Kulturë

“Jam mirë kur á mirë Shypnia” në betejën e brendshme të Isa Boletinit më 1914

Adem Zhitopotoku

Monodrama “Jam mirë kur a mirë Shypnia” me Adem Zhitopotokun vjen si prezantim i jetës dhe veprimtarisë së Boletinit. Narrativa pështjellohet me një lloj dëshpërimi të brendshëm që me raste theksohet goxha. Është rebelim ndaj tradhtarëve e tentativave për ta sjellë Perandorinë Osmane në krye të Shqipërisë, ndihmesës që ta pushtojë atë për favore personale

Në një natë teksa qëndron vetëm nis të qajë halle me vetveten. Isa Boletini flet për pushtimin e krejt trojeve shqiptare në kohën e udhëheqjes së princ Vidit, por që ishte larguar nga froni. Veç Shkodra kishte mbetur e papushtuar. Duhej të vendoste në do të qëndronte a jo si gjeneral i ushtrisë në vendin ku kishin nisur hasmëritë midis shqiptarëve. “Jam mirë kur á mirë Shypnia” vjen si monodramë për këtë episod të historisë

Skena e teatrit “Dodona” ka kthyer një kapitull të ngjarjes së shtatorit të vitit 1914. Monodrama “Jam mirë kur a mirë Shypnia” me tekst të Adem Zhitopotokut dhe nën regji të Faik Gashit sjell mozaikun historik që vjen si profil i figurës së heroit kombëtar, Isa Boletini. Zhitopotoku që e “ringjall” karakterin e tij sjell ngjarjet historike në version dramatik.

Me t’u fikur dritat, ndriçohet një dritare. Aty shfaqet silueta e personazhit me plis në kokë. I vetëm më skenë nis rrëfimin në monodramën e dhënë premierë të enjten mbrëma, në sallën plot.  

Në një natë teksa qëndron vetëm nis të qajë halle me vetveten. Flet për pushtimin e krejt trojeve shqiptare në kohën e udhëheqjes së princ Vidit, por që ishte larguar nga froni. Veç Shkodra kishte mbetur e papushtuar. Duhej të vendoste në do të qëndronte a jo si gjeneral i ushtrisë në vendin ku kishin nisur hasmëritë midis shqiptarëve. Për të shmangur situata të tensionuara, vendos të qëndrojë në Shkodër. 

Shfaqja vjen si prezantim i jetës dhe veprimtarisë së Boletinit. Narrativa pështjellohet me një lloj dëshpërimi të brendshëm që me raste theksohet goxha. Është rebelim ndaj tradhtarëve e tentativave për ta sjellë Perandorinë Osmane në krye të Shqipërisë, ndihmesës që ta pushtojë atë për favore personale. Është edhe lavdia për betejat e rezistencën shqiptare, përkundër mungesës së armatimit. 
Autori i shfaqjes e aktori Adem Zhitopotoku ka thënë se shfaqja vjen si rrjedhojë e hulumtimit disavjeçar për historikun e Isa Boletinit. 

“Është një hulumtim imi që e kam bërë për disa vjet si pasion që e kisha. Kam filluar diku në vitin 2008. Fillimisht kam menduar se po di shumë për të, mandej duke lexuar e kam parë se nuk kisha qenë duke ditur asgjë. Një pjesë e këtyre të dhënave janë të informatave që i kam gjetur gjatë hulumtimeve. Mendoj se janë informacione të reja për brezin e ri i ri i cili më pak kanë kohë të lexojë”, ka thënë Zhitopotoku. 

“Është një hulumtim imi që e kam bërë për disa vjet si pasion që e kisha. Kam filluar diku në vitin 2008. Fillimisht kam menduar se po di shumë për të, mandej duke lexuar e kam parë se nuk kisha qenë duke ditur asgjë”, ka thënë aktori e autori i tekstit të monodramës, Adem Zhitopotoku

E ka përmendur edhe aspektin edukativ të kësaj monodrame, veçmas të përcjelljes së informacioneve historike te të rinjtë. 

“Janë informata që është mirë t’i dijë secili, që asgjë nuk pengon nëse ne e dimë se Iliria ka pasur shtrirje prej rreth një deri tre milionë metra katrorë ndërsa sot jemi një Shqipëri dhe një Kosovë që kanë mbetur shumë pak. Ato plane që përmenden në monodramë vërtet kanë emra dhe autorë. Kanë qenë si rregullim i rendit botëror, por pjesë e atij rendi kanë qenë edhe ilirët dhe ne e kemi pësuar mandej. Prej krejt këtyre ilirëve, veç ne shqiptarët kemi mbërritur ta ruajmë gjuhën shqipe, një ilirishte e re”, ka thënë Zhitopotoku. 

Regjisori i shfaqjes, Faik Gashi, ka theksuar vështirësitë në inskenimin e një shfaqjeje që i përket zhanrit të monodramës. 

“Është një pasion i tij për të luajtur dhe për të shkruar tema historike. Sipas tij, ka disa vjet që merret me këtë tekst dhe në bisedë e sipër kemi ardhur në përfundim ta realizojmë një copëz të biografisë së Isa Boletinit. Ka qenë punë e mundimshme, pasi monodrama është zhanri më i vështirë, krejt barra bie mbi aktorin, është teatër i fjalës”, ka thënë Gashi derisa ka konsideruar se shfaqja ka rezultuar e suksesshme me përvojën e aktorit Zhitopotoku. 

“Kur kemi disa personazhe në skenë mund të manipulojmë në skenë, kur kemi të bëjmë me një aktor ai duhet të jetë shumë i saktë, në lojën dhe interpretimin e tij. Është punë mjaft e mundimshme ta mbash publikun pezull për gjysmë ore me një aktor. Duke pasur parasysh përvojën e tij, emocionet që ka, besoj se ia kemi dalë, por kjo më së miri vërehet në bazë të asaj se si e pret publiku”, ka thënë Faik Gashi, regjisor i monodramës gjysmorëshe “Jam mirë kur a mirë Shypnia”. 

Ka bërë të ditur se përgatitjet për shfaqjen kanë zgjatur dy muaj pasi është dashur të punohet në reduktim të tekstit dhe përshtatje të tij për skenë. 

Repriza e parë e shfaqjes do të jepet në kullën e Isa Boletinit muajin e ardhshëm, më 30 qershor, kur shënohet nëntëvjetori i rivarrimit të heroit kombëtar. 

“Është kënaqësi e madhe që ne do ta vazhdojmë monodramën në kullën e Isa Boletinit dhe në qytetin e Mitrovicës. Meqë muajin e ardhshëm është nëntëvjetori i rivarrimit të Isa Boletinit, ne do ta shënojmë këtë datë në majën e Vesekovcit, në vendin ku ai ngriti flamurin, para se të ngrihet në Vlorë”, ka thënë historiani Gazmend Boletini, që është stërnipi i Isa Boletinit. 

Derisa ka folur për shfaqjen ka thënë se në të janë vuajtjet e personazhit në kohën kur ende të freskëta ishin planet për copëtim. Por sipas tij, duhet të punohet ende me shfaqjen. Ka thënë se kjo ka qenë mesazh për historianët për të punuar më shumë në trajtimin e kësaj pjese të historisë.  

“Janë 35 vjet luftë për çlirim e bashkim kombëtar. Kjo ishte një pjesë e jetës së tij. Autori e regjisori e kanë menduar një natë të jetës së Isa Boletinit, se si e ka kaluar atë. Në mendime për çështjen kombëtare. Kjo ishte kuptimplota e kësaj shfaqjeje”, ka thënë Boletini.