Në një lëvizje të pazakontë, por jo të pashembullt, bordi i çmimit “Pulitzer” zgjodhi një opsion të katërt si fitues të çmimit për letërsi, pasi nuk mundi të binte dakord për tre finalistët e përzgjedhur nga juria
Kur romani i Percival Everettit, “James”, mori çmimin “Pulitzer” për letërsi të hënën, dukej si një zgjedhje e qartë. Rikonceptimi i tij nënvlerësues i romanit “Huckleberry Finn”, kishte marrë tashmë vlerësime nga kritika dhe një sërë çmimesh letrare, përfshirë “National Book Award” (Çmimin Kombëtar të Librit) dhe “Kirkus Prize”.
Por rezulton se romani “James” nuk ishte zgjedhja kryesore midis pesë anëtarëve të jurisë për “Pulitzer”. Nuk ishte as në tre titujt kryesorë, sipas tre personave që e dinë procesin, të cilët nuk ishin të autorizuar të flasin për diskutimet konfidenciale.
Befas, çmimi iu dha Everettit, pasi bordi i komitetit të “Pulitzerit” nuk arriti një konsensus mbi tre finalistët që juria për vepër letrare kishte prezantuar fillimisht — “Headshot” nga Rita Bullwinkel, “Mice 1961” nga Stacey Levine, dhe “The Unicorn Woman” nga Gayl Jones.
Procesi që çoi në triumfin e “James” nuk ishte një rast i bordit që imponon zgjedhjen e vet, por rezultat i një mekanizmi procedural i krijuar për t’i dhënë bordit më shumë zgjedhje kur nuk arrihet marrëveshje për finalistët fillestarë.
Në një vit të zakonshëm, zgjidhet një nga tre finalistët. Por kur të premten e kaluar, 17 anëtarët votues të bordit diskutuan për finalistët për çmimin për letërsi, asnjë nga tri propozimet nuk mori shumicën e votave. Bordi mund të kishte votuar për të mos dhënë një çmim për letërsi këtë vit, siç ka ndodhur në raste të rralla. Ose mund të votonte për të shqyrtuar një zgjedhje të katërt, që gjithashtu ishte përzgjedhur nga e njëjta juri.
Në këtë rast, bordi votoi për të marrë në konsideratë përzgjedhjen e katërt, “James”, që ishte paraqitur si një opsion shtesë më herët këtë vit, pasi bordi pranoi listën e finalistëve dhe i kërkoi jurisë një titull tjetër për t’u shqyrtuar. “James” mori shumicën e nevojshme të votave.
Procedura për zgjerimin e grupit të kandidatëve është e përshkruar në faqen e internetit të “Pulitzer”, e cila thekson se nëse bordi është “i pakënaqur me nominimet e ndonjë jurie”, mund të kërkojë nga kryetari “propozime të tjera të denja”. Në vitin 2012, nuk u dha asnjë çmim për letërsi pasi bordi dështoi të përzgjedhë një fitues — një rezultat që zemëroi shumë njerëz në botën letrare. Në vitin 2015, gjithashtu pati katër finalistë për letërsi, me ç’rast çmimi iu dha romanit “All the Light We Cannot See” nga Anthony Doerr.
Megjithatë, disa vëzhgues shprehën dyshime për procesin e këtij viti. Në një artikull të botuar të hënën në ueb faqen “Literary Hub”, shkrimtari dhe shitësi i librave, Drew Broussard, vuri në pikëpyetje nëse këtë vit bordi i “Pulitzer” kishte anuluar zgjedhjet e jurisë të një “tresheje që tronditi botën, të përbërë nga autore gra”, në një vit kur një roman i një shkrimtari mashkull ka marrë mjaft oksigjen.
Anëtarët e jurisë së këtij viti për çmimin e letërsisë artistike ishin romancierët, Bryan Washington, Jonathan Lethem, Ayana Mathis, Laila Lalami dhe kritikja Merve Emre. Disa nga anëtarët e jurisë refuzuan të komentojnë për diskutimet e tyre; të tjerë nuk u përgjigjën.
Emre, e cila shërbeu si kryetare e jurisë këtë vit, i referoi një hetim bordit të “Pulitzer”. Një administrator ka bërë të ditur se bordi nuk shtjellon diskutimet e tij.
Megjithatë në faqen e saj në Instagram, Emre ndau disa pikëpamje kritike për gjendjen e tregut të librave, ku ajo theksoi se juria shqyrtoi rreth 600 libra dhe zgjodhi katër tituj që ata menduan se përfaqësonin kriteret e çmimit si “letërsi artistike e dalluar nga një autor amerikan, mundësisht që trajton jetën amerikane”.
“Ishte e vështirë të shmangësh lodhjen dhe cinizmin”, shkroi Emre, duke shtuar: “Botimi amerikan nuk është në një gjendje të shëndetshme; sa më drejtpërdrejt të përcaktohen gjykimet e tij nga tregu dhe mediat —më shumë burime financimi zhduken — aq më i sëmurë do të bëhet: homogjen, i palëvizshëm, joprofesional, i pavlerë”.
Shumë njerëz nga bota letrare e cilësuan vendimin e bordit të “Pulitzerit” si një rezultat i merituar për një shkrimtar që ka shtyrë kufijtë e letërsisë artistike për dekada me radhë. Pjesa më e madhe e krijimtarisë së Everettit është botuar nga shtëpi botuese të pavarura, përfshirë romanin “Telephone”, që ishte finalist për çmim “Pulitzer” në vitin 2021, megjithëse romani “James” u botua nga “Doubleday” që është botues i madh.
Tre finalistët ofrojnë një pasqyrë të disa prej veprave të guximshme dhe eksperimentale që ndodhin në skajet e letërsisë artistike amerikane.
Romani “Headshot” i Bullwinkel, që flet për tetë adoleshente boksiere në Nevada, u vlerësua nga kritiku i gazetës “The New York Times”, Dwight Garner, si “aq përthithës për t’u lexuar sa që ndonjëherë ndihesh sikur po e shkruan atë vetë në mendjen tënde”. Në romanin “The Unicorn Woman”, Jones, një nga shkrimtaret afro-amerikane më me ndikim në Amerikë, e rrëfen një histori sureale për një veteran të Luftës së Dytë Botërore që bie në dashuri me një grua afro-amerikane, e cila ka një bri spirale në ballë dhe punon në një show të karnavalit. Romani i Levine, “Mice 1961”, botuar nga “Verse Chorus Press”, prezanton dy motra jetime përmes zërit të pastrueses së tyre. Në një përmbledhje për të përditshmen “Washington Post”, shkrimtarja Lydia Millet e quajti Levine “një artiste performuese të talentuar të letërsisë artistike”.
Levine hodhi poshtë spekulimet rreth komplotit për përzgjedhjen e fituesit këtë vit, duke theksuar në një e-mail se, në një moment kur iniciativat për diversitet dhe financimet publike për artin janë në rrezik, çmimi “Pulitzer” përfaqëson integritetin — një cilësi që ia vlen të festohet.
“Libri i Percivalit është shumë i rëndësishëm në këtë aspekt. A është kjo koha e duhur për të bërë bujë rreth asaj që mund të jetë ose jo politikë gjinore në një konkurs letrar?”, shkroi Levine në e-mail.