Për mbi dy javë, një pjesë e Qendrës për Trajnime dhe Inovacion në Prizren kishte shërbyer si rezidencë për artistët ballkanas. Janë bërë bashkë për të krijuar tinguj unikë që do t’i interpretonin për herë të parë para publikut. Gjuha universale e tyre qe muzika. Dëshmia: koncerti i radhës në Prishtinë i “OneBeat Balkans”
“OneBeat Balkans” do të ishte ngjarja, mbi të gjitha ansambli perfekt, për të thyer stereotipat e për të bashkuar komunitete të ndryshme. Ky është edhe misioni: të bëjë bashkë artistët nga vendet e Ballkanit duke sjellë vepra të reja artistike. Bashkëpunimi është pika kryesore e qëllimi është të shkëmbehen kulturat. Ngjarja ka bashkuar traditat e vendeve ballkanike duke i gërshetuar ato në prodhime të reja muzikore bashkëkohore që përcjellin edhe mesazhe. Programi ka qenë premierë.
Mungesa e muzikës shqiptare është vërejtur dukshëm. Pos Agona Shportës që ka interpretuar një prej perlave të iso-polifonisë së jugut “Hape portën moj Evropë”, koncerti të enjten mbrëma në kino “Armatë” është dominuar nga gjuhët sllave. Organizatorët kanë thënë se kjo ka ardhur si rrjedhojë e mungesës së interesimit të artistëve vendorë për pjesëmarrje. Kjo, sipas tyre, ka rezultuar me dy anëtarë shqiptarë në formacion: Flutura Çelaj nga Kosova dhe Adolf Lleshaj nga Shqipëria, të dy në vokal.
Për mbi dy javë, një pjesë e Qendrës për Trajnime dhe Inovacion në Prizren kishte shërbyer si rezidencë për artistët ballkanas. Janë bërë bashkë për të krijuar tinguj unikë që do t’i interpretonin për herë të parë para publikut. Gjuha universale e tyre qe muzika.
“Mothertown” ka qenë njohja e parë e publikut me krijimet e artistëve të rinj. Është bërë e ditur se artistët kishin vetëm një orë kohë për ta bërë këngën dhe për ta interpretuar si provë po atë ditë. Ajo reflekton në improvizimin dhe në evolucionin e organizimit të ekipit që aspak nuk e njihnin njëri-tjetrin.
Unikë janë tre zëra nën tingujt minimalë të instrumentit me goditje i quajtur “Hang”. Vjen si vepër tejet bashkëkohore me improvizimet e zërit si cicërima. Aty fjalët mbesin në plan të dytë. Është një lloj homazhi për natyrën.
“Orbiting” ka qenë e bazuar në lëvizjen e planetëve në orbitë. Në skenë është një orkestër e kompletuar që e bën madhështore jo vetëm këtë, por secilën vepër që kanë krijuar. Aty janë kontrabasi, bateritë, perkusionet, saksofoni, flauti, kitara elektrike, fizarmonika, pianoja e çka jo tjetër. Pesë a gjashtë vokalistë formojnë një lloj formacioni koral. Shpesh edhe disa prej instrumentistëve nga pozita e tyre nisin të këndojnë.
“Water falls” ka ardhur si vepër e shkruar për një formacion më të madh. Në serbisht u këndojnë natyrës, ujërave, liqeneve. Formohen tingujt e natyrës, rrjedhës së ujit nën ritmet e këngës tradicionale. Tjetër këngë që është interpretuar ka qenë edhe ajo me titull “Under current”.
E ftuar speciale ka qenë artistja Jelena Petosheviq. Ka kënduar këngën e saj origjinale “Eco” në përcjellje muzikore të ansamblit “One Beat Ballkan”.
“Kënga që kam interpretuar quhet ‘Eco’, e kam bërë rreth 15 vjet më parë, kur u ktheva të jetoja në Serbi nga Mbretëria e Bashkuar dhe Belgjika. U ndjeva disi e stresuar, sepse nuk dija se si të anashkaloja së gjeneruari mbeturinat që bëja dhe isha e shokuar në një mënyrë. Kjo këngë më bën të rikujtoj përkujdesjen për natyrën”, ka thënë këngëtarja e kompozitorja Petosheviq nga skena derisa e ka vlerësuar ngjarjen si mënyrë për të thyer barrierat.
“Kjo është një mënyrë për të thyer barrierat. Jam e nderuar të jem personi i 15-të në skenë me gjithë këta artistë kaq të talentuar”, ka thënë ajo më tej.
I ftuar special ka qenë edhe kantautori nga Kosova, Shpat Deda. Para publikut ka interpretuar këngën e tij “Përgjithmonë”.
“Jam i rrëmbyer me gjithë talentin që kam parë sonte në skenë nga këto talente. Në një natë si kjo është vështirë të mos vërehet se muzika është diçka e bukur dhe e çmuar. Dua të falënderoj të gjithë që më kanë ftuar”, ka thënë Deda nga skena, i cili ka ftuar edhe publikun të bashkohet në interpretim të këngës.
“Këtë këngë e kam shkruar kur kam qenë shumë më i ri dhe shumë më i pafajshëm. Dhe tingëllon kështu...”, ka thënë ai para se të nisin tingujt e parë të melodisë së këngës.
“The End Of Summer” ka qenë kënga që i është kushtuar mërzisë për ikjen e verës. “Sea” ka qenë për ujërat e së kaluarës. Tejet poetike ka qenë me vargjet në serbisht, që përcillen me ato në shqip dhe tensioni vjen nga njëri prej instrumenteve deri në momentin që muzika e kënga jehojnë.
Këngëtarja Flutura Çelaj, që ka qenë pjesë e ansamblit, ka thënë se kanë punuar intensivisht për koncertin.
“Në Prizren për njëzet ditë kemi qëndruar të gjithë në të njëjtën hapësirë. Kemi jetuar bashkë. Krejt kohën kemi qenë duke bërë muzikë. Ka qenë bashkëpunim interesant. Pjesë e programit ka qenë edhe fakti që nuk kemi qenë të një vendi dhe të gjithë kemi qenë me storie tonat e kultura dhe jo të zhanrit të njëjtë”, ka thënë ajo derisa është shprehur se bashkëpunimi me artistët nga rajoni i ka ndihmuar t’i heqë stereotipat.
“Fakti që kemi qenë nga vendet e Ballkanit, jemi ballafaquar edhe me konfliktet e territorit, por në një mënyrë artistike e bashkëpunuese. Edhe mua m’i ka hequr disa stereotipa, disa paragjykime që i kam pasur”, ka thënë ajo më tej.
“Even in the darkness cave” i është kushtuar hapësirës pa dritë. Është e vetmja dritë ajo që quhet shpresë dhe që iluminon gjithçka sipas shpjegimit të këngës. Pianoja ka qenë improvizuese në rend të parë.
Si solist në vokal e me tinguj kitare, Adolf Lleshaj ka interpretuar këngën “River kid”. Kënga flet për një të ri të lindur në një qytet të vogël të rrethuar nga familja, muzika dhe natyra. Flet edhe për përballjen me frikën.
Bendi ka interpretuar edhe “Diamonds and pearls” që trajton kontrastet e jetës e diferencat. Si ajo ndërmjet ndotjes e pastërtisë, tradicionales e bashkëkohores, qytetit e fshatit e çka jo tjetër. E tillë ka qenë edhe në melodi me ritme tradicionale e bashkëkohore.
Bendi ka qenë në përbërje edhe të Maida Shaboviq e Lamija Shariq nga Bosnjë- Hercegovina, Francesca Paleka e Jaksha Perkoviq nga Kroacia, Enes Begovski e Jovan Cvetkoviq nga Maqedonia e Veriut, Ognjen Petroviq e Bojan Spasiq nga Serbia, si dhe Franklin Rein, Aaron Kisslinger dhe Rebecca Hill nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ngjarja është mbështetur nga Ambasada e ShBA-së në Kosovë dhe ajo në Serbi. Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, ka thënë se artistët kanë punuar duke sjellë diçka të re, inovative dhe që nënkupton respektin e mirëkuptimin për tjetrin.
“Aftësitë e tyre na ndihmojnë të kuptojmë dhe demonstrojnë se bashkëpunimi ndëretnik është i mundshëm dhe i fuqishëm. Jemi të nderuar ta bëjmë këtë. Kisha mundësinë të isha pjesë e saj dhe ishte përvojë e mrekullueshme”, ka thënë ambasadori Hovenier.
Organizatori i ngjarjes, muzikanti Bajram Kinolli, ka thënë se përgatitjet si tërësi kishin nisur në shtatorin e kaluar, ndërsa përzgjedhja e artistëve është bërë në dhjetor. Muzikën e ka vlerësuar si gjuhë universale, e cila është dëshmuar edhe në koncertin që shënon edicionin e katërt të “OneBeat Ballkan”.
“Ne e marrim muzikën si një gjuhë universale. Duke e ditur që shumë pak kemi mundësi të bëjmë muzikë me fqinjët, pa marrë parasysh politikat, ne muzikantët duhet ta bëjmë. Kjo është e ardhmja, të dimë kulturën e njëri-tjetrit, sepse përndryshe lufta zgjidhet me paqe dhe jo me luftë”, ka thënë Kinolli.
“OneBeat Balkans” është pjesë e aktivitetit global “OneBeat”, që së pari filloi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Edicionin e parë në Prishtinë e kishte zhvilluar në shkurt të vitit 2019. Aktivitetet e ndryshme ishin zhvilluar, ndër të tjera, edhe në kinemanë “Jusuf Gërvalla” në Pejë, në teatrin “ODA” në Prishtinë e në qendrën kulturore “Tulla” në Tiranë. Vjet programi ishte shtrirë edhe në Novi-Pazar të Serbisë. Sivjet programi shtrihet në zemër të shtetit fqinj. Në Beograd në teatrin “Bitef” do të shpalosen traditat e çmuara të Ballkanit të veshura me ngjyra bashkëkohore.