Jenny von Westphalen, gjysma tjetër e Marksit ishte gazetare dhe lexuesja e tij e parë kritike. Ajo debatonte me të dhe publicistin e filozofin Friedrich Engels, si dhe kontribuoi gjithashtu në përpilimin e “Manifestit Komunist”. Rreshtat e parë të Manifestos, në versionin e vetëm të mbetur të shkruar me dorë.

Si gazetare ajo shkroi për Revolucionin e Marsit të 1848-s në Gjermani, si dhe kritika letrare të veprave të Shakespeareit për gazetën e famshme “Frankfurter Zeitung”, si dhe negocionte me botuesit dhe fliste disa gjuhë të huaja – më mirë se bashkëshorti i saj. Këto aftësi të saj u erdhën shumë në ndihmë më vonë, pasi që Marksi dhe familja e tij ishin të detyruar të jetonin në ekzil. Engelsi i quante dy “natyrat më të talentuara” dhe thoshte për Jennin pas vdekjes së saj se do ta ndienin mungesën e “urtësisë dhe guximit të saj”.

Ai ndihmoi në realizimin e orarit tetorësh: Marksi dhe Engelsi më 1866 ndihmuan që orari tetorësh të kthehej në një kërkesë zyrtare të Asociacionit Ndërkombëtar të Punëtorëve (International Workers Association). Welshman Robert Owen mendohet të ketë krijuar sloganin “tetë orë punë, tetë orë gjumë dhe tetë orë çlodhje e krijim”.

Rregulli tetorësh u fut për herë të parë në ligjin gjerman më 1918. Që atëherë megjithatë ligji po ndryshonte: gjashtë orë punë tashmë po testohen në disa shtete të Evropës.

Ai inspiroi lëvizjen “Occupy Wall Street”: 17 shtator 2011, protestuesit okupuan Zuccotti Park në distriktin financiar të New Yorkut, me sloganin “Occupy Wall Street”. Protesta ishte kundër sistemit ekonomik, i cili privilegjon pakicën që vazhdon të bëhet më e pasur, derisa shumica shkojnë duke u varfëruar. Protestuesit kërkuan politika më të mira që të rregullonin sistemin bankar dhe sektorin financiar. “Okupimi” shumë shpejt u përhap nëpër gjithë botën. Protestuesit përdornin portrete të Karl Marksit dhe slogane ku thuhej “Ju thosha se e kisha mirë”, duke e shndërruar kështu në një ikonë moderne.

Që nga kriza financiare, shkrimet e Marksit kanë marrë sërish vëmendje globale. Ai ende konsiderohet si një ndër kritikët më të rëndësishëm të kapitalizmit. Disa mund të shohin si ambivalente trashëgiminë e tij: Diktatorët socialistë si ata të Bashkimit Sovjetik ose edhe të Gjermanisë Lindore kanë përdorur filozofinë e tij për të arsyetuar qeverisjen e tyre të padrejtë. Edhe qëndrimet e tij ndaj qytetarëve hebrenj janë po aq kontroverse. Eseja e tij “On the Jewish Question” (Çështja hebraike) publikuar për herë të parë më 1844, u përdor si propagandë antisemite nga Partia Komuniste në Gjermaninë e viteve 1920.

Ai ishte studiues i nivelit të lartë: Ekonomistë të shumtë ende bazohen në shkrimet e Marksit. Për shembull, ekonomisti francez Thomas Piketty botoi librin “Capital in the Twenty-First Century” në 2013, si referencë direkte ndaj studimit “Das Kapital” të Karl Marksit (1867). Në të Piketty, bazuar në analizat e Marksit, nxjerr në përfundim se që nga mesi i shekullit XX një numër i vogël njerëzish në vende të industrializuara në vazhdimësi kanë poseduar shumicën e pasurisë botërore. Ai thotë se një rritje është si rrjedhojë e kapitalizmit dhe një rritje e tillë vë në rrezik demokracinë. Ky libër ndezi një numër debatesh nëpër botë për të diskutuar të ardhmen e kapitalizmit.

Numri i parë origjinal i “Das Kapital” që i përkiste Marksit dhe përmbante dorëshkrimin dhe shënimet e tij, që nga viti 2013, ka qenë pjesë UNESCO-s, pas një propozimi të përbashkët të qeverisë gjermane dhe asaj holandeze.

Veprimtaria e tij ka influencuar lëvizje nëpër gjithë botën: Marksi ka nxitur debate politike në shumë shtete. Në shekullin XX qëndrimet komuniste të inspiruara nga veprat e tij frymuan në shumë pjesë të botës, duke nxitur revolucione dhe sisteme politike të bazuara në mendime marksiste, si në Rusi, Kinë, Kubë, e shumë të tjera.

Gjithsesi, ideatori i “revolucionit proletariat” kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij në mërgim, si njeri pa shtet. Pas martesës së tij me Jennin, të dy u shpërngulën në Paris, ku edhe bashkëpunoi më pas me djalin e një pronari të pasur të një fabrike, të njohur si Friedrich Engels.

Kur qeveria pruse kërkoi dëbimin e tij, Engelsi u shpërngul në Bruksel bashkë me Jennyn dhe Marksin. Aty ata edhe filluan të shkruanin pamfletin që më vonë do të njihej si “Manifesti Komunist”, i cili përfundon me thënien tashmë të famshme: “Punëtorë të gjithë botës, bashkohuni!” Familja Marks u dëbua më pas edhe nga Belgjika dhe gjetën strehim më në fund në Londër, më 1849, ku jetuan gjer në vdekje. Jenny vdiq më 2 dhjetor 1881, Marksi më 14 mars 1883.

Veprat e tij ende vazhdojnë të shiten me të madhe, edhe 200 vjet pas vdekjes së tij. Ekspozita “Karl Marx and Capitalism” në muzeun Deutsches Historisches në Berlin, e hapur nga 10 shkurti, do jetë e hapur deri më 21 gusht 2022.

Marrë nga “Deutsche Welle”. Përktheu: Flakrona Rexhepi

Artikuj të ngjashëm