Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Jorgo Papingji – poeti i këngës shqipe

Këngë që kanë shënuar historinë e muzikës shqipe për një gjysmëshekulli mbajnë edhe emrin e Jorgo Papingjit si tekstshkrues. Vargjet e tij të shndërruara në melodi janë trashëgimi për breza të tërë. “Kur jemi bashkë të dy”, “Askush s’do ta besojë”, “Fat dhe jetë”, “Kur e humba një dashuri” e shumë të tjera, janë këngët të cilave “Mjeshtri i Madh” ua dha fjalët

Emri i tij është shndërruar në vulë të muzikës së lehtë shqipe. Thesari i këngëve të shquara ka vargjet e tij. Poeti e tekstshkruesi Jorgo Papingji ka vdekur të enjten në moshën 81-vjeçare, kanë raportuar mediat shqiptare.

Papingi u lind në Vlorë më 10 qershor të vitit 1942. Ai ka shkruar pesë këngë fituese në “Festivalin e Këngës”, njëra prej të cilave ka marrë pjesë edhe në Festivalin Evropian të Këngës në vitin 2014. Është autor i mbi 4 mijë këngëve, i nderuar me titullin “Mjeshtri i Madh”.

Ndër këngët e shkruara nga Papingji veçohen: “Kur jemi bashkë të dy” e vitit 1980, kënduar nga Luan Zhegu, “Askush s’do ta besojë” dhe “Fat dhe jetë”, kënduar nga Anita Bitri, “Kur e humba një dashuri”, këngë fituese e kënduar nga Manjola Nallbani, “Rri me mua”, kënduar nga Mira Konçi, “I thuaj jo”, kënduar nga Ardit Gjebrea, “E doni dashurinë”, kënduar nga Luan Zhegu dhe Ledina Çelo, “S’jam tribu” këngë fituese kënduar nga Aurela Gaçe dhe shumë këngë të tjera.

Kënga “Vetëm një fjalë” e vitit 1999, kënduar nga Elsa Lila, mori pjesë në Festivalin Evropian të Këngës.

Për vdekjen e Papingjit ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama. Ai ka shprehur ngushëllime nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale.

“Lamtumirë maestro Jorgo Papingji, autori i teksteve të dashurisë në koleksionin e këngëve më të kënduara shqiptare. U prehsh në paqe”, ka shkruar kryeministri Rama.

Edhe ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit i Shqipërisë, Blendi Gonxhja, reagoi për vdekjen e poetit Jorgo Papingji.

“Lamtumirë mjeshtër Jorgo Papingji! Ndarja jote nga kjo jetë erdhi në Ditën Ndërkombëtare të Poezisë! Kontributi yt i jashtëzakonshëm në vargje, i përkthyer mjeshtërisht në këngë, është një trashëgimi e vyer që do të mbetet përjetë pjesë e artit shqiptar. Kujtimi yt do të jetë gjithmonë burim frymëzimi për të gjithë brezat në vazhdim”, ka shkruar ministri Gonxhja.

Për ndarjen nga jeta të poetit dhe mjeshtrit të teksteve të këngëve, Kuvendi i Shqipërisë gjatë seancës së zhvilluar të enjten mbrëma mbajti një minutë heshtje.

Deputetja e Partisë Socialiste, Mimi Kodheli, i kërkoi kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, në seancën plenare të Kuvendit të mbahet një minutë heshtje, gjë që u pranua nga Nikolla.

Kodheli ka thënë se Papingji është autor i dashur për breza të tërë shqiptarësh, mes të cilëve edhe shumë deputetë të pranishëm në sallën e Kuvendit.

Kryeparlamentarja Nikolla teksa ka shprehur ngushëllime ka thënë se ai qe frymëzim brezash. “Artisti poet Jorgo Papingji, ‘Mjeshtër i Madh’, autori i mijëra teksteve të këngëve shqiptare, bashkoi me tingujt muzikorë frymëzimet dhe ndjenjat e holla të bukurive të jetës dhe botës shqiptare. Disa breza jemi rritur me këngët e Mjeshtrit Papingji, kushtuar dashurisë, jetës, mallit, bukurisë, gëzimeve, vuajtjeve e dhimbjeve njerëzore, ëndrrave e dëshirave, natyrës, dhe natyrisht, atdheut. Mirënjohje për pasurinë e bukur që na le! U prehsh në paqe, Mjeshtër!”, ka shkruar Nikolla.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në një postim në rrjete sociale ka shkruar se Papingji la pas një kontribut të jashtëzakonshëm në artin shqiptar.

“I trishtuar për largimin nga jeta të poetit dhe autorit të dhjetëra këngëve të njohura, Jorgo Papingji! Kontributi yt i jashtëzakonshëm është një trashëgimi e vyer e artit shqiptar. U prehsh në paqe”, ka shkruar Veliaj.

Artikuj të ngjashëm