“Kalimet”, film nga Vincent Moon dhe Priscilla Telmon, do të jepet premierë në Kohavision të premten prej orës 21:00 dhe në platformat digjitale të “DokuFestit”.
I xhiruar gjatë edicionit të 17-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër, në Prizren, “Kalimet” e shpie shikuesin në një udhëtim vizual dhe muzikor me muzikanten Agona Shporta. E njohur si interpretuese, kompozitore e kuratore muzikore, Agona Shporta jeton në Kosovë. Ka përfunduar studimet për performancë vokale në “New School Program for Jazz” në New York dhe deri tani ka interpretuar e gërshetuar këngë nga tradita të ndryshme nga Ballkani deri në Indi e nga Amerika latine deri te ajo veriore.
Mathieu Saura, i njohur si Vincent Moon është regjisor i pavarur nga Parisi. Ai ishte drejtori kryesor i “Blogotheque’s Take Away Shows”, ku incizonte performancat e muzikantëve të muzikës indie-rock si dhe disa artistëve të tjerë si Tom Jones, R.E.M. ose Arcade Fire. Gjatë dhjetë vjetëve të fundit, Vincent Moon ka udhëtuar nëpër botë me një kamerë në dorë duke dokumentuar folklorin lokal, muzikën e shenjtë e ritualet fetare – nën emrin e “Collection Petites Planètes”. Ai punon vetëm me njerëzit të cilët i gjen gjatë udhëtimeve të tij dhe zakonisht pa para, duke u përpjekur kështu të prodhojë dhe shpërndajë filma pa standardet e caktuara të industrisë.
Priscilla Telmon është filmbërëse, fotografe dhe shkrimtare, anëtare e “Society of French Explorers” që nga viti 1999. Ajo u është përkushtuar udhëtimeve të gjata ku gërshetohen historia me aventurën, homazhet e traditës dhe misteri i kulturave që ajo ka vizituar.
-
“Kalimet” me Agona Shportën si rrugëtim magjepsës muzikor
-
Filmi “Era” sjell vitet ’90 në sytë e një adoleshenteje, sonte në “Express”
-
“Era” në vorbullën e viteve ’90 midis ferrit e ngjyrave të jetës, të shtunën në “Nëpër Film”
-
“Re-Connect” do të bashkojë talentet vendore e të diasporës në “DokuFest”
-
Dy filma nga Kosova në festivalin prestigjioz të Finlandës