Historia e muzikës nuk shkruhet dot pa emrin e maestros Rafet Rudi, por ai ka vendosur që t’i hapë kujtimet jo vetëm për vete, e duke e bërë këtë ai shkruan edhe historinë e muzikës në këto anë. “Libri im i kujtimeve” nga kompozitori e dirigjenti i shquar, ka frakturë dokumentare, por hapat e karrierës së tij janë në ritmin e muzikës si “modus vivendi”, si rezistencë por edhe si vetë jeta
Kronika e jetës muzikore të dirigjentit e kompozitorit Rafet Rudi është e dokumentuar në librin e tij autobiografik “Libri im i kujtimeve”. Ai ndan ngjarje e kujtime personale për zhvillimin e jetës muzikore në kontekstin e kushteve politike, sociale e kulturore. Konsiderohet i pari botim i këtij lloji nga një kompozitor shqiptar në skenën letrare ndërsa për brezat e rinj si pikë referente dhe model kujtese që mban gjallë të kaluarën muzikore në vend.
Libri i përuruar të premten pasdite në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës nis rrëfimin me vitin 1975 dhe, sipas shpjegimeve për të, ka karakteristika biografike si një kronikë e kohës dhe ndikimeve që e kanë formuar autorin. Është vlerësuar për rëndësinë e tij për skenën muzikore për dokumentimin e ngjarjeve të rëndësishme, sikurse edhe për institucionet muzikore të cilat nuk janë të ruajtura as në arkiva zyrtarë.
Duke qenë i shkurtër në fjalën e tij, autori Rudi ka thënë se në libër flet për një periudhë shumë delikate të zhvillimit të kulturës së vendit.
“Gjenerata jonë që e ka përjetuar, e di, por gjenerata e re nuk mund ta përfytyrojë sepse e gjithë jeta është zhvilluar në mënyrë të koncentruar, të dirigjuar. Zhvillimi i jetës muzikore te ne është zhvilluar përmes Radiotelevizionit dhe atë e kanë qeverisur një strukturë që historikisht nuk ka qenë dashamire ndaj kulturës sonë. Doemos kam analizuar edhe aspektet politike të zhvillimit të kulturës sonë”, është shprehur ai.
Ka thënë se në këtë kohë, vitet ’70, ka pasur lulëzim e shpërthim të papërmbajtur në të gjitha fushat e arteve dhe se, ndonëse nën ish-Jugosllavi, skena artiste ka përjetuar liri në zhvillimin përkatës.
“Në fushën e lirisë krijuese në kuptimin e përvetësimit të rrymave avangarde e kemi pasur një liri maksimale që nuk e kanë pasur kolegët në Tiranë. Kjo nuk është gjë që neglizhohet kaq lehtë. Poezia jonë, arti figurativ, teatror, në nivel të asaj periudhe për nga pikëpamja estetike është jashtëzakonisht larg. Përkundër diskursit të nacionalizmit apo përkundër sferave të tjera ku ka pasur përndjekje, duhet të tregohet edhe ana tjetër e medaljes, që është jo pak e rëndësishme”, është shprehur kompozitori Rudi, autor i shumë veprave të gjinive të ndryshme si solistike, kamertale dhe simfonike.
Si anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencës dhe të Arteve, Rudi është një prej personaliteteve më të spikatura dhe më aktive në dekadat e fundit në botën muzikore të Kosovës. Rudi ka punuar si profesor në Fakultetin e Arteve në Prishtinë, përderisa, si shef-dirigjent i Korit të Filharmonisë së Kosovës, ka realizuar një sërë koncertesh në Maqedoni, Kroaci, Shqipëri, Itali, Angli dhe jo vetëm.
Ka udhëhequr Korin dhe Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës ku nën drejtimin e tij kanë realizuar një mori veprash vokalo-instrumentale. Veprimtarinë e ka shtrirë si kompozitor, dirigjent, autor në fushën e publicistikës dhe filozofisë së muzikës. Viteve të fundit i përkushtohet zbulimit, restaurimit dhe adaptimit të literaturës korale të autorëve të vjetër shqiptarë si Gjergj Danush Llapacaj e Jan Kukuzeli, veprat e të cilëve ishin interpretuar edhe në Belgjikë.
Kompozitori Nestor Kraja ka thënë se Rudi, edhe në libër, është intelektuali që shikon gjerë dhe i vjen keq për vendin e tij që i rezervohet realitetit të imazhit idealist.
“Është një libër i shkëlqyer, një libër që vërtet të ngjall një proces të të menduarit dhe të bën përshtypje këndvështrimi i një intelektuali të llojit të Rafetit. Kjo është ndoshta më e rëndësishmja. Unë mendoj se është një dokument i gjallë i argumentuar i fakteve historike të shekullit të kaluar dhe shekullit tonë sigurisht, në lëmin e muzikës në Kosovë dhe më tej. Studentët tanë të muzikologjisë kanë shumë nevojë për këto informacione. Faktet lidhen haptazi dhe direkt me analiza filozofike. Nuk janë fakte, një tregim i thjeshtë”, ka thënë ai.

Është shprehur se profesor Rudi ka mendime të thella, interesante dhe reale.
“Autori paraqitet si një vëzhgues i vëmendshëm i të gjithë fenomeneve që rrethojnë jetën e tij në mentalitete të ndryshme e madje të kundërta të intelektualëve të Beogradit, e deri te ndjesitë e aktorëve apo njerëzve të kulturës në periudhën e pasluftës të cilët gjykoheshin sipas meritave patriotike. Një fjalë kuptimplote të cilën e çmoj për gjetjet e tij sepse brenda ka vërtetësi, jetë, një kundërshtim kulturor”, ka thënë kompozitori dhe studiuesi i muzikës, Nestor Kraja.
Filozofi e kritiku i artit, Shkëlzen Maliqi, që është redaktor i librit, ka thënë se Rudi në libër tregon edhe marrëdhënien e tij me avangardën muzikore.
“Rafeti e tregon edhe një aspekt shumë specifik të zhvillimit të tij ku ai vërtet, gradualisht edhe si pjesë e një zone më pak të zhvilluar me kulturë muzikore, mban kontakte shumë të afërta me një avangardë muzikore”, është shprehur Maliqi.
Kompozitori Vaso Tole, nëpërmjet një videomesazhi, ka thënë se “Libri im i kujtimeve” i Rafet Rudit është i pari libër autobiografik nga një kompozitor në gjithë trevat shqiptare.
“Kam pasur rastin të njoh nga afër shumicën e kompozitorëve shqiptarë dhe pati një tentativë për të shkruar një autobiografi Kristo Kono. Por nuk e gjeti rrugën e botimit dhe bëri që kompozitorët tjerë të shkruajnë disa faqe për jetën e tyre, por jo një autobiografi. Dhe erdhi kjo autobiografi e para, e plotë, shumë e mirëpritur”, ka thënë ai.

E ka vlerësuar si rrëfim të pasur e të ndjerë, që tejkalon përmasat e një jete personale, për të ofruar pasqyrë të thellë të zhvillimeve historike, kulturore e artistike në Kosovë, që pas Luftës së Dytë Botërore e deri më sot.
“Dihet se muzika e kultivuar në Kosovë u zhvillua kryesisht pas Luftës së Dytë Botërore. Në mungesë të dokumentimeve institucionale për historinë e muzikës në Kosovë, krahas punimeve thelbësore të profesorit Engjëll Berisha dhe të ndonjë tjetri, rrëfimi i Rudit mbush boshllëqet e rëndësishme, siç janë, për shembull, historiku i institucioneve muzikore, sfidat e muzikantëve dhe rruga drejt profesionalizimit të muzikës artistike në vend”, ka thënë akademik Tole.
Muzikologia Rreze Kryeziu-Breznica ka thënë se publikimi i librit nuk është vetëm ngjarje letrare e artistike, por nevojë e menjëhershme. Sipas saj, është “homazh për muzikën si mënyrë jetese, si formë rezistence dhe si mjet kujtese”.
“Me natyrën e tij si memoar dhe kronikë personale, një mozaik kujtimesh e reflektimesh, vjen si një gur themeltar për të etabluar një pasqyrë më të plotë dhe për të dokumentuar historinë e muzikës sonë profesionale, për të rindërtuar narrativën e munguar të saj. Për mua personalisht si muzikologe është një nder i veçantë të jem pjesë e kësaj ngjarjeje në të cilën promovojmë një libër i cili për nga përmbajtja, struktura dhe thellësia shkon përtej dimensionit të kujtimit personal”, ka thënë ajo në promovim.
E zëvendësuesi i drejtorit të Filharmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj, ish-student i profesor Rudit, ka thënë se për të dhe gjithë gjeneratën e tij ai ka meritat për prezantimin e muzikës avangarde, për zbulimin e muzikës së vjetër të këtyre anëve e fizionominë e Korit e Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës.
“Për mua dhe për gjeneratën time përfaqëson një prej figurave që na ka ekspozuar ndaj muzikës së shekullit XX sidomos, muzikës avangarde, dhe në momentin kur ne e kemi parë si figura që ka qenë afruese e gjeneratës së re me muzikës bashkëkohore, me Korin e Filharmonisë së Kosovës, ka meritë të veçantë edhe për zbulimin e muzikës së vjetër të këtyre anëve e trevave. Ka vendosur një standard që sot e kësaj dite vazhdon të jetë standardi i repertorit që e përcakton fizionominë e Korit të Filharmonisë së Kosovës, Orkestrës po ashtu, por jo vetëm. Gjithë muzikës korale, jo vetëm në Kosovë, por përtej kufijve”, është shprehur Selimaj.
Në ngjarjen ku është promovuar “Libri im i kujtimeve” i dirigjentit e kompozitorit Rafet Rudi, është paralajmëruar se muajin e ardhshëm vjen edhe libri tjetër i tij – “Refleksione mbi muzikën” me analiza e ese për muzikën.