Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Merkeli ende i frymëzon shumë gra

Gratë dhe vajzat thonë se ndikimi i Merkelit – e cila njihet shpesh si “Mutti”, ose nëna në shqip, megjithëse vetë nuk ka fëmijë – ka qenë i madh në një vend ku rolet gjinore tradicionale po ndryshojnë ngadalë. “Ajo ka bërë shumë për t’ua trasuar rrugën të tjerave dhe tani është krejt normale të shohësh kandidate të tjera gra për kancelare. Dhe kështu nuk ka qenë më parë”, ka theksuar Maria Luisa Schill, banore e qytezës universitare jugperëndimore të Freiburgut

Angela Merkel është kthyer në ikonë feministe pas gjashtëmbëdhjetë vjetësh në pushtet, megjithëse gruaja më e pushtetshme në botë e ka pranuar përciptazi derisa po kalon ditët e fundit në kancelarinë gjermane, shkruan agjencia e lajmeve, Reuters.

E adhuruara e grave

“Ajo admirohet prej grave anembanë botës dhe kjo është trashëgimia e saj kryesore. Se një grua e dëshmoi se është e zonja dhe këtë zotësi e ushtron me dinjitet dhe vendosmëri”, ka deklaruar Alice Schwarzer, feministe e njohur gjermane.

Reuters vlerëson se si një grua në majat e pushtetit të partisë së saj konservative, CDU, të dominuar nga burrat, 67-vjeçarja Merkel gjithnjë kishte ngurruar ta pranonte se ishte feministe dhe se kishte hezituar të shtynte përpara disa politika të mbështetura fort nga feministet, si kuotat për gratë në borde.

Schwarzer ka thënë se Merkeli “për gjashtëmbëdhjetë vjet ka kryer vepra të mëdha feministe”. Ajo ka shtuar gjithashtu se kancelarja megjithatë ka mundur të zbatonte edhe politika të tjera që do të ndikonin në mirëqenien e grave. Por e ka pranuar se Merkeli kishte përkrahur politika, si zgjerimi i mbështetjes financiare për kujdesin e grave ndaj fëmijëve.

“Vetë fakti i ekzistencës së saj është deklaratë feministe”, ka shtuar Schwarzer.

Më 2017, Merkeli i kishte bishtnuar pyetjes nëse e konsideronte veten feministe derisa po paraqitej në një aktivitet bashkë me drejtoreshën e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Legarde, dhe Ivanka Trump, e bija e presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump.

“Unë nuk dua ta dekoroj veten me një titull që faktikisht nuk e kam”, do të deklaronte atëherë Merkeli.

Sidoqoftë, derisa koha e saj në kancelari po merr fund, Merkeli – e cila është rritur në ish-Gjermaninë Lindore komuniste dhe ka një doktoratë në kiminë kuantike – e ka shqyrtuar pozitën e saj.

“E kam menduar përgjigjen time mirë e mirë dhe mund të them po: ne të gjithë duhet të jemi feministë”, do të deklaronte në një ngjarje me autoren nigeriane Ngozi Adichie, fjalimi TED i së cilës “Ne të gjithë duhet të jemi feministë” do të bëhej viral më 2013.

Pyetja e djemve gjermanë: A mund të zgjidhen burrat kancelarë?

Në premierën e një filmi që shpalos historinë e politikaneve të njohura në Gjermaninë Perëndimore pas luftës, Merkel do të deklaronte muajin e kaluar se ishte zhgënjyer që gratë ende përfshinin vetëm 31 për qind të mandateve në Parlamentin gjerman.

“Ne ende nuk kemi arritur barazinë ndërmjet grave dhe burrave në Gjermani. Edhe shumëçka ka mbetur për t’u bërë”, theksoi ajo.

Schwarzer ka kujtuar se Gjermania ende nuk ishte e gatshme për kancelaren e parë femër kur kristiandemokratët (CDU) e Merkelit mezi i fituan zgjedhjet në 2005, me pararendësin e saj, Gerhard Schroeder, që do të deklaronte publikisht se ajo nuk ishte e përgatitur për ta marrë detyrën.

Por Merkeli edhe do ta mund ta kalonte ish-mentorin Helmut Kohl për t’u bërë kancelarja me pushtetin më të gjatë në histori të Gjermanisë, nëse do të pranonte përfshirjen në një koalicion qeveritar pas zgjedhjeve të 26 shtatorit.

Schwarzer ka thënë se është mahnitur se si Merkeli është mbajtur në mesin e burrave të pushtetshëm: “Ka një shaka në Gjermani: Një vogëlush pyet: nënë, a mund të bëhen edhe meshkujt kancelarë? Një person ia ka dalë dhe ja ku është dhe nuk ka njeri që mund t’ia marrë anën”.

Ndikimi i Merkelit

Pavarësisht prej faktit se Merkeli vishet me pantallona që nuk ia shpërfaqin feminitetin, Schwarzer ka thënë se kancelarja megjithatë ka sharm feminist që e përdor në marrëveshje me liderët botërorë, si presidenti francez Emmanuel Macron.

“Ajo ka diçka vajzërore dhe është fort e zonja për të flirtuar. Dua të them se e shihni këtë kur e takon Macronin, për të cilin ajo ka një pëlqim të pagabueshëm”, ka thënë ajo për Reutersin.

Gratë dhe vajzat thonë se ndikimi i Merkelit – e cila njihet shpesh si “Mutti” ose nëna, megjithëse vetë nuk ka fëmijë – ka qenë i madh në një vend ku rolet gjinore tradicionale po ndryshojnë ngadalë.

“Ajo ka bërë shumë për t’ua trasuar rrugën të tjerave dhe tani është krejt normale të shohësh kandidate tjera gra për kancelare. Dhe kështu nuk ka qenë më parë”, ka theksuar Maria Luisa Schill, banore e qytezës universitare jugperëndimore të Freiburgut.

Lia, nëntëvjeçare nga Berlini, ka thënë se do të dëshironte të bëhet një ditë kancelare. Kur është pyetur se çfarë do të bënte, Lia ka thënë: “Punë, do të punoja dhe do të fitoja para!”

Nëna e Lias, Nancy, ka shtuar për agjencinë Reuters: “(Merkeli) ka shumë fuqi dhe ndikim te shumë njerëz dhe e kam fjalën veçanërisht te gratë”.

Përgatiti: Rexhep Maloku

Artikuj të ngjashëm