Kulturë

Zëri i muzikës si superfuqi magnetike e humane

Një prej këngëve të para që Agona Shporta i ka kënduar me muzikantët e jazz-skenës vendore, ka qenë “Summertime” në vitin 2011 në “Dit’ e Nat’” në qendër të kryeqytetit. Mbase është rastësi, por së fundmi është duke punuar pikërisht në këtë këngë të George Gershwinit.

Babai i saj e kishte përkthyer para disa vjetësh si “Vakt i verës” dhe Shporta është duke punuar që ta sjellë këtë version bashkë me një ansambël të muzikantëve nga Prizreni. Një bashkëpunim për fuqizimin e artisteve. Ky është vetëm një nga projektet në të cilat Shporta është duke punuar aktualisht. 26-vjeçarja lidhjen e saj të parë me muzikën e ka pasur kur ishte 9-vjeçare. Atëherë nisi studimet në shkollën e muzikës “Lorenc Antoni” në Prizren. Dy herë në javë mbante orë për piano dhe një herë në javë për solfexh. Mirëpo rrugëtimi s’ishte krejt i lehtë për këngëtaren që gërsheton muzikën tradicionale nga Ballkani, Amerika Jugore, India dhe Lindja e Mesme.

Artistja e “papunë”

Agona Shporta thotë se njerëzit në përgjithësi nuk e kuptojnë rolin e muzikantëve të pavarur. Madje si grua, thotë së është edhe më pak e preferueshme të jesh artiste e pavarur. Shporta tregon se shpeshherë njerëzit përreth saj janë të bindur që ajo është e papunë.

“’A ia ke filluar punës?’ apo ‘ A nuk po mundesh me gjet punë a?’”, janë disa nga pyetjet që i bëhen Shportës, ani pse vazhdimisht është duke punuar në projekte të ndryshme muzikore. Është mysafire e rregullt e festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër, “DokuFest” dhe ndër vite ka bashkëpunuar me artistë të ndryshëm vendorë, si pianisti Ilir Bajri e kitaristi Armend Xhaferi. Momentalisht është duke bashkëpunuar me kantautorin Arbër Salihu. Po ashtu, është duke u bërë gati edhe për studimet master në Degën e etnomuzikologjisë.