Mëngjesin e së hënës ka vdekur poeti e autori i dhjetëra këngëve që kanë lënë gjurmë në skenën e muzikës. Agim Doçi kishte shkruar qindra tekste këngësh, e për kontributin e tij i ishte dhënë titulli “Mjeshtër i Madh”. Krijuesi ishte prej më aktivëve në poezi e tekste këngësh. Arti i tij përtej vlerave kulturore, mobilizonte edhe masat për ta dashur vendin e tyre, e për të dhënë kontribut. “Marshi i UÇK-së” qe bërë prej pikave të forta të autorit. Nën interpretimin e Arif Vladit, kjo këngë ishte himn i ditëve të vështira
Poezia ishte pikë e fortë e Agim Doçit. Në vargje këngësh poetika e tij ka mbetur e pashlyeshme e krijimtaria prej qindra tekstesh si trashëgimi që e mbajnë gjallë emrin e krijuesit. Ai vdiq në moshën 76-vjeçare në Tiranë. Aty edhe do t’i jepet lamtumira paraditen e së martës. Vdekja e tij është parë si humbje e madhe për artin shqiptar. Veçanërisht për këngën shqipe.
Doçi u lind më 9 maj të 1948-s. Kishte mbaruar studimet për inxhinieri elektrike. Pasi u diplomua kishte punuar në projekte të rëndësishme të asaj kohe. Në vitin 2005, në shkurt ishte emëruar drejtor i përgjithshëm i informacionit dhe marrëdhënieve me publikun në Ministrinë e Mbrojtjes në Shqipëri.
Por përherë ishte i tërhequr nga arti. Asaj rruge edhe ia mësyu, dhe aty u përjetësua në këngët që i kanë qëndruar kohës me dekada të tëra.
Ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, e ka quajtur mjeshtër të penës.
“Mjeshtër i penës, i vargut të papërsëritshëm poetik dhe i këngëve që do të këndohen në breza, ai trokiti çdo zemër artdashësi për t'u përjetësuar me krijimtarinë e pasur artistike që na la trashëgim. Me karakter dhe personalitet të fortë si bir i denjë i Mirditës fisnike, besnik i vlerave të Lirisë, mendje e ndritur dhe kritike, patriot frymëzues, që aq shumë e deshi Shqipërinë e Kosovën, kujtimi i këtij artisti të madh e shumëdimensional do të mbetet i paharruar”, ka shkruar Meta.
Edhe
Vdiq poeti Agim Doçi
Për vdekjen e Doçit ka shkruar edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
“Fort i trishtuar për ndarjen nga jeta të Agim Doçit, poetit dhe autorit të teksteve të dhjetëra këngëve, fitues i shumë çmimeve në festivale. Agimi do t’i mungojë artit dhe poezisë shqipe! Ngushëllime të përzemërta familjarëve dhe të afërmve”, ka shkruar ai.
Agim Doçi qëndron prapa këngëve epike që i kushtohen dashurisë, atdheut e jetës. Është fitues i mbi 50 çmimeve.
Tekstet e tij si “E duam lumturinë” për këngëtaren e mirënjohur Parashqevi Simakun e “A do të vish”, të cilën e ka kënduar Luan Zhegu, janë disa prej perlave të tij.
Pikërisht me këtë këngën të cilën Zhegu e kishte kënduar në edicionin e 26-të të Festivalit të Këngës, e ka kujtuar autorin në ditëvdekje.
“Prehu në paqe Agim Doçi, poet i shumë bashkëpunimeve së bashku si në krijimtari dhe në interpretime, ndër të cilat tekstin e këngës simbol ‘A do vish/Alo Alo’, e cila këndohet sot e kësaj dite, si herën e parë! Biografia e një poeti është poezia e tij. Të gjitha të tjerat janë poshtëshënime”, ka shkruar Zhegu.
Doçi mbetet emër i suksesshëm në skenën e festivaleve të këngës. Bashkëpunimet e tij ishin të shumta me kompozitorë dhe me këngëtarë të njohur, të cilët e prezantuan Shqipërinë në skenën e festivalit evropian të këngës “Eurovision”.
Me vargjet e këngës “Imazhi yt” dhe zërin e këngëtares Anjeza Shahini, në vitin 2004 Shqipëria arriti të merrte vlerësim të lartë. Kënga e kënduar në anglisht, me titull ”The Image Of You” u vlerësua me 106 pikë duke u pozicionuar në vendin e 7 nga 24 vende në garë.
Agim Doçi ka shkruar edhe tekstin e një tjetër kënge pjesëmarrëse në Eurovizion. Në vitin 2009, e kënduar nga Kejsi Tola me titull “Më merr në ëndërr”, vargjet e Doçit do të jehonin edhe një tjetër herë në skenën e muzikës evropiane. Kënga do të renditej e 17-ta në natën finale.
Këngëtarja Albina Kelmendi e ka theksuar përkrahjen e Doçit për prezantimin e saj dhe të familjes në skenën e “Eurovizionit” me këngën “Duje”, në edicionin e kaluar.
Edhe
Sot ditë zie në Shqipëri
“Gjatë kohës kur reprezantuam Shqipërinë në ‘Eurovision’ përkrahja e Agim Doçit për këngën tonë, sidomos në aspektin tekstual e tematik, ka qenë e zëshme dhe bënte bujë nëpër mediat tona duke na nderuar dhe motivuar neve si artist”, ka shkruar Kelmendi.
Në një intervistë disa vjet më parë, Agim Doçi e kishte kujtuar kohën kur krejt çmimet e Festivalit të Këngës - prej nga zgjidhet kënga përfaqësuese për në “Eurovizion” - i merrnin këngët, autor i të cilave ishte ai.
“Në vitin 1974 për herë të parë kam marrë pjesë në Festivalin e Këngës në Radiotelevizionin e Shqipërisë. Juritë më mësuan keq më jepnin çmime gjithmonë madje ka ndodhur që brenda festivalit këngët e mia kanë marrë çmimin e parë, të dytë dhe të tretë. Ka qenë një këngë ‘A do të vish’ të cilën e këndonte mjeshtri i madh, Luan Zhegu”, do të thoshte Gjoci.
Atdhedashurinë e rebelimin ndaj asaj çfarë ngjante me Kosovën e viteve ’90 e shprehte në vargje. “Marshi i UÇK-së” kënduar nga Arif Vladi, “A vritet pafajësia” nga Leonora Jakupi edhe sot trajtohen si sinonim për përkujtimin e viktimave të luftës së lavdishme.
Ai do të thoshte se prej gjithë opusit të tij, periudha krijuese më me vlerë për të ishte ajo që i ka kushtuar “Kosovës, lirisë, pavarësisë, luftës së atyre djemve trima që sublimuan, dhanë jetën për atë liri dhe pavarësi që gëzon sot Republika më e re e Ballkanit”.
Midis këtyre këngëve e kishte edhe dalluar këngën “Në një flamur të pandarë” ku këngëtarë nga të gjitha trevat shqiptare i kishte bashkuar në këngën e tij.
“Do të përmend jo vetëm interpretimin virtuoz të Arif Vladit me ‘Marshin e UÇK-së, apo atë të Leonora Jakupit me ‘A vritet pavarësia’, por edhe një kulm tjetër ku me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë ku mora pesë këngëtarë më të mirë të trevave shqiptare: Nikollë Nikprelën e Malit të Zi, Enkelejda Arifin e Çamërisë, Selami Kolonja i Maqedonisë së Veriut, Kastriot Tushën dhe Ilir Shaqirin e Kosovës. I bëra bashkë në një flamur të pandarë”, do të thoshte Agim Gjoci.
Këngëtari Shaqiri e ka vlerësuar si “poet i vargjeve himnizuese për Kosovën dhe Ushtrinë Çlirimtare të saj”.
Ai është edhe autor i këngës së njohur “Ma ke prish gjumin e natës”, kënduar nga Sabri Fejzullahu dhe Ledina Çelo.
“Lajm i trishtë për mua dhe për ata që sa shumë të kanë dashur profesor Agim Doçi! Jam me fat që pata aq shumë poezi nga pena jote e pazëvendësueshme në këngët e repertorit tim dhe sa e sa udhëtime nëpër koncerte të ndryshme në Europë!”, ka shkruar këngëtarja Çelo në rrjete sociale.
Edhe
Vdiq regjisori i njohur shqiptar, Dhimitër Anagnosti
Agim Doçi ka botuar edhe disa libra me poezi, si “Hajde dru me pre”, “Rrëzuar mbi vetminë” dhe “Rituali i kryqëzimit”.
Për kontributin e tij të pashoq, në mars të vitit 2022, ish-presidenti i ndjerë Bujar Nishani i dha titullin “Mjeshtër i Madh”.