Komisioni Qendror Zgjedhor ka nisur publikimin e rezultateve nga numërimi i votave nga diaspora, atyre me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta. Bazuar në të dhënat e deritanishme, vota e diasporës ka konfirmuar balotazhin në disa komuna. E në Mitrovicë të Jugut e ka ndryshuar renditjen e kandidatëve për kryetarë, duke e nxjerrë Faton Pecin e Vetëvendosjes para Arian Tahirit të PDK-së
Numërimi i deritanishëm i votave të ardhura me postë nga diaspora për zgjedhjet lokale të 12 tetorit e kanë konfirmuar balotazhin në disa komuna, ndërsa në së paku një komunë e kanë ndryshuar renditjen e kandidatëve për kryetarë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) të shtunën ka nisur publikimin e votave nga diaspora, atyre me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta. E bazuar në të dhënat e deritanishme, përmbysje e renditjes së kandidatëve është shënuar në Komunën e Mitrovicës së Jugut.
Aty, pas përfundimit të numërimit të të gjitha kutive, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci, ka dalë para atij të Partisë Demokratike, Arian Tahiri.
Sipas rezultateve, Peci ka rezultuar për 116 vota përpara Tahirit.
Balotazhi është konfirmuar në Komunën e Gjilanit, ku bazuar në 65.71 për qind të votave të diasporës të numëruara dhe të gjeneruara në faqen e Komisionit Qendror Zgjedhor deri në orën 17:00, kandidati i LVV-së, Alban Hyseni, ka siguruar 49.79 për qind të votave ndërsa ai i LDK-së, e Arbër Ismajli, ka 34.24 për qind.
Përveç në Mitrovicë, procesi i numërimit të votave të diasporës ka përfunduar edhe në komunat e Shtimes, Dragashit dhe Junikut. Sipas rezultateve, në Dragash dhe në Junik do të ketë rund të dytë votimi. Ndërkaq, në Shtime është konfirmuar rizgjedhja kryetar e kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje, Qemail Aliu.
Për zgjedhjet e 12 tetorit, të drejtën e votës me postë e kanë shfrytëzuar mbi 30 mijë qytetarë që jetojnë jashtë Kosovës.
Vota e tyre, sipas ish-kryetarit të KQZ-së, Mazllum Baraliu, është përherë me ndikim përcaktues për proceset zgjedhore në Kosovë.
“Diaspora jonë në këto vitet e fundit në zgjedhje të organizuara në Kosovë, qoftë në nivelin qendror në zgjedhje parlamentare, qoftë në atë lokal, është e interesuar që të jap kontributin e saj”, ka thënë Baraliu. “Patjetër që mund të ketë ndikim në rezultate, veçanërisht në disa komuna ku rezultati në mes të kandidatëve në raundin e parë është shumë i përafërt”.
Votat e diasporës janë vendimtare edhe për komunën e Hanit të Elezit. Aty, fitoren e ka shpallur Mehmet Ballazhi i PDK-së, por diferenca me kandidatin e pavarur, Rufki Suma, është aktualisht për 93 vota.
Për këtë komunë dhe për Prishtinën e disa të tjera, procesi i publikimit të rezultateve nga numërimi i votave të diasporës është ende duke vazhduar.