Një album me kompozime të cilat dallojnë për nga ana emocionale, por që ndjekin një stil të ngjashëm e që janë vazhdimisht tërheqëse. Nëpërmjet njëmbëdhjetë kompozimeve, kitaristi Denis Rexhepi ka përmbledhur një kapitull të jetës së tij si muzikant. Kryefjala është muzika klasike frymëzuar prej periudhës romantike, por aty përvidhen edhe tinguj të muzikës latine, braziliane e asaj moderne
Melodi dhe ritëm i butë, janë dy karakteristikat e para që hasen në albumin e parë të kitaristit Denis Rexhepi. “Journey” (Udhëtimi) e ka titulluar ai albumin e tij, i cili është përuruar të martën mbrëma në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani”.
Veprat janë kryekëput të frymëzuara nga muzika romantike. Një album me kompozime të cilat dallojnë për nga ana emocionale, por që ndjekin një stil të ngjashëm e që janë vazhdimisht tërheqëse. Rexhepi, i cili jo rrallë në publik paraqitet edhe si vokalist, kësaj radhe vjen vetëm me instrumentale. Ka lënë pas edhe rockun, jazzin e zhanret e tjera, me të cilat është i njohur në performanca në hapësira të ndryshme kulturore në vend a nëpër klube.
Albumi, siç ka thënë vetë kitaristi, Denis Rexhepi, është një bashkëfrymim midis tij dhe muzikës, shprehur thjesht e bukur në instrumentin e kitarës. Ai ka një qartësi stilistike dhe luan me finesë e saktësi të jashtëzakonshme. Të njëmbëdhjetë kompozimet e Rexhepit së bashku krijojnë një peizazh impresiv të krijimtarisë së tij ndër vite.
“Është një udhëtim që për mua nënkupton udhëtimin tim muzikor prej gati një dekade qëkur kam filluar t’i shkruaj pjesët e para për kitarë klasike e deri në realizimin e këtij albumi. Një udhëtim muzikor, shpirtëror, i cili përmblidhet me këto pjesë të këtij albumi”, ka thënë ai.
Kompozimet e para i kishte nisur kur ishte student në Degën e Muzikës në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës, e të fundit i ka ato të fillimit të këtij viti, që po ashtu janë përfshirë në CD. Rexhepi, studimet për kitare i kreu në vitin 2015, kurse në vitin 2018 mbaroi edhe studimet master, po ashtu në Fakultetin e Arteve në Prishtinë.
Muzikanti 32-vjeçar i lindur në Prishtinë, më 29 korrik të vitit 1988, ka thënë se albumi është vetëm një kapitull i muzikës së tij, dhe shpreson që në të ardhmen të ketë edhe albume të tjera. Për këtë album përzgjedhja e vetëm njëmbëdhjetë kompozimeve ka qenë goxha sfiduese. Ka ende vepra, disa prej tyre të papërfunduara, por ato ka thënë se do të jenë një kapitull më vete.
“Kryesisht kur vjen inspirimi për të kompozuar një vepër nuk është se e ndërlidhi me një temë, apo diçka pasi që muzika vjen në mënyrë shumë të natyrshme, por pasi që është shkruar duhet caktuar një emër dhe titulli ndodh atëherë”, ka thënë Rexhepi.

“Prima”, “Perpetual”, “Waltz for Denora”, “Prelude in Dm”, “Lullaby”, “Barrio”, “L’Amour”, “Zen”, “Adieu”, “Lamento” dhe “Epilogue” janë veprat që i japin formë albumit.
Ka treguar se “Waltz for Denora” është vepra që i ka pëlqyer më së shumti kur e ka kompozuar. Dhe ka një arsye shtesë për këtë. Ia ka kushtuar vajzës së tij.
“Frymëzimi është kryesisht nga muzika klasike, ‘90 për qind është muzikë, klasike, por mund të ketë edhe elemente të muzikës latine, braziliane, dhe muzikë moderne, por kryesisht shkon nga klasikja dhe periudha e shekujve XIX-XX, nga kompozitorët e periudhës së romantizmit”, ka thënë ai. Ka shtuar se kompozimi është diçka që e bën me shumë dëshirë.
“Kur e marr kitarën, pastaj vjen natyrshëm deri te këto pjesë. Nuk është se i shtyj me zor, pra të gjitha kompozimet kanë ardhur shumë natyrshëm”, ka thënë Rexhepi, i cili kishte nisur të luante në kitarë kur ishte 13-vjeçar. Atëkohë ishte larg klasikes së cilës tashmë në të tridhjetat i ka kushtuar një album të tërë.
“Rocku është dashuria e parë për muzikën, por pas disa vitesh fillova të merrem më seriozisht dhe nisa të merrem me kitarën klasike e më pas përfundova edhe studimet”, ka thënë Rexhepi, i cili deri tani ka luajtur me bende e artistë të ndryshëm.
Mes tjerash është edhe anëtar i grupit “4X4”, që është themeluar në vitin 2015 dhe bën muzikë të zhanrit “hard rock” bashkë me Agron Ejupin (bas), Ardian Behramin-Cipa (vokal), Flamur Prapashticën (kitarë) dhe Labinot Zogianin (bateri). Grupi “4x4” u paraqit para publikut në festivale të ndryshme në Kosovë, si: “BeerFest”, “HardhFest”, “MUWW” (Metal United World Wide I dhe II), “Festari” e të tjera.
“Unë jam aktiv edhe me muzika të tjera, por klasikja e ka një vend të veçantë për mua dhe gjithmonë do ta ketë”, ka thënë ai për kontrastet e stileve muzikore që gërshetohen brenda tij. Për të muzika është vetë jeta.
“Pa muzikë unë nuk mundem ta imagjinoj asnjë ditë të jetës sime. Prej mëngjesit kur zgjohem e deri në mbrëmje edhe në banesë jam gjithmonë i shoqëruar me muzikë”, ka thënë ai. Por tani pas punës së madhe që ka bërë muajve të fundit, për të nxjerrë në dritë albumin e tij të parë solo, ka thënë se ka nevojë për pak pushim.
“Një herë dëshiroj të bëj një pauzë, të ‘mbush bateritë’, që të marr pak energji për të pasur edhe ide të reja kur të nisi punët edhe për ndonjë album a projekt tjetër”, ka thënë ai. Estetika unifikuese e albumit është transparenca e qartë e tingullit të kitarës së cilës Denis Rexhepi i bie me shumë dashuri.