Kulturë

“Kalimet” me Agona Shportën si rrugëtim magjepsës muzikor

Një pjesë e një kënge shpirtërore që flet për orët e vona kur njeriu qan hallet me vetveten. Vetëm kaq mund të dëgjohet nga interpretuesja Agona Shporta, nga traileri i filmit “Kalimet”, që është një portret muzikor i saj. Regjisorët e filmit Vincent Moon dhe Priscilla Telmonna përmes kësaj copëze paralajmëruese të dokumentarit ia lejojnë publikut të shohë edhe disa pjesë të Prizrenit. Aty është xhiruar i gjithë filmi, gjatë edicionit të 17-të të festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest”.

“Kalimet”, që zgjat 11 minuta, është një portretizim i një dite vere që përfshin momente të ndryshme. Udhëtimi muzikor nis me daljen e këngëtares nga shtëpia e saj dhe përfundon me perëndimin e diellit te Kalaja e Prizrenit. Përveç këngës që dëgjohet në trailer, Shporta ka thënë se gjatë filmit ajo sjell edhe këngë të tjera që i kishin ardhur në mendje në ditën e 10-të gushtit, gati tre vjetëve më parë.

Këngëtarja Agona Shporta për KOHËN ka treguar më shumë për këngën, por dhe për filmin “Kalimet”, që do të jepet premierë sonte (e premte) në Kohavision dhe në faqen zyrtare të “DokuFestit” duke filluar nga ora 21:00. Kompozimin e realizuar nga mësuesi i saj Samir Chatterjee – një virtuoz i instrumentit indian “tablla” – e kishte interpretuar edhe gjatë performancës së saj për temën e diplomës në “New School Program” për jazz në New York.

“Në Indi pjesët e ndryshme muzikore luhen në orë të ndryshme të ditës”, ka thënë Shporta. Ka treguar se koha e duhur për të kënduar këngën që dëgjohet në trailerin e filmit të shkurtër është prej mesnatës deri në orën tre të mëngjesit. Pas këtij detaji, ka zbërthyer emrin e filmit që brenda disa minutave mundohet t’i japë publikut një reflektim të personalitetit të saj dhe muzikës që ajo e ka për zemër.

Fillimisht ka thënë se ishte çuditur me faktin që Mathieu Saura, i njohur si Vincent Moon, regjisor i pavarur nga Parisi, kishte zgjedhur një titull në gjuhën shqipe.

“Ende nuk e di se si ka vendosur pikërisht për ‘Kalimet’, mirëpo më rrëfeu se ideja kishte ardhur nga fjala ‘derive’, nga frëngjishtja e vjetër që nënkupton ‘të zbresësh nga diçka’ apo ‘të rrjedhë nga burimi’”, ka thënë Shporta, e cila është e njohur në skenën e jazzit. Ka cituar fjalët që Moon i kishte thënë për këtë emërtim: “Sikur jeta të ishte një lloj aksidenti dhe kalimi përmes saj një labirint misterioz”.

Gjatë dhjetë vjetëve të fundit, regjisori Vincent Moon ka udhëtuar nëpër botë me një kamerë në dorë duke dokumentuar muzikë folklorike, muzikën e shenjtë e ritualet fetare – nën emrin e “Collection Petites Planètes”. Ai punon vetëm me njerëzit të cilët i gjen gjatë udhëtimeve të tij dhe zakonisht pa para, duke u përpjekur kështu të prodhojë dhe shpërndajë filma pa standardet e caktuara të industrisë.

Ndërkaq Priscilla Telmon, filmbërëse, fotografe dhe shkrimtare, anëtare e “Society of French Explorers” që nga viti 1999, u është përkushtuar udhëtimeve për të zbuluar kultura të ndryshme. Është pikërisht eksplorimi i kulturave ajo që e ka shtyrë Telmonin të jetë regjisore e të shkruajë libra e artikuj dhe të bashkëpunojë me televizione, radio dhe muze, bashkëpunim që u kurorëzua me filmi “Kalimet”, kishte nisur si përgatitje për performancën e treshes për “DokuFestin”.

Në vitin 2017, kur edhe është xhiruar filmi, dyshja, Moon dhe Telmon, u paraqitën në festivalin më të madh të filmit dokumentar e të shkurtër në vend, me performancën e tyre “Hibridos - The Spirits of Brazil” duke sjellë masterklasë, një eksperiencë live të kinemasë të formuar nga audienca, si dhe një studim etnografik i spiritualitetit brazilian. Për realizmin e performancës kishin bashkëpunuar edhe me Shportën. Atëkohë ajo jetonte në SHBA dhe kthehej në Kosovë gjatë muajve të verës.