“Muzika shqipe dhe ajo ballkanike janë thelbësore në ADN-në time muzikore. Ritmet komplekse dhe meloditë e pasura të kësaj tradite më ndihmuan të krijoj një zë unik në botën e jazzit”, thotë jazz-kitaristi i njohur, Taulant Mehmeti në intervistë për “Kohën Ditore”. U rikthehet kujtimeve, flet për rikthimin në skenën e Prishtinës, për pasionin që thyen kufij, për Inteligjencën Artificiale e për albumin e tij të tretë që u dedikohet vizave të kosovarëve.
Rrugëtimi i tij në botën e jazz-muzikës është diçka si puna e përkufizimit që ai ia bën këtij zhanri muzikor. Për të jazzi ndërthur “lirinë e improvizimit me disiplinën e strukturës, duke krijuar një harmoni unike që e bën atë të papërsëritshëm”. Jazz-kitaristi Taulant Mehmeti e dëshmon lirinë e improvizimit në skenë, disiplina e strukturës janë hapat që ka ndjekur në karrierë, me muzikën që kompozon ka gjetur harmoninë unike, e vetë ai është jazz-kitarist i papërsëritshëm. Në nëntorin e vjetëm, Mehmeti ka qenë njëri prej personazheve kryesor të edicionit të 12-të të “Prishtina Jazz Festival”. U rikthye në skenën e teatrit “Oda”, aty ku para dy dekadash, u takua për herë të parë me jazz-muzikën. Shpërthimi i tij në karrierë qe i furishëm, kur ateroi në SHBA më 2012, studioi në “New School for Jazz and Contemporary Music”, por s’u mjaftua me kaq. Sivjet bëhen dhjetë vjet prej se u ngjit në skenën e famshme “Blue Note” të New Yorkut që shënoi kthesë në karrierën e tij. Në intervistë për “Kohën Ditore”, Mehmeti u rikthehet kujtimeve, flet për rikthimin në skenën e Prishtinës, për pasionin që thyen kufij, për Inteligjencën Artificiale e për albumin e tij të tretë që u dedikohet vizave të kosovarëve. “Muzika shqipe dhe ajo ballkanike janë thelbësore në ADN-në time muzikore. Ritmet komplekse dhe meloditë e pasura të kësaj tradite më ndihmuan të krijojë një zë unik në botën e jazzit”, thotë Mehmeti.
KOHA: Në nëntor (të vitit të kaluar) jeni rikthyer në “Prishtina Jazz Festival” në teatrin “Oda” ku para dy dekadash, apo më saktë në vitin 2005, jeni takuar për herë të parë me muzikën jazz. Cila është ndjesia e rikthimit dhe do të doja të na rikujtonit njoftimin me muzikën jazz?
Mehmeti: Rikthimi në “Prishtina Jazz Festival” ishte për mua një përvojë e jashtëzakonshme dhe plot emocion. Ishte një rikthim në rrënjët e udhëtimit tim muzikor, në atë sallë ku për herë të parë ndjeva thellësinë dhe kompleksitetin e jazzit. Në vitin 2005, gjithçka filloi si një kureshtje ndaj këtij zhanri të panjohur për mua, por që shumë shpejt u bë një pasion i jetës sime. Rikthimi pas kaq vitesh ishte një përzierje nostalgjie dhe krenarie, duke reflektuar mbi rrugëtimin që kam bërë që nga ai moment i parë në teatrin “Oda”.
KOHA: Më 2025 bëhen dhjetë vjet prej se keni performuar në njërin prej jazz-klubeve më të famshme të jazzit në botë, në “Blue Note” të New Yorkut? Ngjau tre vjet pasi shkuat në SHBA. Luajtët me mentorin tuaj, Vic Juris. Si e kujtoni atë kohë, a ishte kjo një kthesë në karrierën Tuaj? Luajtët edhe në “Birdland”, “B.B. King’s” e “Iridium”...
Mehmeti: Performanca në “Blue Note” në vitin 2015 ishte një nga kulmet e karrierës sime. Ishte një nder i madh të performoja përkrah mentorit tim, Vic Juris, në një skenë me aq shumë peshë historike për jazzin botëror. Ajo eksperiencë shënoi një pikë kthese, jo vetëm sepse përforcoi besimin tim si muzikant, por edhe sepse më dha mundësinë të lidhesha më thellë me komunitetin jazz në SHBA. Gjithashtu, performancat në “Birdland,” “B.B. King’s” dhe “Iridium” më ndihmuan të kuptoj më mirë thelbin e këtij zhanri dhe ndikimin e tij në nivel global.
“Pasioni i palëkundur ndaj artit mund të thyejnë kufijtë më të mëdhenj”
KOHA: Në një intervistë për “Kohën Ditore” më 2015, kishit thënë në atë kohë se ia dolët të performonit me disa prej atyre që në rrugëtimit tuaj në muzikë, i shihnit vetëm nëpër “YouTube”? E kishit ëndërruar një rrjedhë të tillë të karrierës suaj?
Mehmeti: Kur shikoja muzikantët e mëdhenj në YouTube si adoleshent, ishte e vështirë të imagjinoja se një ditë do të isha në të njëjtat skena me ta. Të performoja përkrah tyre ishte realizimi i një ëndrre që ndonjëherë më dukej e paarritshme. Megjithatë, gjithmonë kam besuar se përkushtimi dhe pasioni i palëkundur ndaj artit mund të thyejnë kufijtë më të mëdhenj. Kjo ishte një rrjedhë e natyrshme e punës së palodhur dhe dashurisë për muzikën.
KOHA: Studiuat në “New School for Jazz and Contemporary Music” pastaj kryet masterin në “SUNY Purchase”, ku më 2017, u pranuat vetëm Ju prej 120 kandidatëve?
Mehmeti: Studimet në “New School for Jazz and Contemporary Music” dhe më vonë në “SUNY Purchase” ishin një sfidë dhe një privilegj. Pranimi në programin e masterit në vitin 2017, si i vetmi nga 120 kandidatët, ishte një moment që më dha një ndjenjë përgjegjësie të madhe. Kjo periudhë ishte e mbushur me punë intensive, por gjithashtu më hapi mundësinë të mësoj nga muzikantët më të mirë në botë.
“Ikja në SHBA ka qenë vendimtare për karrierën time”
KOHA: A ka qenë ikja në SHBA përcaktuese e karrierës së Taulant Mehmetit? Çfarë do të ndodhte sipas jush, sikur të vendosnit të rrinit këtu?
Mehmeti: Ikja në SHBA ka qenë vendimtare për karrierën time. Mundësitë që gjeta atje – mentorët, skenat, dhe komuniteti muzikor – ishin faktorët kryesorë që më formësuan si muzikant. Nëse do të kisha qëndruar në Kosovë, besoj se rrugëtimi im do të kishte qenë krejtësisht i ndryshëm. Kosova ka një shpirt të pasur artistik, por skena jazz dhe mundësitë janë shumë të kufizuara në krahasim me atë që ofron New Yorku.
KOHA: Keni marrë mësime prej Reggie Workman, Peter Bernstein, Vic Juris, Sam Yahel, Janet Lawson, Hal Galper, Andrew Cyrille, Cecil Bridgewater, Joanna Brakeen e shumë të tjerë? Kush ka pasur më shumë ndikim te ju?
Mehmeti: Secili prej mentorëve të mi ka lënë një gjurmë të veçantë në formimin tim si muzikant. Vic Juris më mësoi elegancën e tingullit në kitarë; Reggie Workman më hapi horizontet e improvizimit; Peter Bernstein dhe Sam Yahel më mësuan se si të qëndroj autentik ndaj vetes. Nuk mund të veçoj një emër të vetëm, pasi secili prej tyre më ndihmoi, në mënyrën e tij, që ta ndërtoj një stil unik.

Kalimi në jazz aty ky improvizimi ishte përditshmëri
KOHA: Megjithatë kthehemi në Kosovë, aty ku nisi gjithçka. Shkolla ku keni studiuar Ju ka përshkruar si “kitarist, i cili edhe para se ta zbulonte muzikën jazz në moshën 18-vjeçare gjithmonë ishte një improvizues natyral, duke nxjerrë ritmet e pasura ballkanike dhe muzikën rome, me të cilën ishte rritur duke e dëgjuar e interpretuar”. A ka ndikuar muzike shqipe në veçantitë Tuaja? Ose sa ka ndikuar ajo që në botën e jazzit të jeni unik?
Mehmeti: Muzika shqipe dhe ajo ballkanike janë thelbësore në ADN-në time muzikore. Ritmet komplekse dhe meloditë e pasura të kësaj tradite më ndihmuan të krijoj një zë unik në botën e jazzit. Duke u rritur në një ambient ku improvizimi ishte pjesë e përditshmërisë, kalimi në jazz ishte një hap organik. Kjo trashëgimi më ka dhënë aftësinë të sjell elemente të reja dhe autentike në krijimtarinë time.
KOHA: Me sa e di, mësimet e para në kitarë i morët te kitaristi Nexhat Macula, rock-kitaristi i njohur e më pas te jazz-kitaristi i shquar Armend Xhaferi. Për Xhaferin keni edhe një këngë, “Like Xhafa”...? Si ka qenë kapërcimi juaj në jazz?
Mehmeti: Mësimet e para me Nexhat Maculën më ndihmuan të ndërtoj një bazë të fortë, ndërsa Armend Xhaferi më futi në botën e jazzit dhe improvizimit. “Like Xhafa” është një dedikim për Xhaferin, një njeri që pati një ndikim të jashtëzakonshëm në zhvillimin tim si muzikant. Kalimi nga rock në jazz ishte një proces i ngadalshëm, por plot pasion dhe zbulim.
KOHA: Dhe nuk Ju ka mjaftuar vetëm interpretimi. A ishte e pamjaftueshme vetëm të interpretonit kur iu futët kompozimit qysh në fillim apo konsideroni se në botën e muzikës domosdoshmërisht duhet pasur vepra origjinale. Vazhdimisht kompozoni dhe në veprat Tuaja janë të dallueshme influencat e muzikës shqipe, ballkanike si te “Kosovology” e shumë të tjera.
Mehmeti: Kompozimi ka qenë gjithmonë pjesë integrale e krijimtarisë sime. Për mua, interpretimi dhe kompozimi janë të pandashëm. Ndiej se çdo muzikant ka nevojë të shprehë një zë të tijin përmes krijimeve origjinale. Kompozimet si “Kosovology” pasqyrojnë këtë ndjenjë, duke sjellë influencat ballkanike në një kontekst global jazz.
KOHA: Debutuat me album më 2019 me “Song to my Brother”, që ka edhe një histori personale – i dedikohet vëllait Tuaj të ndjerë – pastaj sollët “Nisjet” ku bashkëpunuat me të famshmin, Peter Bernstein dhe tash me “Visa for Aliens” të cilin e zbuluat pak edhe në edicionin e sivjetmë të “Prishtina Jazz Festival”. Sa kanë ngjashmëri këto albume me njëri-tjetrin?
Mehmeti: Çdo album përfaqëson një fazë të ndryshme të jetës sime. “Song to my Brother” ishte një tribut për vëllain tim të ndjerë, plot emocione të forta personale. Përmes bashkëpunimit me Peter Bernstein, ishte një reflektim i rrënjëve të mia dhe udhëtimeve të mia. “Visa for Aliens” shpreh një perspektivë më globale, duke reflektuar mbi ndryshimet dhe sfidat e emigracionit dhe jetës në SHBA dhe sfidat për të udhëtuar si shtetas kosovar.
“IA s’mund ta zëvendësojë shpirtin njerëzor të artit”
KOHA. Do të doja të flisnim për albumin e fundit? Cili është rrëfimi prapa tij? Ka lidhje edhe me liberalizim vizash për kosovarët përderisa ju në fund të shtatorit morët “Green Card?
Mehmeti: “Visa for Aliens” është një reflektim mbi përvojën e emigrimit, me një ndërlidhje me liberalizimin e vizave për kosovarët. Si kosovarë kemi pasur një vështirësi të tepërt për të udhëtuar lirshëm dhe një padrejtësi e madhe ndaj neve. Një vit pas lansimit të tij, mora edhe Green Card.
KOHA: Flisni për alienët, jashtëtokësorët...A mund të flasim për Inteligjencën Artificiale? Si e shihni këtë kohë të zhvillimit teknologjik. Kemi programe që kompozojnë, krijojnë muzikë? E cenon kjo krijimtarinë, artin? Si e shihni raportin midis IA-së dhe artit? Ose a ka zëvendësim artisti?
Mehmeti: Inteligjenca Artificiale është një mjet i fuqishëm, por nuk mund të zëvendësojë shpirtin njerëzor të artit. Programet mund të krijojnë muzikë, por ato nuk kanë emocionet, eksperiencat dhe ndjeshmërinë që lidhen me artin e vërtetë. IA mund të jetë një ndihmë, por nuk mund të zëvendësojë artistët.
KOHA: Një karrierë e bujshme e juaja. Në “Prishtina Jazz Festiaval” që u rikthye pas një dekade pauzë, dëgjuam shumë muzikantë të Kosovës. Muzikantë të mirë edhe të gjeneratës së re. Por mbi të gjitha dëgjuam kompozime të reja? A ka jazz-shqiptar në kuptimin e plotë të fjalës dhe si dallon ai prej jazzit-botëror?
Mehmeti: Jazzi shqiptar është ende në zhvillim, por tashmë dallon për influencat e tij të pasura nga muzika tradicionale. Ky është një zhanër që po merr formë unike, duke sjellë një përzierje interesante mes traditës dhe modernitetit.
KOHA: Cili është raporti juaj me kitarën – kam përshtypjen që jeni i lidhur me llojin “Gibson”. Si e përshkruani këtë instrument, çfarë ka në koleksionin Tuaj dhe si e përzgjidhni kitarën? Keni edhe një kitarë të personalizuar?
Mehmeti: Kitarat “Gibson” kanë qenë gjithmonë të preferuarat e mia për tingullin e tyre të ngrohtë dhe të pasur. Në koleksionin tim kam disa modele të veçanta, përfshirë një “Gibson” të personalizuar që ka një lidhje të veçantë me stilin tim. Përzgjedh kitarat që pasqyrojnë më së miri ndjeshmërinë dhe emocionin që dua të përcjell. Tash sponsorizohem nga një kompani amerikane, “Comins” nga ‘luthier’ i famshëm në botën e jazz-kitarave, Bill Comins, dhe luaj tri kitara që janë krijuar me porosi për mua nga “Comins Guitars”.
KOHA: Si do ta përshkruanit muzikën jazz. Ajo është mënyrë jetese për ju, bazohet në improvizim, por në esencë ka rregullat strikte...
Mehmeti: Jazzi për mua është më shumë se një zhanër – është një mënyrë jetese. Ai ndërthur lirinë e improvizimit me disiplinën e strukturës, duke krijuar një harmoni unike që e bën atë të papërsëritshëm. Jazzi është një formë artistike që bashkon njerëzit në mënyrën më të mirë, pa dallim race, feje ose përkatësi dhe ndarje të tjera të panevojshme.